Zyrtari i VV-së: Në pritje të cakut të radhës!

Aktuale

Zyrtari i VV-së: Në pritje të cakut të radhës!

Më: 23 prill 2021 Në ora: 23:58
Lëvizja Vetëvendosje

Zyrtari i VV-së, njëherësh edhe përfaqësues i saj në KQZ, Sami Kureshi, ka reaguar pas kritikave të njëpasnjëshme që po merr Qeveria Kurti gjatë këtyre ditëve.

Kurteshi, përmes një shkrimi në Facebook, duke folur për pushtetarët e mëparshëm, thotë se humbja e pushtetit është humbje e madhe për ata që pushtetin e kanë mbajtur e menduar si të përjetshëm.

Shkrimi i plotë:

Sulmi i radhës! Kush është caku?

Humbja e pushtetit është humbje e madhe për ata që pushtetin e kanë mbajtur e menduar si të përjetshëm.

Jo humbja e pushtetit si koncept gjuhësor vetvetiu, por humbja e pushtetit si përfitim material, si monopol mbi pronën publike, si privilegj material, si e mirë e huaj e fituar pa mund dhe e keqpërdorur pa asnjë dhembje. Kjo është dhembja e vërtetë.

Humbësit e mëdhenj e të vegjël, si xhandarët me daullxhinjtë e tyre, e kanë pranuar por nuk mund ta kapërdijnë. Thjeshtë u ka mbetur në fyt. Prandaj, me zë të çjerrë zhurmojnë gënjeshtra, shpifje, fyerje, kërcënime në emër të demokracisë së nëpërkëmbur, shprehjes së lirë që e kanë shpërfytyruar deri në krim, shtetit të degraduar në dhunë mafioze.

Kur nuk mund t‘i bëjnë gjë Albinit, i gjuhen Glaukut, e kur nuk i honeps ai, fyejnë Vjosën. Nuk përfundon këtu kjo.

Pastaj rifillojnë korin göbelsian me Liburnin, që ua nxori nga goja milionat e shtërnguar me dhëmbë, për të vazhduar lehjen në hënë kundër Arbenit, e duke kaluar te Donika. Albulenën nuk do ta linin në asnjë mënyrë pa e sulmuar.

Tani kush është në radhë të makinës përbaltëse? Të shohim kush nga ministre/at i prekë më shumë në palcën e tyre mafioze? Xhelali, Rozeta, apo ...

Strategji e lodhët e shumë e tejdukshme! Qartë, bashkë me telallët e tyre, ende i kanë strajcat gati plot apo gjysmë të mbushura. Nuk heshtin ende!

Kanë filluar disa nga ta, ende pak, t‘i shohin strajcat gjysmë të mbushura si gjysmë të zbrazura! Kur të bëhen shumë, tek atëherë do të shohim e dëgjojmë atë që nuk na e merr as mendja, madje as në ëndërr.

Kur të fillojnë të flasin për krimet e njëri-tjetrit, edhe publikisht ashtu sic po flasin fshehurazi tani, sepse ata i dijnë e njohin ato e njëri-tjetrin, vetëm atëherë do t‘i njohë populli në dritën e vërtetë krimet e tyre monstruoze kundër vendit, institucioneve, pasurisë publike, e sidomos kundër njerëzve të këtij vendi!

Nuk thoshte rastësisht Abdullahu i kotë: „Ende nuk keni parë asgjë!“

Në pritje të cakut të radhës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat