Sokol Bashota i kundërpërgjigjet ashpër Fatmir Limajt: Dy gjëra i ka të sigurta Fatmiri...

Aktuale

Sokol Bashota i kundërpërgjigjet ashpër Fatmir Limajt: Dy gjëra i ka të sigurta Fatmiri...

Nga: P.R Më: 28 janar 2021 Në ora: 20:51
Sokol Bashota

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë thirrje që mos të votohet kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj. Madje Limaj ka hedhur akuza të rënda ndaj Hoxhajt.

“A e dini cili është dallimi im me Enverin. Ai kurgjo s’ka ndërtu, krejti i ka marrë të gatshme. Dallimi është se ky senet e mëdha i bënë të vogëla, e unë i nisi të vogla i bëj të mëdha. Enveri është mësu gjithë me i pas të gatshëm. E kemi pa edhe partinë e ka marrë të gatshme, kemi me pa ku e ka qu. Ku është shku i ka zvoglëu. Dallimi është se unë gjithmonë e kam nis duke ndërtu, zhvillu dhe kam rritë. Dallim tjetër është se ai kurrë një betejë në jetën e vet nuk ka zhvillu, as në jetën politike, ai nuk e dinë çka është se për ketë tjetrën s’po flas ju e dinë më mirë. Mos ia shihni për të madhe se nuk dinë, ai niset prej veti. Enveri veç në filmat e Rambos e ka pa çfarë është shpirti luftarak. Enveri nuk e dinë çka është përballja me jetën a vdekjen, atë e ka pa vetëm në televizion. Dallim i madh është. I dashur Enver dallimi ndërmjet meje e teje është se unë jam kanë në mesin e popullit e ju keni qenë vetëm në mesin e spektatorëve...unë kam një apel për gjithë bashkëluftëtarët anë e kënd Kosovës, familjet patriotike mos e votoni Enver Hoxhajn. Po tregoj pse, sepse në kohën kur unë së bashku me bashkëluftëtarët luftonin për çlirimin e Kosovës, Enver Hoxhaj deklaronte se do të kërkoj azil politik në Beograd nëse UÇK-ja fitonte luftën. Prandj ju ftojë të gjithë e të mos votojnë këtë njeri”, tha Limaj.

E kjo deklaratë e tij ka nxitur reagimin e Sokol Bashotës, ish kryetari të Komunës së Klinës dhe anëtar i PDK-së.

“Deklaratat e fundit të Fatmir Limajt kundër Partisë Demokratike të Kosovës janë të turpshme. Nuk mundesh me qenë edhe me çlirimtarët e UÇK-në, edhe me e sha PDK-në. Sepse, UÇK-ja është PDK-ja. Me këtë qasje, dy gjëra i ka të sigurta Fatmir Limaj: Do të mbetet edhe pa e kaluar pragun, edhe pa nder. Duke e sulmuar PDK-në, ai nuk do ta marrë kurrë asnjë votë të ushtarëve e patriotëve. Partia Demokratike e Kosovës, si partia e vetme e krijuar mbi vlerat e luftës dhe pasardhëse e UÇK-së, është duke marrë një mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga patriotët, atdhetarët dhe profesionistët, të cilët, përmes PDK-së, dëshirojnë ta mbrojnë luftën e drejtë të UÇK-së. Janë pikërisht ish ushtarët e UÇK-së, që sot më shumë se asnjëherë, janë mbledhur rreth PDK-së për ta realizuar rimëkëmbjen kombëtare”, ka shkruar Baxhota, përcjellë “Bota sot”.

“ADN-ja e PDK-së është UÇK-ja. UÇK-ja është e shtrirë kudo ku është e shtrirë PDK, prej Këshillit Drejtues, Kryesisë, Degëve e Nëndegëve, në tërë Kosovën, si patriotë e profesionistë, si vlerë qytetare dhe kombëtare. E sa për "respektin” e Fatmir Limajt për ushtarët e UÇK-së, e ka treguar më së miri pushteti i tij lokal në Malishevë, kur i diferencoi dhe i përjashtoi pjesëtarët e UÇK-së veç pse ata ishin në PDK. Prandaj, “kauza” e tij e sotme për gjoja mbrojtjen e vlerave të UÇK-së është vetëm farsë dhe mjet për t’u përpjekur ta shpëtojë fundin e tij politik. Asgjë tjetër”, përfundon reagimin e tij Sokol Bashota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat