Shqiptaro amerikani zbuloi biseda të kaluara me Albin Kurtin, i vjen një mesazh i ‘çuditshëm’ nga ish-themeluesi i VV-së

Aktuale

Shqiptaro amerikani zbuloi biseda të kaluara me Albin Kurtin, i vjen një mesazh i ‘çuditshëm’ nga ish-themeluesi i VV-së

Nga: N. H Më: 15 korrik 2020 Në ora: 20:28
Albin Kurti dhe Uk Lushi

Publicisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, dje ka bërë publike një shkëmbim e-maile, që kishte pasur para 16 vjetësh me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në këto emaile Kurti i kishte kritikuar shefat e disa mediave për hapësirën ndaj tyre.

Mirëpo, publikimi i këtyre emailieve ka nxitur reagime të shumta.

Ai sot përveç ka dhënë edhe disa sqarime tjera, njëashtu ka publikuar edhe një mesazh që i ka ardhur nga ish-themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlzen Gashi, dhe njëherit ish-këshilltari politik i ish-kryeministrit, Albin Kurti.

Gashi në mesazhin e tij elektronik dërguar publicistit, shkurtimisht i ka shkruar; “SHIK, SHIK, SHIK”.

Lushi, Gashin e quan provokator, dhe thotë se mesazhi i këtij të fundit shpërfaq mendësinë e cila duhet të zhduket nga mendjet e shëndosha.

“Dhe krejt në fund, kësaj, po deshët, kronologjie të çiltërt apo, po deshët, mea culpa, më duhet t' ja bashkangjis një e-mail nga Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Kurtit, njëri nga themeluesit e VV-së dhe një provokator në tesha intelektuali apo një intelektual në tesha provokatori, si të doni, që ma dërgoi dje. E-mail shpërfaq mendësinë e cila duhet të zhduket nga mendjet e shëndosha. Unë mund t'i përgjigjesha Shkëlzen Gashit me UDB, UDB, UDB, por nuk mund ta bëj këtë. Shikojeni dhe gjykojeni e-mailin e tij vetë. Le të jetë një shembull si nuk duhet të gabojë me diskualifikime të pabaza një intelektual, një ish-aktivist dhe një shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ja shkrimi i tij:

E vërteta për një postim dje

Opinioni dhe diskursi publik shqiptar, kudo në botë, sot, në vitin 2020, janë më të polarizuara se kurrë më parë prej rënies së monizmit në vendet tona. Mendësia e shumë shqiptarëve është ende e mbyllur, partizane dhe akoma nuk ka përvojë me lirinë dhe interesin publik. Gjithçka që nuk kalon nëpër thjerrëzen e interesit të liderit, klanit, partisë apo nëngrupit shihet si komplot dhe sulmohet. E vërteta pranohet për të përgjithshmen dhe dobishmen vetëm nëse mund të instrumentalizohet për partikularen dhe profitin e saj. Porse intelektualët dhe patriotët nuk duhet të pranojnë dhe duhet ta luftojnë këtë mendësi, pavarësisht rrezikut të përbalten, mësyhen dhe linçohen publikisht apo edhe fizikisht.

I interesuar për dhe shqetësuar me zhvillimet rreth shtetit të Kosovës ndër shumë përpjekje angazhuese për të ndihmuar Kosovën, më 9 korrik 2020, i bëra një telefonatë njërit ndër njerëzit kryesorë të VV-së, Liburn Aliu. Deputetit Aliu i kërkova që VV të bënte gjithçka që këto ditë të gjithë të unifikohemi sa më shumë, e veçmas në skenën politike, për të përballuar ciklonin me Gjykatën Speciale dhe dialogun Kosovë-Serbi. Aliu më pyeti cili ishte sugjerimi im. Propozova, që, nëse Presidentit Thaçi i ngritet aktakuzë në Hagë, Albin Kurti, në marrëveshje me partitë shqiptare, të zgjidhej President shteti dhe VV e PDK të bëheshin pjesë e qeverisë me Avdullah Hotin e LDK-së Kryeministër. Kjo qeveri unike kalimtare do të duhej të largohej nga pushteti me zgjedhje të reja para 31 dhjetorit 2021. Liburn Aliu u zotua që do të ndante idenë me Kurtin dhe njerëzit vendimmarrës të VV-së dhe do të qëndronim në kontakt.

Më 13 korrik, pas disa ditëve dëshirimi ngjethës në media sociale për vdekje nga Coronavirusi për kryetarin e LDK-së Mustafa, Albin Kurti, më në fund foli, duke vënë në dukje morbiditetin e mendjeve të lojtura, që i dëshirojnë vdekje dikujt nga inate banale, por edhe duke ndaluar këtë turp shqiptar si me shpatë.

Kaq u desht. Ky gjest prej lideri, e jo politikani, u shndërrua në një tjetër rrem të njomë të ndryshimit të Kurtit nga ngurtësia dhe ashpërsia, shpesh, përjashtuese, në të kaluarën.

Në mbrëmje vonë, i ndikuar nga sjellja e Kurtit dhe duke e pasë parë si shumë shqiptarë po lejojnë ndjenjat negative dhe tribaliste t'ua mjegullojnë zemrat dhe mendjet, fillova të mih në arkivin e shkëmbimeve mes Kurtit dhe meje, që nis prej pak pas lirimit të rrebelit studentor nga kazamatet e Serbisë.

Ndërsa po lexoja dhe mundohesha të rrokja çmendurinë e turmave që janë mbarsur me urrejtje, trushpërlarje dhe paragjykime, sidomos nëse nuk pranon totalitarianizmin partiak apo nuk je me këtë apo atë lider apo parti, më përftoi në mendje të postoja diçka nga shkëmbimi e-mailor. Një fotografi kohe që do të ishte referencë e evoluimit dhe zhvillimit tim dhe Kurtit në rrugëtimin e vështirë demokratik të Kosovës në disa dekada.

Mirëpo çfarë me privatësinë, konfidencialitetin, të drejtën e autorit apo detyrimet legale?

Duke jetuar në vendin me ligjet më të forta në botë, SHBA, dhe duke qenë pjesëmarrës si formulues, palë apo analizues i qindra kontratave lidhur me këmbimet, për dekada, natyrisht që nuk ka asnjë problem legal apo juridik publikimi i shkëmbimeve për tema publike dhe kur nuk ka kontratë për mospublikim.

Po aspektet morale dhe etike?

E-mailat që zgjodha të publikoja nuk përmbajnë asnjë sekret, asnjë intimitet, asgjë personale dhe asnjë gjë që nuk është deklaruar publikisht me dhjetëra herë nga të dy anët, edhe unë edhe Albin Kurti.

Dilemë tjetër: por shumë shqiptarë mund të reagojnë sepse në popullin shqiptar ende ka ngurrim dhe njohje për lirinë e informacionit dhe publikimin?

Një arsye më shumë të sfidohet opinioni publik. Le të reagojnë njerëzit dhe në reagim të mësojmë më shumë për lirinë-- të gjithë.

Në fund të fundit, Kurti sa ishte Kryeministër kishte bërë publik një dokument konfidencial mes shtetit të Kosovës dhe NATO-s. Reaksioni ndaj të parit të qeverisë VV-LDK kishte qenë më e shumta i vakët. Askush se kishte thirrur Kurtin i pabesë e as i paburrë. Unë bile prisja me padurim që Kurti dhe qeveria e tij do të publikonin Kontratën me Bechtel-ENKA për Rrugën e Kombit, për çfarë ai dhe bashkëpartiakët e tij kishin çuar pluhur e kishin protestuar me vite dhe opinioni publik ende se ka parë. Tash në krye të shtetit, besoja që Albin Kurti do të publikonte edhe dokumentet që do të dëshmonin tradhëtinë e dikujt që ai e kishte pagëzuar si tradhëtar pa paraqitur dokumente dhe fakte.

Përpos këtyre arsyeve, Kurti sot është një njeri i rëndësishëm publik dhe sa më shumë që dihet për të dhe udhëtimin e tij politik, aq më mirë për opinionin publik, votuesit dhe krejt shqiptarët. Kurti dhe partia e tij tanimë janë të përzier në politikë direkte në tri shtete: Republikën e Kosovës, e Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Shqipërisë. Isha i vetëdijshëm para vendimit të qitja një pjesë të ndërrimit të e-mailve mes Kurtit dhe meje se shumë do të shanin, ulërinin, etiketonin dhe sulmonin. Të tillët do të ishin të padijshmit dhe të pakryerit demokratikisht. Një çmim që ja vlen të paguhet nga çdo qyetar, prandaj edhe nga unë. Le të vetëparaqitej turma. Unë do t'i shërbej interesit publik, pa çka nëse shahem?!

E-mailat që vendosa të publikoja ishin një mostër e mirë sepse trajtonin, përveç mendimeve tona politike më 2004, edhe vlerësimin e atëhershëm të Kurtit për mediet si ambiente komunikimi dhe si biznese. Përndryshe, sot dhe atëbotë, mediet janë pika më e dobët demokratike, kombëtare dhe profesionale e krejt popullit shqiptar. Le të shihnim si do të reagojnë mjetet e informimit dhe a do të lundrojnë në moçalin e senzacionalizmit apo do të merren me substancë dhe projeksion referencial kohor që reflektojnë e-mailat.

Qëndrimi im në shkëmbimin tonë është i hapur, demokratik dhe kërkon llogaridhënie. Pozitat e Kurtit janë më të forta sepse ai është në ring e unë jashtë. Unë kërkoj konkurrencë dhe debat. Ai konfirmon se media nuk e luan rolin e saj fer dhe korrekt. Sot, 16 vite më vonë, Kurti ka ndryshuar shumë më shumë se mediet dhe si politikan më me përvojë ai ka mësuar që mediat të shfrytëzohen. P. sh. ai dhe LVV nuk i kanë shkuar pronarit medial Berat Buzhala me vite në studio apo nuk kanë botuar në gazetën e tij, mirëpo para zgjedhjeve të fundit dhe sot herë shkojnë e herë nuk shkojnë atje.

VV dhe Kurti pas 16 vitesh janë pjesë e establishmentit dhe kjo ka avantazhe dhe disavantazhe për partinë e Kurtin, ama për demokracinë është vetëm mirë që mediat janë të hapura edhe për Albin Kurtin. Mrekullia e demokracisë ka ndodhur dhe Kurti e VV, si krejt liderët dhe partitë tjera, duhet të përqëndrohen në ofertat e tyre konkurruese për zgjidhje të problemeve dhe drejtim të mençur të politikës së jashtme. Dhe gjithësesi luftimin e dukurive negative si korrupsioni real dhe sistemik përfshirë mediat. E kaluara është e kaluar.

Më tutje, siç e dëshmojnë e-mailet unë e kam përkrahur formimin e VV-së, por nuk kam qenë e as tani nuk jam anëtar apo përkrahës i pakusht i VV-së. Në fakt sa më të fuqishëm që janë bërë Kurti dhe VV aq më me shumë frekuencë i kam kritikuar të dy dhe do të bëj punën time prej kontrolluesi, si çdo qyetar i përgjegjshëm, edhe në të ardhmen. Njëjtë jam sjellë dhe do të sillem edhe me çdo parti shqiptare. Askush që është jopartiak dhe asnjë anëtar i asnjë partie nuk duhet të vendosë asnjë parti mbi interesin shoqëror, shtetëror ose nacional shqiptar. E edhe më pak ndonjë lider mbi interesat jetike.

Në këto momente historike Kosova është e trazuar. Jemi në situatë kur analizimi dhe kthimi i kokës prapa nuk ndihmon sa mobilizimi dhe provimi të dalim sa më mirë nga kjo gjendje. Kriza është shumë më e madhe se më 2004, me dimensione apokaliptike shëndetësore, ekzisteciale shtetërore, katastrofale ekonomike dhe me tendenca të goditet arritja më e madhe e kombin shqiptar pas vitit 1912-- UÇK-ja. Albin Kurti dhe VV-ja, bashkë me të gjithë liderët dhe partitë në Kosovë, dhe krejt shqiptarët kudo jemi, duhet të lëmë anash meskinitetet dhe taktizimin. Ka ardhë dita të tregohet që kemi liderë dhe jo vetëm politikanë. Me krejt sinqeritetin e them që kjo pritet dhe duhet të vijë pikërisht nga Albin Kurti. Prandaj edhe e kam publikuar korrespondencën me Albin Kurtin sepse erdhi dita!

Dhe krejt në fund, kësaj, po deshët, kronologjie të çiltërt apo, po deshët, mea culpa, më duhet t' ja bashkangjis një e-mail nga Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Kurtit, njëri nga themeluesit e VV-së dhe një provokator në tesha intelektuali apo një intelektual në tesha provokatori, si të doni, që ma dërgoi dje. E-mail shpërfaq mendësinë e cila duhet të zhduket nga mendjet e shëndosha. Unë mund t'i përgjigjesha Shkëlzen Gashit me UDB, UDB, UDB, por nuk mund ta bëj këtë. Shikojeni dhe gjykojeni e-mailin e tij vetë. Le të jetë një shembull si nuk duhet të gabojë me diskualifikime të pabaza një intelektual, një ish-aktivist dhe një shqiptar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat