Sveçla: Të përkushtuar në ofrimin e kushteve të dinjitetshme për migrantët

Aktuale

Sveçla: Të përkushtuar në ofrimin e kushteve të dinjitetshme për migrantët

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 21:02
Xhelal Sveçla

Sot është inauguruar Qendra e Pranimit dhe Regjistrimit për migrantë në Vranidoll. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se do të jetë i përkushtuar në ofrimin e kushteve të dinjitetshme për migrantët.

Sveçla u shpreh se qendra do të ndihmojë në menaxhimin e flukseve të migrantëve, do të garantojë mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe do i’u ofrojë të gjitha shërbimet dhe informatat e nevojshme atyre.

Njoftimi i plotë:

Sot bashkë me Shefin e Zyres së BE-së z. Tomáš Szunyog, Shefen e misionit të IOM znj. Anna Rostocka dhe Koordinatoren për Zhvillim nga zyra e Kombeve të Bashkuara znj. Ulrika Richardson, morëm pjesë në inaugurimin e Qendrës së Pranimit dhe Regjistrimit për migrantë në Vranidoll.

Qendra e Pritjes është krijuar në kuadër të projektit “Adresimi i sfidave të COVID-19 në kuadër të reagimit ndaj migrantëve dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor”, zbatuar nga IOM dhe UNHCR dhe financuar nga Instrumenti i Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Bashkimit Evropian (NDICI) dhe vlera totale e renovimit është afër 450,000 euro.

Kjo Qendër është rikonstruksion i ish-ndërtesës ushtarake në Vranidoll dhe do të sigurojë strehim për migrantët e ngecur, të cilët deri më tani kanë përfunduar shpesh duke jetuar në zona të grumbulluara, në rrugë ose në apartamente të mbipopulluara. Poashtu, qendra do të ndihmojë në menaxhimin e flukseve të migrantëve, do të garantojë mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe do i’u ofrojë të gjitha shërbimet dhe informatat e nevojshme atyre.

Si Ministri e Punëve të Brendshme mbesim të përkushtuar në ofrimin e kushteve të dinjitetshme për migrantët dhe gjej rastin të falënderoj bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë për ndihmën në lehtësimin e arritjes së synimeve tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat