Bislimi: Nëse nuk zgjedhim presidentin brenda afatit, zgjedhjet e parakohshme do të ishin telashe

Aktuale

Bislimi: Nëse nuk zgjedhim presidentin brenda afatit, zgjedhjet e parakohshme do të ishin telashe

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 15:43
Faton Bislimi

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, posti i presidentit të Kosovës është temë diskutimi mes partive politike në vend.

Kryeministri Hoti ka theksuar se nevojitet konsensus me opozitën, kjo për faktin se nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e ri.

Të njëjtin qëndrim ka ndarë edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Në anën tjetër PDK-ja, është shprehur se nuk kanë një emër për atë që mund të jetë pasuesi i Thaçit.

Në një intervistë për Euronews Albania, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi u shpreh se të gjitha partitë politike janë të vetëdijshme për barrën që kanë mbi supe nëse i referohemi zgjedhjes së presidentit të ri.

Ai theksoi se javën e ardhshme do të kemi një tryezë ku do të diskutojnë të gjithë liderët politikë dhe të gjitha partive parlamentare që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

“Ata do të diskutojnë për dakordancën e nevojshme dhe do thoja të domozdoshme të skenës sonë politike për të gjetur një emër konsensual për të qenë president i Republikës së Kosovës sepse nëse ne e humbasim rastin që të zgjedhim presidentin në afatin 6-mujor që e kemi me Kushtetutë, ne do ta kemi të obliguar të shkojmë në zgjedhje,” – tha Bislimi.

Sipas tij zgjedhjet nuk janë një opsion i padëshiruar ama nëse i referohemi dhe krizës që po kalon aktualisht Kosova prej pandemisë, zgjedhjet do të krijonin më tepër telashe sesa do e rregullonin situatën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat