Deklarata e Ramës për Bashkimin Kombëtar, Zaimi i VV-së tregon ku e ka hallin

Aktuale

Deklarata e Ramës për Bashkimin Kombëtar, Zaimi i VV-së tregon ku e ka hallin

Më: 29 tetor 2021 Në ora: 22:34
Arbër Zaimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për mediumin “Merkur” përmendi bashkimin me Kosovën nëse BE-ja nuk i pranon brenda saj.

Kjo deklaratë e Ramës bëri bujë dhe u komentua shumë.

Në lidhje me këtë çështje, gazeta kontaktoi me anëtarin e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi.

Ai u shprehë se Rama nuk është konsistent dhe se i përket kategorisë së politikanëve populistë.

“Në radhë të parë, duhet bërë një analizë diskursive e Edi Ramës. Në fillim të muajit, për një media shqiptare ai tha se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është një aspiratë e tij. Ndërsa së fundmi, në intervistën për një media evropiane, për të cilën ju po shtroni pyetjen, Edi Rama ka thënë se bashkimi është një lojë mendore, që me shumë ka mundësi të ndodhë jashtë BE-së se sa brenda saj. Nëse e marrim seriozisht diskursin e Ramës, dhe besojmë se i njëjti njeri fliste edhe në fillim të tetorit edhe në fund të tetorit, atëherë nxjerrim përfundimin se aspiratat e Ramës janë joserioze, janë lojëra mendore. Përveç kësaj, nxjerrim përfundimin se aspiratat e Ramës më lehtë arrihen jashtë BE-së se sa brenda saj.”

“Por natyrisht, e di dhe bufi, se Rama nuk është konsistent. Ai i përket kategorisë së politikanëve populiste, që thonë gjithçka e nuk shqetësohen se ç’thonë. Këta politikanë, prej mendjeve racionale merren seriozisht vëtem në fillim të karrierave të tyre, e jo në mandatin e tretë”, u shprehë ai.

Tutje, Zaimi tha se kryeministri i Shqipërisë nuk ka aspirate politike për shqiptarët dhe se bilanci i tij politik është negative edhe në krahasim me Sali Berishën.

“Edi Rama nuk ka aspirata politike për shqiptarët, por vetëm për vete. Ai e di se bilanci i politikës së tij të jashtme është negativ, madje edhe në krahasim me Berishën që sot është “non grata”. Berisha arriti që gjatë dy mandateve të tij të fusë Shqipërinë në NATO, të marrë liberalizimin e vizave, dhe te presë në Tiranë vizitën e një presidenti amerikan (GË Bush), i cili shpalli prej aty se i kish ardhur koha pavarësisë së Kosovës. Ndërsa Rama në tre mandatet e tij, nuk ka arritur të avancojë asnjë milimeter në raport me integrimin në BE, edhe pse ka premtuar e ka dështuar vit pas viti. Ai nuk qe në gjendje ta përdorë drejtimin e OSBE-së për të përmirësuar pozitën e Shqipërisë ndërkombëtarisht, dhe mbetet të shihet se si do ta administroje mandatin e Shqipërisë në KS të OKB-së dhe a do të përfitojnë shqiptarët diçka nga ky rast i rrallë.”

“Kështu pra, Rama hallin e ka se si t’ia ndërtojë vetvetes imazhin historik, pasi dëshiron që në të ardhmen të lexohet emri i tij nga fëmijet në shkolla, kur te lexojnë për Shqipërinë e viteve 2013-2025. I jep ankth mendimi se s’po mundet të lërë gjë per t’u krenuar.”

“Bashkimin Kombëtar ai nuk e ka politikë të vetën apo aspirate, por deri më tani e ka patur vetëm mënyrë presioni, me shpresën se mos bind BE-në t’ia hapë dyert më shpejt. Por, mungesa e konsistencës, siç thashë më lart, ia ul seriozitetin kërcenimit të tij”, tha ai.

Për fund, Zaimi tha se nëse Rama do bashkimin, tash e ka mundësinë të përshpejtoj bashkëpunimin në çdo sektor.

“Në rast se vërtetë dëshiron bashkimin, Edi Rama tash e ka mundësinë, të pershpejtojë në çdo sektor bashkëpunimin ekonomik, arsimor, kulturor, ushtarak, diplomatik, e atë në çdo sektor tjetër, midis Shqipërisë dhe Kosovës. Le t’ia nisë duke zbatuar marrëveshjet që vetë i ka nënshkruar, me kryeministrat e Kosovës. Qytetarët në Shqipëri e Kosovë duan përparim real të bashkëpunimit mes dy vendeve, duan punë konkrete, zgjidhje e zhvillim, e nuk duan foto përqafimesh dhe buzëqeshjesh të kota të zyrtarëve të lartë”, përfundoi Arbër Zaimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat