Pas rastit të ngacmimit seksual në ambientet e shkollës, reagon Këshilli i Prindërve të Kosovës

Aktuale

Pas rastit të ngacmimit seksual në ambientet e shkollës, reagon Këshilli i Prindërve të Kosovës

Më: 17 maj 2021 Në ora: 10:01
Këshilli i Prindërve të Kosovës

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar ashpër pas rastit të ngacmimit seksual që është kryer ndaj një vajze të mitur (6-vjeçare) në ambientet e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Ky Këshill ka kërkuar nga organet kompetente që të shtojnë angazhimin dhe të kryejnë detyrat e tyre në krijimin e ambienteve më të sigurta në shkolla.

“Këshilli i Prindërve të Kosovës reagon ashpër rreth mungesës së sigurisë së nxënësve nëpër shkolla, e cila rezulton si pasojë e menaxhimit të dobët të shkollave nga drejtorët si dhe nga pamjaftueshmëria e mbikëqyrjes efikase të drejtuesve të shkollave nga Drejtorit Komunale të Arsimit. Këshilli i Prindërve të Kosovës është tejet i shqetësuar për rastin e ngacmimit seksual të nxënëses së klasës së parë në shkollën ‘Faik Konica’ në Prishtinë dhe njëherësh kërkon nga prindërit që të rrisin angazhimin me fëmijët e tyre në aspektin edukativ si dhe fton organet kompetente që nga shkolla, DKA-të, inspektorati i arsimit, MASHTI etj., që të shtojnë angazhimin në kryerjen e plotë të detyrave të tyre në krijimin e ambienteve të sigurta nëpër shkolla”, thuhet në reagim.

Sipas këtij Këshilli, deklarata e drejtoreshës së shkollës “Faik Konica” se “shkolla nuk është përgjegjëse për rastin që ka ndodhur në vikend”, është e papërgjegjshme dhe mungesë totale e njohjes së kompetencave të saj.

“KPK-ë kërkon që rasti të trajtohet deri në fund dhe me kujdes, pa lënduar personalitetin e nxënësve të përfshirë për shkak të moshës së tyre dhe apelon te gjithë arteret kyç që të bashkëpunojnë në parandalimin e rasteve tjera”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Për këtë rast kanë reaguar edhe institucionet e vendit. Ishte kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai i cili dha detaje rreth rastit, duke potencuar se viktima ishte një vajzë 6-vjeçare dhe se ishte nxënëse shkolle, siç u raportua fillimisht.

“Lajmi është publikuar me 15 maj por ka ndodh me 24 prill. Ka qenë e shtune dhe jashtë hapësirave të shkollës. Vajza e mitur është e moshës nën 6 vjeçe dhe nuk është në shkollë ende. Vetëm njëri prej personave të paraqitur është në shkollë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ndërkaq i ka dalë në mbrojtje shkollës “Faik Konica” dhe drejtoreshës së saj, duke thënë se rastin e ka trajtuar me seriozitetin e njëjtë.

“Janë lajmëruar prindërit, Këshilli drejtues i shkollës, Këshilli i Prindërve, Qendra për Punë Sociale dhe Policia e Komunitetit. Fëmijës i është ofruar ndihma psikologjike! Po ashtu edhe nxënësi i shkollës i cili për momentin nuk vijon mësimin punon me prindërit dhe psikologet. Videoja është dërguar anonimisht! Për shkak të privatësisë nuk do të deklarohemi më shumë për rastin. Çështja është më shumë për Policinë dhe Qendrën për Punë Sociale. Kërkese e jona është që të ruhet privatësia sa më shumë, sepse personat e involvuar janë fëmijë dhe kanë nevojë për ndihmë psikologjike”, u shpreh Ahmeti.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, reagoi mbrëmë vonë për këtë rast, duke thënë se është koha të edukohen djemtë e të trajtojnë motrat e shoqet e klasës së tyre si të barabarta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat