Kur paralajmërohet vazhdimit i dialogut, kërkohet që Kosova të mos heq dorë nga kërkesa për njohje dhe anëtarësim

Aktuale

Kur paralajmërohet vazhdimit i dialogut, kërkohet që Kosova të mos heq dorë nga kërkesa për njohje dhe anëtarësim

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 20:25
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, dhe Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit amerikan, Mathew Palmer janë për vizitë disa ditore në Kosovës. Lajçak dhe Palmer kanë filluar të hënën takimet me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë. Njohësit e çështjeve politike dhe veçanërisht njohësit e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për Demorkacia.com thonë se ky momentum duhet të shfrytëzohet për të siguarar njohjen nga Serbia dhe ulësen në Kombet e Bashkuara.

Emir Abrashi nga Democracy Plus, tha se vizita e Lajçak dhe Palmer ka për qëllim konsultimet me përfaqësuesit institucional të Kosovës dhe dërgimin e mesazheve për procesin e dialogut.

“Vizita e Përfaqësuesit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor/Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Palmer dhe Emisarit të Posaçëm të BE-së për Dialogun Lajçak, vjen në një periudhë kur Kosova po përgatitet për rikthim në procesin e dialogut. Kjo vizitë ka për qëllim konsultimet me përfaqësuesit institucional të Kosovës si dhe përçimin e mesazheve tek liderët e Kosovës dhe Serbisë për seriozitetin me të cilin SHBA-të dhe BE-ja i çasen procesit të dialogut”, tha Abrashi.

Ai më tutje tha se kjo vizitë e Palmer dhe Lajçak do të jetë më përmbajtjesore, sidomos pas përfundimit të konsultave të kryeministrit Kurti me liderët e opozitës.

“Kërkesë e Haradinajt dhe Abdixhikut ishte edhe përfshirja e SHBA-së në procesin e dialogut, andaj ky është edhe një mesazh që i dërgohet të dyja palëve dialoguese, se nën Administratën Biden, SHBA-të dhe BE-ja janë në sinkron sa i përket temës së dialogut Kosovë-Serbi, dhe në të njëjtën kohë, të dyja këto presin seriozitet në këtë proces por edhe epilog të këtij procesi, i cili po zgjat tash e dhjetë vite”, tha Abrashi për Demorkacia.com.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se vizita e Palmer dhe Lajçak në Kosovë natyrisht që në fokus ka çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Fakti që kjo është një vizitë e përbashkët e tyre synon të përçojë mesazhin se SHBA-të mbështesin rolin dhe përpjekjet e BE-së si lehtësuese e dialogut, në arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Pritet që porositë e z. Palmer dhe z. Lajçak për udhëheqësit do të jenë që dialogu duhet të vazhdojë, njëherë edhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë”, tha Haxholli.

Ndërsa Arben Fetoshi, tha se vizita e Mirsolav Lajçak dhe Matthew Palmer në Kosovë është vizitë e cila po realizohet para rifillimit të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

“Vizita e përbashkët e z. Palmer dhe z. Lajçak është mesazh i përafrimit dhe koordinimit amerikano-europian sa i përket çështjes së dialogut, që reflekton gjithashtu rëndësinë e jashtëzakonshme që ka përmbyllja e procesit me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Vizita e tyre realizohet disa ditë para rikthimit të dialogut me takimin e paralajmëruar të kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë nga mesi i qershorit, prandaj ka edhe rëndësi qartësuese e përgatitore për qeverinë e re”, tha Fetoshi.

Fetoshi thotë se për zyrtarët ndërkombëtarë ka rëndësi të posaçme edhe unifikimi i spektrit politik të Kosovës, sipas tij, marrë parasysh qëllimin për arritjen e marrëveshjes finale.

“Pra, meqenëse nuk mund të ketë më dialog që prodhon marrëveshje të veçanta që nuk zbatohen, tani na duhet rikthim në dialog për ta përfunduar dialogun. Një qasje e tillë është sa pragmatike po aq edhe sfiduese, prandaj angazhimi i SHBA-ve është siguresë apo garanci për epilogun”, tha ai.

Ndërsa sa i përket paralajmërimeve për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që nuk parasheh njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, Abrashi thotë se i gjithë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë këtyre dhjetë vite, është zhvilluar duke pasur parasysh normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, dhe sipas tij, synimi i palës nga Kosova gjatë gjithë këtij procesi ka qenë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara.

“Një paralajmërim i tillë do të duhej të ishte i papranueshëm për palën e Kosoves, dhe ne do të duhej të bënim çmos për të mos lejuar përmbylljen e këtij procesi pa siguruar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet pas nënshkrimit të një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që i normalizon marrëdhëniet mes të dyja vendeve, siguron njohjen e ndërsjellë, si dhe Kosovës i siguron ulësen në OKB”, tha Abrashi.

“Ne duhet që ta shfrytëzojmë faktin që në Shtëpinë e Bardhë kemi një President i cili e njeh realitetin historik në Kosovë, dhe i cili edhe në letrat drejtuar krerëve edhe të Serbisë edhe të Kosovës e ka bërë të qartë se pret njohjen e ndërsjellë mes të dyja vendeve, andaj edhe ne nuk duhet të pranojmë diçka më pak se kjo”, tha më tej ai.

Ndërsa Haxholli tha se sa i përket marrëveshjes finale, është herët te thuhet se çfarë do të përmbajë ajo marrëveshje dhe se a do të pranojë Serbia ta njoh Kosovën.

“Përmbajtja e marrëveshjes finale varet nga gatishmëria e palëve Kosovës dhe Serbisë për të lëvizur drejt një zgjidhje finale që normalizon marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Haxholli.

Liberalizimi i vizave dhe njohja nga 5 shtetet e BE-së

Violeta Haxholli nga KDI, ka thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet sa i përket liberalizmit të vizave.

“Çështja e liberalizimit të vizave tash e shumë kohë ka mbetur në vullnetin e disa shteteve anëtarë të BE-së të cilat për çështje të politikës së tyre të brendshme nuk janë pajtuar që Kosovës t’i mundësohet liberalizmi. Edhe çështja e njohjes nga 5 vendet varet nga vullneti i tyre dhe për arsye vetanake këto shtete ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova nuk duhet dhe nuk ka nevoje të bëjë koncesione në këtë drejtim pasi tashmë ka plotësuar kriteret që lidhen me liberalizimin e vizave”, tha Haxholli.

Po ashtu edhe sipas Emir Abrashit nga Democracy Plus, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, dhe atë dyfish më shumë se sa të gjitha vendet e rajonit.

“Fatkeqësisht, qytetarët e Republikës së Kosovës akoma nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza në zonën Schengen – duke ngelur kështu të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë një të drejtë të tillë. Është detyrë, por edhe obligim moral, i institucioneve të Bashkimit Evropian që të sigurojnë unitetin e brendshëm për t’ia garantuar lirinë e lëvizjes – aq më tepër kur kemi edhe rekomandim të Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, por kemi edhe mbështetjen e plotë në Parlamentin Evropian për këtë çështje”, tha Abrashi.

Sipas Abrashit liberalizimi i vizave do të duhej të ndodhte pavarësisht procesit të dialogut, dhe sipas tij për këtë çështje Kosova vetëm duhet të loboj tek shtetet anëtare për të siguruar mbështetje për ta dërguar në votim këtë çështje në Këshillin e Ministrave të BE-së.

“Kosova ka bërë mjaftueshëm koncesione për liberalizimin e vizave, e tash i mbetet BE-së për të përmbushur premtimet e veta. Njohja nga 5-shja e BE-së është tejet e rëndësishme, por kjo njohje nuk do të nënkuptonte fundin e problemeve të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës – Kosova prapë do të duhej të ballafaqohej me presionin rus në Këshill të Sigurimit për mbajtjen në fuqi të Rezolutës 1244, prezencën e UNMIK-ut në Kosovë etj.”, tha ai.

Ai më tutje thotë se BE-ja është e vonuar në ofrimin e liberalizimit të vizave, dhe në këtë aspekt nuk e ka mbajtur pjesën e saj të përgjegjësisë në këtë proces.

“Prandaj, liberalizimi i vizave do të duhej të ishte proces i ndarë nga dialogu. Ajo çka do të duhej t’i ofrohej Kosovës me mbarimin e procesit të dialogut është hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e jo liberalizimi i vizave – pasi që për liberalizimin e vizave Kosova i ka kryer detyrat e saj të shtëpisë!”, tha Abrashi.

Në anën tjetër, njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, sipas Abrashit do të ishte proces i natyrshëm pas përmbylljes së procesit të dialogut dhe pas njohjes së pavarësisë nga ana e Serbisë.

“Fokusi ynë duhet të jetë njohja e Serbisë dhe anëtarësimi në OKB në përfundim të dialogut, pasi që pa këto të dyja Kosova prapë nuk do të kishte garanci që shtete si Spanja do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Pra, në secilin skenar, Kosova do të duhej të punonte ngushtësisht me aleatët e saj brenda BE-së, por edhe në SHBA, për tu siguruar që marrëveshja përfundimtare me Serbinë nënkupton njohje të ndërsjellë, anëtarësim në OKB, hapje të negociatave për anëtarësim në BE. Liberalizimi i vizave do të duhej të ndodhte pavarësisht procesit të dialogut, marrë parasysh faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, tha Abrashi.

Ndërsa njohësi i çështje politike, Arben Fetoshi thotë se gjithçka që ka qarkulluar kohëve të fundit si zgjidhje apo kompromis, sipas tij është shfaqje e sponsorizuar me qëllim të testimit të palëve dhe përgatitjes së një propozimi sa më të pranueshëm.

“Sfida kryesore për Kosovën mendoj se do të jetë çështja e asociacionit, për shkak se Beogradi insiston të ketë kompetenca ekzekutive e që në fakt do ta rrënonin rendin kushtetues e karakterin unitar të shtetit. Ky pretendim serb është thjesht hile që ka për qëllim aneksimin e mëvonshëm të veriut. Prandaj, cilado zgjidhje që nuk e garanton dhe afirmon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, që nuk e zhbllokon njohjen nga pesë shtetet anëtare të BE-së, si dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, nuk do të jetë zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate”, tha Fetoshi.

Ai tha po ashtu se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Për shkak të mungesës së unitetit dhe politizimit të çështjes së vizave, Kosova me të drejtë nuk ndjehet e sigurt me Brukselin. Por nëse i referohemi qëndrimit amerikan të konfirmuar tashmë edhe nga Presidenti Biden, epilogu i këtij procesi duhet të sjellë njohjen reciproke, ose të paktën njohjen “de facto” dhe zhbllokimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, tha Fetoshi.

Mathew Palmer gjatë së hënës është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhajn, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe me kryetarin e Listes Serbe, Goran Rakiq, me të cilët kanë biseduar për dialogun Kosovë-Serbi. Ndërsa gjatë së martës Palmer është takuar edhe me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ndërsa të hënën pasdite, Mathew Palmer së bashku me Mirsolav Lajçak, kanë takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani.

Po ashtu edhe Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai: në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatueshmërisë së tyre.

Në një konferencë për medie, të martën, Lajçak tha se “qëllimi parësor i kësaj vizite është që të përgatitet takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel”. Ndërsa Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer është shprehur direkt se dialogu mes dy shteteve duhet të përfundojë me njohje reciproke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat