E zbulon Sokol Dobruna: Ky komandant e dha urdhrin për vrasjen e Gani Gecit, unë e aprovova pas luftës

Aktuale

E zbulon Sokol Dobruna: Ky komandant e dha urdhrin për vrasjen e Gani Gecit, unë e aprovova pas luftës

Nga: P.R Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 17:24
Sokol Dobruna

Ditë më parë, ish kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje.

Për Dobrunën, Kurti tha se është njeri patriot dhe i ndershëm.

“Ish Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, sot na u bashkua në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Në vitin 1961 ishte student në Zagreb, mirëpo u detyrua t’i ndërprejë studimet atje e t’i përfundojë në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Baca Sokol është ish i burgosur politik dhe veprimtar i kahmotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës. Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyren e saj në Prishtinë. Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm”, ka shkruar Albin Kurti në foton e postuar në facebook, ku shihet bashkë me Sokol Dobrunën.

Por, patrioti dhe i ndershmi sipas Albin Kurit, në Kosovë njihet më shumë si njeriu që e kishte dënuar me pushkatim ish anëtarin e LDK-së, Blerim Kuçin, gjë të cilën e kishte treguar vet Dobruna.

“Paraprakisht dua të ju tregoj se në Gjykatën Ushtarake kemi pas Kodin Penale të Luftës, dhe Kodin e Ekzekutimeve penale. Unë personalisht e kam dënuar njeriun me pushkatim, Blerim Kuçin. Bile, unë e kam thirr prindin me pa për herë të fundit. Edhe baba edhe nëna kanë qenë”, ka thënë Dobruna kohë më parë.

Por, Dobruna kishte folur edhe për urdhrin për pushkatimin e Gani Gecit, ish deputet i LDK-së dhe ish ushtar i UÇK-së.

Dobruna kishte deklaruar se Azem Syla e kishte dhënë urdhrin për pushkatimin e Gecit, ndërsa pas lufte e kishte aprovuar vet ai.

“Vëllai i madh i të akuzuarit, se a mki diçka borgj. Unë se kuptova për çfarë borgji është fjala. A ma ke dënu vellaun me pushkatim, i thash jo. A ma ke qu tha njerin për me’m burgos. Thash unë jo, Azem Syla e ka qu si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe unë e kam aprovu pastaj pas luftës”, kishte thënë Sokol Dobruna, duke treguar për një ballafaqim që e kishte pas me vëllain e Gani Gecit, Halil Gecin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat