Tahiri tregon se si do ta luftojë PDK krimin e organizuar në 100 ditët e para të qeverisjes

Aktuale

Tahiri tregon se si do ta luftojë PDK krimin e organizuar në 100 ditët e para të qeverisjes

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 19:28
Abelard Tahiri

Ish-ministri i Drejtësisë dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti do të ketë angazhim kryesor themelimin e një byroje kundër korrupsionit.

Sipas tij, Kosova s’ka më probleme me legjislacion për hetimin e krimeve ekonomike, por i duhen më shumë njerëz të specializuar në këtë fushë.

“Ajo që është e rëndësishme është se do të vazhdojmë me zbatimin e rishikimit funksional të sistemit të sundimit të ligjit. Duhet të themelojmë byronë kundër korrupsionit. Kam pas mbështetje kur kam qenë ministër edhe nga Bashkimi Evropian, Amerika e Britania”, ka thënë ai 

Tahiri ka thënë se “Kosova s’e ka problem bazën ligjore për konfiskim të pasurisë”.

“Kemi mungesë të njerëzve të specializuar me hetim të krimeve financiare. Pasuria është shumë jashtë vendit. Duhet të hetohen krimet financiare, kur shumë biznesmenë mund të jenë ortakë me politikanë në vend… duhet të investojmë më shumë në këtë byro, në specializimin e njerëzve që të hetojnë krimet financiare. Më s’kemi punë me legjislacion, kemi bazë ligjore të jashtëzakonshme. Angazhimin do ta kem pikërisht këtu që të themelojmë institucion me njerëz të specializuar për të hetuar këtë krim”, është shprehur ai.

Tahiri e ka quajtur gabim të jashtëzakonshëm shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës.

“Me Byronë Kombëtare të Hetimeve, të korruptuarit do ta kuptojnë se shpëtimi nga përgjegjësia dhe llogaridhënia është iluzion që do t’i zhgënjejë plotësisht. Ne kemi dëgjuar të flitet se shumë politikanë e zyrtarë të lartë të institucioneve, përfitimin nga aktiviteti korruptiv që e zhvillojnë në Kosovë, përpiqen ta legjitimojnë në vende të tjera përmes shpëlarjes së parasë dhe blerjes së patundshmërive e pasurive të ndryshme jashtë vendit. Byroja Kombëtare e Hetimit, do ua presë këtë rrugë duke ua gjurmuar e konfiskuar pasurinë që e kanë fshehur në parajsat e krimit. Krahas kësaj Byroje, ne do t’i mbështesim edhe mekanizmat tjerë në luftë kundër korrupsionit. Brenda 100 ditëve të para, do të nisim shtimin e numrit të prokurorëve veçmas në departamentin kundër korrupsionit dhe atë për hetimin e krimeve të luftës. Luftën që kemi nisur me rritjen e dënimeve për korrupsion e krim, do ta vazhdojmë me pezullimin automatik të çdo zyrtari të dyshuar për korrupsion e abuzim me detyrën zyrtare. Kështu bëhet dallimi në mes të atyre që flasin për ndryshim dhe atyre që e bëjnë ndryshimin konkret”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat