Reka: Dialogu me Serbinë vetëm si dy shtete të barabarta, me njohje reciproke e pa ndryshime territoriale

Aktuale

Reka: Dialogu me Serbinë vetëm si dy shtete të barabarta, me njohje reciproke e pa ndryshime territoriale

Më: 20 maj 2020 Në ora: 11:23
Blerim Reka

Ministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka ka marrë pjesë mbrëmë në debatin e Columbia University “The Future of Kosovo”, ndërsa tha se dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të zhvillohet më ashtu si më parë, me negociatat asimetrike, por vetëm negociata si dy shtete të barabarta.

Reka tha se ky dialog duhet të përfundoj me njohje reciproke, pa ndryshime territoriale.

“Dialogu nuk mund të jetë më, sikur që ishte, pra jo më negociata asimetrike, por vetëm negociata të dy shteteve të barabarta, që duhet të përfundojnë me njohje reciproke ndër-shtetërore – pa ndryshime territoriale”, u shpreh Reka.

Në lidhje me të ardhmen e Kosovës, Reka tha se e ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë tjetër pos si pjesë e familjes euro-alantike të demokracive liberale.

“Kosova si edhe SHBA-të, lindën në luftën çlirimtare kundër tiranisë koloniale, ndërkaq në paqe ndërtojnë demokracinë liberale. Kosova një shekull ishte nën regjimin kolonial serb, nga aneksimi, në fillim e deri te aparteidi në fund të shekullit të kaluar. Andaj lufta çlirimtare ishte e vetmja zgjidhje për të hequr qafe pushtuesin e huaj, ndërkaq pas lufte qe mbështetur nga aleanca më e fuqishme perëndimore. Pavarësia e Kosovës, ishte edhe legjitime (vullneti plebishitar i popullit për çlirim nga pushtuesi i huaj) dhe legale, (bazuar në të drejtën ndërkombëtare siç e thekoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në mendimin e saj të v.2010). E ardhmja e Kosovës, është si pjesë e civilizimit perëndimor, si një Republikë e bazuar në sundimin e ligjit, një shtet me kufijtë e mbrojtur me kushtetutë dhe një qeveri me qeverisje të mirë”, tha Reka.

Në këtë debat online të udhëhequr nga Prof. Dr. David Phillips, nga Universiteti Kolumbia të Nju Jorkut, fjalën e hapjes e paraqiti Prof. Dr. Daniel Serwer, nga Johns Hopkins University, ndërkaq pos kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në debat morën pjesë edhe Arta Dade, ish Ministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Fatmir Mediu, ish ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë, Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit të Serbisë dhe Miodrag Vlahoviq, ambasador i Malit të Zi në Selinë e Shenjtë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat