Deputeti i PDK-së: Ramushi, “bukë përmbystë”

Aktuale

Deputeti i PDK-së: Ramushi, “bukë përmbystë”

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 19:56
Ramush Haradinaj

Dikur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, brohoriste për ish- liderin e PDK-së, Kadri Veselin,

Por, tani ai PDK-në dhe drejtuesit e kësaj të fundit  po i quan hajna të “Prontos” .

Ramush Hardinaj, gjatë një debati televiziv të hënën në mbrëmje, tha se PDK-në e ka nxjerrë nga opozita dhe se është kritikuar shumë nga opinione se, siç ka thënë ai, është bërë bashkë me hajnat e “Prontos”.

Lidhur me këto deklarata të Haradinajt, ka folur deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli.

Ai tha se deklaratat e Haradinajt janë për keqardhje dhe në gjuhen popullore i bien “bukë përmbystë”.

“Po e kam dëgjuar dhe vërtetë ka qenë për të ardhur keq, sepse një ish- kryeministër, lider i partisë të bie në këto nivele është për të ardhur keq. Çdo kush që kishte ra në këto nivele, për shkak se në politikë duhet me pasë miq dhe jo me i humb ata. Mendoj që kjo në popullorçe i bie “bukë përmbystë”, se  nuk qëndron aspak ajo se çfarë tha ai”, tha Xhemajli.

Deputeti i PDK-së, tutje ka shtuar se Haradinaj e ka një problem të madh.

“Zoti Haradinaj e ka një problem të madh. Ambiciet i ka të mëdha, ndërsa takatin e ka të vogël. Kështu që kjo diskrepancë po e qetë në këto pozita, siç e ka qite edhe mbarmë. Gjithë ai mllef me njerëzit që ka bashkëpunuar, që ka çuar procese përpara tash për faktin se e ka kuptuar edhe ai që është mision i pamundur që të bëhet president”, ka potencuar Xhemajli.

I pyetur se a do ta votojnë Haradinajn për president, deputeti i PDK-së, Xhemajli edhe një herë konfirmoi qëndrimin e partisë se PDK-ja nuk e voton asnjë kandidat për president nëse nuk është i tyre.

“Po ne jemi deklaruar se e kemi kandidatin tonë dhe përderisa e kemi kandidatin tonë, jo Haradinajn, por asnjë tjetër nuk do ta votojmë”.

Xhemajli ka  shtuar se kurdo që vendosin për kandidatin për president do ta bëjnë publike, pasi që, siç tha ai, një gjë e tillë ende nuk është diskutuar në kryesi të partisë.

“Nuk jemi përcaktuar për kandidat, por që do ta kemi kandidatin është e sigurt. Kryesia e vendos në rastin më të volitshëm që mund ta shpallë dhe do të jetë publike”, tha ai.

Por në rast se partitë politike nuk  arrijnë  një konsensus për postin e presidentit, PDK-ja është e gatshme të shkojë edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme, tha deputeti Xhemajli.

“Ne jemi opozitë dhe sigurisht që jemi të gatshëm pa hezitim shkojmë në zgjedhje. Por unë po çuditem që Haradinaj e merr si njëfarë shantazhi që nëse ju nuk më boni president na shkojmë në zgjedhje. Po shkojmë në zgjedhje. Ai humbë, ndërsa ne nuk humbim. Ne jemi opozitë,  ai është pozitë. Unë nuk  di se kënd e shantazhon ai. Nëse e ka për ne, e ka shumë gabim, ditën kur do të bëhen nënshkrimet për me rrëzuar  Qeverinë ne do ta votojmë pro rrëzimit të saj”, u shpreh deputeti i PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat