Krasniqi flet për ekspozitën: Mjekët serbë kishin ushtruar dhunë ndaj pacientëve shqiptarë

Aktuale

Krasniqi flet për ekspozitën: Mjekët serbë kishin ushtruar dhunë ndaj pacientëve shqiptarë

Më: 20 maj 2021 Në ora: 00:19
Salih Krasniqi

Mjeku Salih Krasniqi, ka folur për ekspozitën që është hapur të mërkurën në lidhje me trajtimin e mjekëve serbë që kanë bërë ndaj kosovarëve, gjatë viteve të ’90-ta.

Ai në Edicionin Special ka deklaruar se kjo ekspozitë përmban gjashtë kapituj që brenda saj janë të përfshirë doktorë kosovarë të cilët kanë ndërruar jetë gjatë asaj periudhe si dhe pacientë që janë keqtrajtuar nga serbët.

“Janë gjashtë kapituj me 250 eksponate, kapitulli i parë flet për personelin shëndetësor që janë vrarë gjatë luftës, ku janë 45 persona në mesin e tyre ka infermierë, ndihmësifermierë dhe studentë të mjekësisë. Në kapitullin e dytë bëjnë pjesë pacientë, ku 65 janë fëmijët deri në moshën 18 vjeç dhe të rriturit nga 18 deri në 88 vjet. Ndërsa e kemi kapitullin e tretë, ku hyjnë pacientët që në rubrikën e profesionit të tyre iu shkruante terroristë, në mesin e tyre ka edhe 17 vjeçar”.

Krasniqi i cili njëherësh është edhe autor i ekspozitës ka thënë se ndaj pacientëve kosovarë që ishin të shtrirë në spitale ushtrohej dhunë nga mjekët dhe me raste edhe nga civilët serbë.

“Në spital ndaj pacientëve kishte tretman të posaçëm që përdorej dhunë ndaj tyre, ishin të lidhur për radiatorë dhe shtretër. Ka të dhëna se pacientët janë rrahuar nga personeli shëndetësor serb, nga policia si dhe gardianët tjerë. Po ashtu dhe pacientët tjerë i kanë rrahur pacientët shqiptarë, ata nuk e kanë ditur se nga kush janë rrahur. Në gjashtë spitale kishte dhunë të tillë, Mitrovica, Peja, Gjilani, Ferizaj, Prizren dhe Gjakova. Të dhënat i kam marrë kryesisht nga spitali i Prishtinës, në këtë ekspozitë janë vetëm 365 pacientë. Në librin që e kam bërë gati janë 1,239 pacientë, ku kam shkruar për ata, pritet shumë shpejt të dalë në dritë ky libër”, ka thënë Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat