Bashota: Ky bord ka trashëguar shumë probleme, RTK të ketë një ligj që është i mirë për të gjithë

Aktuale

Bashota: Ky bord ka trashëguar shumë probleme, RTK të ketë një ligj që është i mirë për të gjithë

Më: 25 maj 2021 Në ora: 11:55
Sali Bashota

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal po shqyrton raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2020.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota tha se prioritet i bordit aktual është që ky medium publik të jetë për qytetarët dhe të ketë besimin e plotë të tyre. Sipas tij, raporti është dorëzuar në afatin ligjor.

"Ky bord ka trashëguar shumë probleme të mediumit. Qëndrueshmëria financiare, problemi i pronës, ka shumë probleme të cilat janë paraqitur me vite të tëra. RTK të ketë një ligj që është i mirë për te gjithë", ka thënë ai.

Deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku ka ngritur çështjen e etikës, duke përmendur deklaratën e drejtorit të RTK-së, Mentor Shala i cili në kohën kur kishte dalë fituese Vetëvendsoje kishte shkruar "Ka fituar Rusia".

Për çka Bashota tha se kjo është çështje personale e individit dhe se nuk e ka parë deklaratën për të cilën u citua.

"Është çështje personale e individit. As nuk e kam parë këtë deklaratë. Nuk më ka interesuar[...]Mundem me shqyrtu në bord. Është jashtë teme, nuk është në raport. Nuk merrem me këtë punë unë. Nesër nëse na kërkohet e shqyrtojmë", ka thënë Bashota.

Për këtë ka reaguar edhe kryetarja e komisionit, Daorsa Kica e cila tha se bordi nuk duhet të qëndrojë neutral para deklarimeve të tilla.

Anëtari i pozitës, Besim Muzaqi ka qenë i interesuar për zgjerimin e rrjetit në krejt Kosovën dhe shtimin e kapaciteteve. Sipas tij, ka pak emisione kulturore dhe edukative.

Me këtë rast drejtori i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati tha se janë duke punuar në drejtim të përmirësimit dhe shtrirjes së rrjetit.

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se transmetuesi publik nuk ka objekt dhe që vazhdon të ketë problem financimin.

Ai ka pasur kritika sa i përket raportit, meqë siç tha ai, nuk janë të përfshira në raport.

Ndërsa, anëtari i opozitës, Agim Veliu ka theksuar se në bazë të raportit, ani pse është lajmëruar debati publik, qytetarët nuk kanë marrë pjesë.

"Në debat publik nuk kanë marrë pjesë. Edhe pse nuk ka pasur të interesuar. A kanë hulumtuar bordi dhe menaxhmenti se cilat janë arsyet që qytetarët nuk marrin pjesë në debatin për raportin e RTK-së", ka pyetur Veliu.

Në lidhje me këtë, Bashota ka shtuar se për çështjen e deklarimit të Mentor Shalës, ka reaguar edhe drejtori Ngadhënjim Kastrati, i cili pati përballje me anëtarët e LVV-së. Kryetarja Daorsa Kica ka kërkuar nga Kastrati që ta ulë zërin, sepse në të kundërtën duhet ta lëshojë mbledhjen.

"E ka largu postimin, nuk e ka në facebook", ka thënë Kastrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat