Punëtorët denoncojnë në ATK pronarët, që nuk ua paguan Trustin

Aktuale

Punëtorët denoncojnë në ATK pronarët, që nuk ua paguan Trustin

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

Pas hyrjes në fuqi të Paketës për rimëkëmbje ekonomike, ku qytetarëve u mundësohet tërheqja e 10 % nga Fondi i Kursimeve Pensionale, Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë thirrje që punëtorët, të cilët nuk i kanë të paguara kontributet pensionale t’i denoncojnë punëdhënësit.

Kjo pasi që, sipas ATK-së brenda vitit 2020 një numër biznesesh, në të shumtën e rasteve kanë deklaruar kontributet pensionale, mirëpo kanë mbetur të papaguar. Por qytetarët duket se menjëherë kanë shprehur shqetësimin e tyre në këtë institucion, lidhur me mospagesat e Trustit, të parapara me ligj.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyçi-Sefa, për IndeksOnlinen, ka thënë se që nga e premtja kanë marrë 102 thirrje, të cilët kanë denoncuar raste të tilla. “Ndërsa, thirrje ta pranuara në Qendrën e thirrjeve deri dje ka qenë 102 sosh. Këto thirrje përfshijnë vetëm numrin e thirrjeve denoncuese nga të punësuarit për punëdhënësit për mospagesë të kontributeve pensionale dhe mosregjistrim në listë të pagave”, tha ajo.

Bytyçi – Sefa u shpreh se ankesa që punëdhënësi nuk i ka paguar kontributet pensionale ndaj punëtorëve morën edhe përmes email-it. “Numri i ankesave për mospagesë të kontributeve pensionale nga punëdhënësi deri tani përmes adresës elektronike është 29”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Bytyçi- Sefa tha se ndaj atyre që nuk kryejnë detyrimet tatimore dhe të kursimeve pensionale mund edhe t’iu konfiskohet pasuria.

“Ne mund t’ju konfirmojmë se në rastet kur kemi biznese, të cilat nuk kanë arritur të paguajnë në kohë detyrimet tatimore dhe të KP-së, ATK-ja zhvillon procedurat e njëjta ligjore për mbledhjen e borxhit sikurse për tatime edhe për KP-në, pra zhvillohen të gjitha procedurat e mbledhjes së detyrueshme deri në procedurën e konfiskimit të pasurisë.

Pra, ATK-ja zhvillon procedura të njëjta si për tatime dhe KP-ja dhe s’ ka dallime në ketë drejtim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat