​Kontigjenti i radhës me mjekë niset të shtunën për vaksinim në Kukës

Aktuale

​Kontigjenti i radhës me mjekë niset të shtunën për vaksinim në Kukës

Më: 23 mars 2021 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Këtë të shtunë pritet që të përfundojë vaksinimi i 500 profesionistëve shëndetësor të Kosovës në Kukës.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, i cili ka thënë se çdo gjë ka shkuar shumë mirë dhe sipas planifikimeve.

Syla tha po ashtu se të shtunën do t’i dorëzojë ministrit të ri të Shëndetësisë, Arben Vitija dokumentet me të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me punën e bërë gjatë këtij procesi nga kjo federatë.

“Të shtunën do të organizojmë kontingjentin e radhës për vaksinimin e profesionistëve shëndetësor në Kukës. Plani është që të nisemi diku rreth orës 8, ndërsa procesi i vaksinimit pritet të fillojë rreth orës 10-11”, tha ai.

Ai ka thënë se nga ministri Vitija presin që të merret me këtë çështje në mënyrë që të sigurojë vaksina edhe për profesionstët e tjerë shëndetësor, në të kundërtën thotë se do të vazhdojnë lobimin si federatë.

“Po këtë ditë do t’i dorëzojmë ministrit Vitija një përmbledhje të punëve që i kemi bërë deri më tash. Besoj se me një angazhim të ministrit do të mund të sigurohen vaksinat edhe për të tjerët, pasi kërkesat janë të mëdha por, mundësitë të limituara. Përndryshe, nëse nuk do të ndodhë kështu, unë nuk do të ndalem dhe do të vazhdoj lobimin”, ka thënë ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pati ofruar 500 vaksina për profesionistët shëndetësor nga Kosova, të cilët qëndrojnë në front të luftës me coronavirusin, numër ky që pritet të plotësohet ditën e shtunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat