​Shqiptar Demaçi: Nëse duam të bëhemi të mëdhenj, duhet të bëjmë edhe sakrifica të mëdha

Aktuale

​Shqiptar Demaçi: Nëse duam të bëhemi të mëdhenj, duhet të bëjmë edhe sakrifica të mëdha

Më: 5 tetor 2021 Në ora: 17:22
​Shqiptar Demaçi

Shqiptar Demaçi, i biri i veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare Adem Demaçi, në një postim në Facebook ka folur për rëndësinë e Mitrovicës për shqiptarët në aspektin ekonomik, territorial, etnik dhe historik.

Në një shkrim të titulluar “Mitrovica dhe shqiptarët”, Shqiptar Demaçi tregon disa nga interesat më të rëndësishme të shqiptarëve për Mitrovicën dhe rreth saj.

Postimi i plotë:

Nga notesi elektronik Adem Demaçi (20.02.2000)

Mitrovica është sot një dhembje e madhe jona. Dhe mirë është që e kemi këtë dhembje, sepse ne shqiptarët (dhe jo vetëm ne shqiptarët) nuk u takojmë atyre popujve që mësojnë nga pësimet dhe gabimet e të tjerëve, por që mësojmë vetëm përmes pësimeve, dhembjeve e mundimeve tona. Sa më të mëdha që të jenë pësimet që na pllakosin aq më të mëdha dalin edhe mësimet tona.

Mitrovica është pikë reference e tri interesave të fortë. Është interesi vital shqiptar, është interesi hegjemonist serb dhe interesi i rëndësishëm gjeostrategjik i faktorëve botërorë.

Kësaj here do të bëjmë fjalë shkurtimisht për relacionin Mitrovica dhe shqiptarët.

Përkundër të gjitha përpjekjeve asgjësuese të të gjithë pushtuesve tanë gjatë historisë sonë, Mitrovica me rrethinën e vet ishte dhe mbeti një qendër e rëndësishme e lëvizjeve tona çlirimtare si kundër otomanëve ashtu edhe serbomëdhenjve. Në rrethinat e Mitrovicës ishin çerdhet e shqipeve tona liridashëse si Isë Boletini me trimat e vet, Azem Bejta me trimat e vet, Adem Selaci me trimat e vet, Ukshin Kovaçica me trimat e vet, Mustafë Venhari me shokët e vet e shumë e shumë të tjerë. Këtu afër Mitrovicës u lind dhe shpërtheu me krejt forcën e vet frymëzuese bërthama çlirimtare e Jasharajve dhe e trimave të Drenicës heroike. Në këto rrethina u bënë betejat e lavdishme të komandantit sypatrembur Fehmi Lladrovcit me shqipet e UÇK-së. Mitrovica e rrethina e saj janë përplot varre të zbuluara e ende të pazbuluara luftëtarësh, heronjsh, martirësh e viktimash që më parë pranuan vdekjen se robërinë. Aty, në Mitrovicë është dhe do të jetë e tashmja dhe e ardhmja jonë.

Interesi i shqiptarëve për Mitrovicën është jo vetëm territorial, etnik e historik, por edhe ekonomik. Afër Mitrovicës gjendet shkritorja më e madhe e plumbit dhe e zinkut në regjionin e Evropës jug-lindore. Gjithashtu aty afër ka edhe rezerva të konsiderueshme të xehes së plumbit e të zinkut. Shqiptarët kanë flijuar gjenerata e gjenerata njerëzish për të nxjerrë e për të shkrirë xehet e kërkuara në tregjet e ish-Jugosllavisë, të Serbisë e të botës. Këto janë disa nga interesat më të rëndësishme të shqiptarëve për Mitrovicën dhe rreth Mitrovicës.

Mirëpo shqiptarët duhet ta kuptojnë se me ne, më në fund, ka ndodhur diçka fort, fort e rëndësishme. Çka do që të ndodhë e sido që të ndodhë, shqiptarët kurrë më nuk kanë për të qenë para një rreziku të asgjësimit fizik, sikurse që ishim gjatë krejt kohës sa u gjendëm nën thundrën e kriminelëve serbë.

Shqiptarët duhet ta kenë fare të qartë se krejt çka kemi bërë duke u mbrojtur nga ngulfatjet e pushtuesve tanë të egër është kuptuar dhe është përkrahur nga shumica dërmuese e botës së civilizuar.

Kemi qenë të përkrahur dhe të arsyetuar, sepse kemi qenë ana më e dobët dhe viktimë e pafajshme e konfliktit të imponuar. Mirëpo sot gjërat janë krejt ndryshe. Ndonëse jemi të plagosur, të dërrmuar, të lodhur, të sfilitur e të mërzitur sa s’bëhet më shumë, megjithatë jemi duke marrë frymë lirisht dhe në këtë Kosovën e martirizuar jemi shumicë absolute dhe prandaj edhe duhet të jemi absolutisht të përgjegjshëm para ndërgjegjes sonë dhe para miqve tanë në botë. Duke pasur këto fakte parasysh bota kërkon prej nesh që të jemi ata që jemi. E ne, me të gjitha të zezat që ende na kanë pllakosur, jemi shumicë e cila, tash e tutje nuk mund të trajtohet si pakicë.

E nëse shumica dëshiron që të jetë shumicë ajo duhet edhe të marrë mbi vete shumicën e përgjegjësisë. Prandaj, nëse duam që t’i japim fund një herë e përgjithmonë mosdijes sonë, ne duhet urgjentisht që të ndërrojmë rrënjësisht dhe nga themeli mënyrën e të menduarit tonë dhe sjelljet tona ndaj vetes sonë dhe ndaj atyre që janë numerikisht më të paktë se ne në Kosovë.

Sa na takon ne, para së gjithash duhet ta kuptojmë një herë e mirë se të kaluarën më nuk mund ta zhbëjmë, sepse energjia dhe forca jonë, tashmë janë në të tashmen. Kjo është edhe një arsye më tepër që me tërë forcën e vëmendjes sonë të përqendrohemi në të tashmen dhe vetëm në të tashmen. E treta, tashmë askush nuk do të na marrë seriozisht nëse për të gjitha problemet që kemi do t’i fajësojmë vetëm të tjerët. Shtatë – tetë muaj nuk janë shumë për të ndërruar gjendjen tonë, por janë mjaft për ta kuptuar se tashmë ne duhet të jemi ata që duhet ta kemi iniciativën e plotë për përmirësimin e gjendjes sonë katastrofike në të gjitha fushat.

Nëse duam që të na besojnë, edhe ne duhet që t’u besojmë të tjerëve. Nëse nuk duam që të na urrejnë, edhe ne duhet të pushojmë që t’i urrejmë të tjerët. Nëse nuk duam që të na vrasin, edhe ne duhet, të parët, që të pushojmë t’i vrasim të tjerët. Nëse duam që të pushojnë të hakmerren ndaj nesh, edhe ne duhet të parët të pushojmë që të hakmerremi ndaj të tjerëve.

Nëse duam të na duan, ne duhet, të parët, t’i duam të tjerët. Nëse duam të na ndihmojnë, ne duhet së pari, t’i ndihmojmë të tjerët dhe pastaj veten tonë. Vallë, mos do të thotë kjo se duhet ta mundim veten tonë? Po, pikërisht, kjo do të thotë. Ne dhe vetëm ne, duhet urgjentisht ta mundim të keqen tonë në veten tonë nëse nuk duam që e keqja në veten tonë ta mundë të mirën dhe të bëhemi robër të vetvetes. Nëse duam që të bëhemi të mëdhenj duhet që të bëjmë edhe sakrifica të mëdha.

Vetëm me protesta, vetëm me fajësimin e të tjerëve, dhe vetëm me kërkesa ndaj të tjerëve nuk do ta kemi lehtë as me Mitrovicën, as me Rahovecin, as me Çagllavicën, as me Brezovicën, as me francezët, as me rusët.

Nëse duam që lirinë tonë të mundshme ta shndërrojmë në liri të vërtetë, për të gjitha brengat e hallet tona, ç’prejse kemi hyrë në vitin e ri, në shekullin e ri dhe në mijëvjeçarin e ri, duhet që, në rend të parë, ta fajësojmë veten tonë dhe kërkesat më të mëdha duhet t’ia drejtojmë vetes sonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat