Shala: Edhe në shtatorin e vitit 2001 u ballafaqua Amerika me situatë të njëjtë

Aktuale

Shala: Edhe në shtatorin e vitit 2001 u ballafaqua Amerika me situatë të njëjtë

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 10:24
Blerim Shala

Opinionisti Blerim Shala ka thënë se gati në njëzetvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit ishin të shumta tabllot të cilat përcollën largimin e SHBA-së nga Afganistani, teksa sipas tij talibanët po e rikthenin pushtetin e humbur dy decenie më parë në vijim të intervenimit ushtarak amerikan të nisur në muajin tetor të vitit 2001.

Ai, në një shkrim për media ka deklaruar se  Amerika, kur bëhet fjalë për Afganistanin, është ballafaquar me një situatë të njëjtë, si në shtatorin e vitit 2001, ashtu edhe në gushtin e vitit 2021.

“Në sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001, ato pamjet që kanë shenjuar një herë e pëgjithmonë këtë ngjarje e cila realisht hapi politikisht Shekullin XXI dhe një Epokë të re politike dhe historike, janë ato të ngulitjes së aeroplanëve në Kullat binjake të WTC  (Qendrës botërore tregtare)”.

“Megjithatë, një tjetër pamje, sërish si në atë ditën e 11 shtatorit (2001), kësaj here, me 15 gusht  (2021), doli të jetë, sërish fatkeqësisht, më e sakta, më domethënësja, në dhënien e një kuptimi suprem këtij zhvillimi të ri dramatik historik dhe politik, i cili kësaj here vet nuk shënon një kthesë dramatike, por vetëm sa konfirmon se në çfarë Bote jetojmë tash e shtatë vjet”.

“Por, si Administrata e George W. Bushit në vitin 2001, ashtu edhe kjo e Joseph Bidenit në vitin 2021, nuk kanë pasë solucion tjetër, pos atëherë, pas sulmit terrorist të Al Qaeda-s, të intervenojnë ushtarakisht në Afganistan, dhe tani, të tërhiqen prej Afganistanit, pas një lufte njëzet vjeçare e cila ka kushtuar së paku një mijë miliardë dollarë, teksa Armata e rregull e Afganistanit, për nëntë ditë të vetme kapitulloi nga forcat talebane, në numër tre herë më të pakta dhe shumëfish më dobët të armatosura, se këto të Ushtrisë së këtij shteti”.

Shala ka deklaruar se Biden konfirmoi se Amerika nuk ka pasë zgjedhje tjetër pos tërheqjes.

“Presidenti Biden, në adresimin e tij para kombit, konfirmoi që Amerika nuk ka pasë zgjedhje tjetër pos tërheqjes, dhe që më nuk ka mundur të jetë pjesë e një lufte, më të gjatës  (paradoksalish), në historinë e SHBA-së”.

“Demokracia Liberale është rregull në Perëndim, por kjo nuk është e thënë të jetë ashtu në pjesët tjera të Botës.Në anën tjetër, Amerika dhe Perëndimi i vitit 2021, janë ndryshe, shumë më ndryshe  (për të keq), krahasuar me atë Amerikën dhe Perëndimin e vitit 2001. Afganistani nuk u bë shtet demokratik dhe liberal, dhe as një kufi i largët i Perëndimit. Perëndimi u tërhoq. Dhe këtë zbrazëti do ta mbushin shtetet përreth, në atë luftën e vazhdueshme gjeo-politike për ndikim në këtë anë të Azisë”, ka thënë Shala

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat