E konfirmon ministri Murati: Me 21 korrik fillon emetimi i boneve të diasporës

Aktuale

E konfirmon ministri Murati: Me 21 korrik fillon emetimi i boneve të diasporës

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 14:43
Hekuran Murati

E plotësuar (15:31) - Në fund të këtij muaji do të fillojë emetimi i boneve të diasporës nga Ministria e Financave. Shuma totale e letrave me vlerë do të jetë 20 milionë euro, ndërsa të njëjtat do të jenë tri apo pesë-vjeçare. Për emetimin e bonos për diasporën janë të licencuara gjashtë banka komerciale dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Shuma minimale për blerje është 10 mijë euro, ndërsa maksimale për një person është 500 mijë euro.

Kështu ka bërë të ditur, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se paraditen e sotme janë takuar me bankat komerciale dhe BQK-në ku kanë nënshkruar marrëveshje për emetimin e këtyre letrave me vlerë të dedikuara për diasporën.

Murati: Shuma totale që është paraparë është 20 milionë euro

“Fjala është për dy instrumente me dy maturitete, pra bono tre-vjeçare dhe bono pesë- vjeçare. Emetimi ose periudha e shitjes do të jetë prej datës 21 korrik e hapur deri më 18 gusht. Kurse shitja përfundimtare apo emetimi do të bëhet me 20 gusht. Shuma totale që është paraparë është 20 milionë euro. Por, sipas rregullores mund të rritet deri më 50 përqind nëse e shohim që ka kërkesë shtesë. Bankat komerciale me të cilat do të kemi bashkëpunimin për emetimin e kësaj bonoje, janë bankat e licencuara si akterë primarë dhe nënshkrues si vijon: Raiffaisen Bank, Procredit Bank, NLB Banka, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes. Pra, janë gjithsej gjashtë banka që do të marrin pjesë në shitjen e këtij produkti”, ka deklaruar Murati.

Tutje, Murati ka theksuar se bonot e diasporës janë investim që garantohen nga Republika e Kosovës, kurse fitimi që gjenerohet është i liruar nga tatimi.

Murati: Shuma minimale për blerje është 10 mijë euro, kurse maksimale 500 mijë euro

“Këto bono janë të tregtueshme, janë likuide nëse investitori dëshiron ta shes para afatit. Në marrëveshjen e bashkëpunimit që kemi nënshkruar sot po ashtu parashihet edhe blerja nga akterët primarë, bankat komerciale apo BQK. Kuponi apo kamata, interesi që paguhet nga këto letra me vlerë paguhet çdo gjashtë muaj në periudha dy herë brenda vitit. Kuponi i parë do të paguhet me 20 shkurt të vitit 2022, kurse kuponët pasues çdo datë 20 shkurt. Shuma minimale për blerje është 10 mijë euro, në shumëfishat e 10 mijë, mund të rritet 10 mijë, 20 mijë, 30 mijë e tutje. Kurse shuma maksimale për një person për një bankë është 500 mijë euro. Kjo është bërë për arsye që të mundësohet një shtrirje më e gjerë dhe të mos kemi raste kur një person mund të blejë një shumë të konsiderueshme”, theksoi ai.

Murati ka bërë të ditur që interesi që do të paguhet për këto letra me vlerë për afatizimin tre vjeçar është 1,20 për qind në vit, ndërsa 2,20 për qind në vit për pesë vjet.

Murati: Ky është një instrument që mobilizon kapitalin e diasporës

“Është më e leverdishme për arsye se në Evropë kryesisht të gjitha vendet evropiane të BE-së, normat aktualisht janë negative. Kurse në Kosovë megjithëse jemi në valutën euro, normat janë pozitive dhe ka një leverdi. Por, përtej leverdisë kjo është parë si një instrument që mobilizon kapitalin e diasporës që të investohet në projekte zhvillimore, e jo të funksionojë si konsum për thellimin e deficitit tregtar”, është shprehur Murati.

Bonot për diasporën janë obligacione të tregtueshme dhe mund të shiten në tregun sekondar të letrave me vlerë.

***

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur vendimin për bono për diasporën.

Ai ka thënë se paraditen e sotme janë takuar me bankat komerciale dhe BQK dhe kanë nënshkruar marrëveshje për emetimin e këtyre letrave me vlerë.

"Po e përmbushim dhe një premtim që kemi dhënë për bono për diasporën. Bono tre vjeçare dhe pesë vjeçare, periudha e shitjes do të jetë prej 21 korrik deri më 18 gusht. Dhe data e emetimit 20 gusht. Bankat komerciale me të cilat do të kemi bashkëpunim janë Raiffeisen Bank, ProCredit Bank, NLB banka, BKT, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes. Shuma e ofruar për shitje është 20 milionë euro në të drejtë të rritjes deri më 50 për qind të shumës së ofruar", ka njoftuar Murati.

Shuma minimale për blerje është 10 mijë euro, kurse ajo maksimale për një person në një bankë është 500 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat