Bytyqi: Nëse vazhdon kjo qasje e qeverisë, sistemi shëndetësor mund të kolapsojë

Aktuale

Bytyqi: Nëse vazhdon kjo qasje e qeverisë, sistemi shëndetësor mund të kolapsojë

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 19:17
Gazmend Bytyqi

418 raste të reja me COVID-19 është rekordi që sot është shënuar në Kosovë, në vazhdën e trendit të rritjes të numrit të të infektuarve.

Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, ka thënë se aq sa është shqetësuese rritja e numrit të të infektuarve është edhe qasja e Qeverisë Hoti në menaxhimin e pandemisë.

Madje, ai ka thënë se nëse vazhdon një qasje e tillë, atëherë sistemi shëndetësor në Kosovë mund të kolapsojë.

“Është shqetësuese, përveç rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, edhe qasja apo neglizhenca e kësaj qeverisje në menaxhimin e kësaj pandemia. Duke marrë parasysh që Kosova ka sistem të brishtë shëndetësor dhe jo shumë stabil, kjo qeveri nuk është mjaftueshëm energjike për të marrë vendimet e duhura që qytetarët të jenë më të përgatitur dhe të zbatojnë sa më strikt masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ka një shkëputje të hallkave nga qeveria deri tek shtabet emergjente të komunave”.

“Nëse do të vazhdojë qasja e tillë e qeverisjes dhe gjithë mekanizmit institucional mund të ndodhë që të kolapsojë sistemi jonë shëndetësor dhe për pasojë të përballemi me probleme jashtëzakonisht të mëdha”.

Ai ka deklaruar se PDK-ja është parti opozitare që kontribuon dhe voton për të gjitha projektligjet që janë në të mirë të qytetarëve.

“PDK-ja nuk është një parti opozitare sikur shembujt e partive të tjera që kanë qenë në opozitë. Është parti opozitare konstruktive dhe aktive. PDK-ja nuk është vagon i asnjë partie dhe nuk përdor metoda të cilat i kanë përdorur Lëvizja Vetëvendosje ose partitë tjera ndaj PDK-së kur ishte në pozitë”.

“Ka raste që PDK-ja, përveç që ka amandamentuar rishikimin e buxhetit, edhe e ka votuar rishikimin e buxhetit. Edhe Ligji për Masat Anti-COVID, që tani po zbatohet, në masë dërmuese është produkt i PDK-së, sepse është amandamentuar dhe propozuar nga deputetët e PDK-së që kanë qenë në Komisionin për Shëndetësi”.

Por, a do ta votojë PDK-ja Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në lexim të dytë?

“Ne i kemi propozuar alternativat tona që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të jetë sa më përmbajtësor. Në këtë mënyrë siç është, ne nuk e shohim se do të jetë ligj që do ta bëjë vërtet rimëkëmbjen ekonomike”.

“Deri më tani nuk kemi hasur në mirëkuptim, dëshirë, apo tentim të pozitës për të dëgjuar dhe marrë këshillat, komentet dhe sugjerimet që ne, si PDK, ua kemi dhënë, pavarësisht se jemi në opozitë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat