​Krerët e shtetit zotohen për gjithpërfshirje të personave me nevoja të veçanta

Aktuale

​Krerët e shtetit zotohen për gjithpërfshirje të personave me nevoja të veçanta

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 13:51
Dita Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta,

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani e shoqëruar nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj, kanë nënshkruar panon e zotimit për gjithëpërfshirje.

Në panon e zotimit për gjithpërfshirje nënshkrimin e tij e hodhi edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se Kosova ka bërë shumë pak për personat me nevoja të veçanta. Ajo kërkoi që fëmijët me nevoja të veçanta të kenë qasje në shkollë dhe në shërbimet shëndetësore.

Osmani tha se personat me nevoja të veçanta nuk duhet të shihen si barrë, por si potencial i jashtëzakonshëm për Kosovën.

Osmani: Kosova ka bërë shumë pak për personat me nevoja të veçanta

“Deri sot Kosova ka bërë shumë pak për të gjitha nevojat e veçanta dhe sot kemi një përqindje të madhe të fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund t’i marrin shërbimet shëndetësore për shkak të mungesës së qasjes dhe tani për shkak edhe të vështirësive në pandemi. Nuk mjafton të miratojmë ligjet dhe rezoluta e akte e vendime të tjera, por do të mjaftojë kur për të gjitha ato që zotohemi ta kthejmë në praktikë që rrugët tona të jenë të qasshme për personat që janë në karrocë, persona paraplegjik dhe tetraplegjik. Në mënyrë që shkollat tona, kabinetet e IT të jenë të qasshme për nxënësit e të gjitha moshave aftësive të kufizuar apo nevojave të veçanta, por mbi të gjitha ta luftojmë mentalitetin e izolimit të këtyre personave”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti u zotua për mbështetje nga Qeveria për personat me nevoja të veçanta. Kreu i ekzekutivit ofroi përkrahje të plotë për rezolutën e propozuar nga deputeti Fetah Rudi për adresimin e sfidave të personave me nevoja të veçanta.

Hoti: Të sigurojmë qasje të papenguar për personat me nevoja të veçanta

“Shoqëria e tregon humanizmin përmes kujdesit ndaj kategorive të veçanta. Jam i bindur që janë bërë sigurisht veprime konkrete gjatë këtyre viteve, por sigurisht e pranoj që nuk janë bërë mjaftueshëm besoj që kemi kompletuar bazën ligjore për këtë kategori të shoqërisë tonë. Sigurisht mbështetja buxhetore nuk ka qenë e mjaftueshme për ta zbatuar bazën ligjore e në veçanti veprimet konkrete që duhet t’i marrim edhe brenda institucioneve. Por edhe veprimet më elementare që duhet të jenë duke siguruar qasje të papenguar në të gjitha institucionet pa përjashtim në institucionet private dhe hapësirat publike për ata që kanë nevoja të veçanta”, tha Hoti.

Firmën e tij në panon e gjithëpërfshirjes e vendosi edhe ambasadori britanik Nicholas Abbott i cili tha se shteti i tij përkrah fëmijët me nevoja të veçanta përmes një projekti që synon qasje të barabartë në shërbime shëndetësore dhe arsimore.

Abbott: Britania e Madhe përmes UNICEF mbështet fëmijët me nevoja të veçanta

“Mbretëria e Bashkuar përmes UNICEF-it do të mbështesë fëmijët me nevoja të veçanta. Ne përkrahim me tablet-kompjuter dhe me angazhimin mësues- asistente. Kështu ne do të lehtësojmë procesin mësimor. Ne e dimë që ky grup mbetet ndër më të prekurit nga pandemia. Kjo mbështetje vjen në kuadër të projektit ku Mbretëria e Bashkuar ndihmon Kosovën në fushën e shëndetësisë dhe arsimit përmes ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Përmes këtij projekti ne synojmë që askush të mos mbetet prapa dhe të gjitha komunitetet të kenë mundësi të barabarta dhe qasje në shërbimet shëndetësore-arsimore pavarësisht COVID-19”, tha Abbott.

Ndërsa, Afrim Maliqi drejtor i HANDIKOS-it kërkoi që aftësia e kufizuar të shihet nga aspekti i të drejtave të njeriut e jo nga këndi i bamirësisë. Ai tha se fatkeqësisht këtë vit për personat me nevoja të veçanta nuk ka pasur ndonjë progres në shërbime.

Maliqi: Fatkeqësisht nuk mund të themi se këtë vit ka pasur ndonjë progres

“Fatkeqësisht, nuk mund të themi se këtë vit ka pasur ndonjë progres, pasi në gjithë këtë ka ndikuar edhe pandemia. Ne presim mbështetjen financiare nga institucionet për personat me aftësi të kufizuara, pasi shumë njerëz janë eliminuar nga këto skema dhe gjithashtu në pakon e dytë emergjente personat me aftësi të kufizuar nuk janë të përfshirë sikurse që kanë qenë në pakon e parë për ata që marrin nën shumën 100 euro”, tha Maliqi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, ku deputetët kërkuan nga Qeveria që të mos mohojë të drejtën e kësaj kategorie për punësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat