A do të hetohen Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi për ‘zhdukjen’ e pesë milionë eurove pa gjurmë!?

Aktuale

A do të hetohen Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi për ‘zhdukjen’ e pesë milionë eurove pa gjurmë!?

Nga: Idriz Morina Më: 26 janar 2022 Në ora: 16:32
Foto ilustruese: Bujar Bukoshi e Isa Mustafa, gjatë një aktiviteti dikur

Gjatë kërkimit për informacione rreth shitjes së “Dardania Bankës”, e themeluar në vitin 1993 në Tiranë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, rezulton se në kundërshtim me procesverbalin e mbajtur në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme, “Dardania banka” ishte në pronësi të 100% të “Fond der Republik Kosova Gjermani”.

Kjo kuptohet vetëm nga komunikata e lëshuar nga Banka Qendrore e Shqipërisë, e cila ishte e detyruar të jepte emra të saktë biznesesh dhe shifra të sakta.

“Në Bankën e Shqipërisë, në datën 14.03.2005 është paraqitur nga Banka Dardania kërkesa për miratimin nga Banka e Shqipërisë e transferimit të 100 për qind të aksioneve të saj nga Fond der Republik Kosova Gjermani tek konsorciumi i përbërë nga z. Francesco Mariano Mariano dhe Banka Popullore Pulieze (Banca Popolare Pugliese). Kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës në mbështetje të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore të Shqipërisë, të datës 19 prill 2005.

A ishte pronar i “Dardania bankës” “Fond der Republik Kosova Gjermani”?

Por, në Procesverbal nuk përmendet askund ekzistenca e këtij fondi me emërtimin zyrtar, të pronarit apo edhe të shitësit “Fond der Republik Kosova Gjermani”.

Përkundrazi sipas procesverbalit, për mbledhjen e 5 janarit 2005, përmendet në Gjermani si fond me emrin “Fondi i Gjermanisë”. E dhëna tjetër serioze është se tekstualisht thuhet se ky fond i përbënte 85 % të aksioneve të “Dardania Bankës”.

Që sipas tekstit të procesverbalit rezulton se 15% të fondit duhej ta kishin në dispozicion ose të ishin aksionare fondet: i Zvicrës, i Italisë, i Luxemburgut, i Danimarkës, i Suedisë dhe i Finlandës. Pra, në procesverbal figurojnë vetëm shtatë fonde, që të gjitha së bashku nuk përbënin as 1/6 (një të gjashtën e shumës së përgjithshme).

“Themelimi i "Dardania bankës" është bërë në vitin 1993, domethënë 1 vit pas themelimit të Fondit të Republikës së Kosovës në Gjermani, maj 1992, kur edhe filloi zbatimi i grumbullimit të mjeteve materiale të 3%-indshit”, shkruan Xhafer Leci veprimtari LDK-së në Gjermani nga themelimi dhe publicist. Sipas Xhafer Lecit 3%-shi ka qenë iniciativë - projekt i vendimit të kryeministrit Jusuf Zejnullahu.

Por, sipas ish-drejtorit të “Dardania Bankës, para luftës, në shitje nuk ka pasur rol Banka Qendrore e Shqipërisë.

“Banka e Shqipërisë në shitje nuk ka pasur rol, shitja është kompetencë e pronarit. Unë paraprakisht, para dorëzimit të ofertës e kam takuar personalisht Ardian Fullanin, guvernator dhe më shprehu kënaqësinë e tij që Kasabanka si bankë kosovare ta blejë “Bankën Dardania””, thotë Milazim Abazi, ish-drejtor në Dardania Bankë.

Sipas Abazit deri me 11 mars 1997, Qeveria e Kosovës në atë bankë i ka pasur në formë depozite të 3% rreth 1 milion marka.

Nga ajo kohë, thotë Abazi se nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi me ta prej 11 mars 1997. “Kontaktin tjetër të vetëm e kam pas kur e kemi dorëzuar ofertën në nëntor të vitit 2004”, thotë Abazi.

Pse nuk fitoi Kasabanka, e cila kishte konkurruar me çmim më të lartë

Dardania Banka i është shitur për 5 milionë euro në vitin 2005 një konzorciumi italian, të cilët kishin aplikuar për 5 milionë e 57 mijë euro.

Një çmim më të lart, për afër 100 mijë euro e kishte ofruar Kasabanka.

“Ne kemi qenë si Kasabank një nga tre konkurrentët dhe atë me ofertën më të lartë: 5.150.000 euro”, thotë Abazi.

Por, sipas procesverbalit pesë faqesh të mbledhjes së Asamblesë së jashtëzakonshme, të mbajtur me 5 janar 2005, oferta më e lartë ishte ajo e Banka Popullore Pulieze, me 5 milionë e 57 mijë euro, kështu kishte vlerësuar kompania “Deloite@Touch së bashku me Këshillin Drejtues të “Dardania bankës”, që i kishin vlerësuar ofertat.

“Me datën 11 dhjetor është hapur çmimi i ofruar nga blerësi (Francesco Marjano Marjanoi dhe Banka Poppullare Pulieze), në prezencë të z.Pjetër Coli, Rushe Gojani (anëtare e Komisionit), Beqir Mezelxhiu drejtor i Bankës, Anton Lezhja përfaqësues i Deloite@Touch, Riza Rexhepi këshilltar i drejtorit të Bankës dhe Abedin Bytyçi këshilltar i drejtorit të bankës për informatikë. Është konstatuar se blerësi ka ofruar 5.057.000 euro me kursin e datës 30 shtator (1 euro+1.27$)".

Sipas këtij procesverbali del se vetëm italianët kishin konkurruar sipas afatit për tenderim.

Por, Milazim Abazi i pyetur nga gazeta “Bota sot”, thotë se për sa i kujtohet ata nuk ishin refuzuar për shkak të vonesës, dhe nuk ua kishte thënë askush këtë.

“Për afat, tani nuk mund të them se a ka qenë me afat apo jo. Unë para se me dorëzuar ofertën kam folur me Isa Mustafen. E kam pyet a ka afat? E ai mu ka përgjigjur: po ka afat. Nëse ai më ka mashtruar është diçka tjetër. Mirëpo, me qenë jashtë afatit nuk na kishin lënë rezervë, por na kishin s’kualifikuar”, thotë Abazi.

Këtë që e thotë Abazi konfirmohet dhe në procesverbal, ku është e qartë se dy ofertat tjera u lanë rezervë, në rast se dshton blerësi i parë.

“Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme, është e pajtimit ta pranojë ofertën e z. A. Dulaku dhe Kasabankës, si ofertë rezervë, e cila do t’i dorëzohet Bankës së Shqipërisë, në rast se tërhiqet konzorciumi i palës italiane apo në qoftë se ky konsorcium nuk i plotëson kushtet e parapara për aksionar para Bankës së Shqipërisë, me kusht që një procedurë të tillë ta pranojë Banka e Shqipërisë”, thuhet në faqen 4 dhe në vazhdim të saj në faqen 5 të procesverbalit në fjalë.

Pra, siç rezulton nga të dhënat, gjatë shitjes, duket se kanë ndodhur dy tendenca mashtrimi të qëllimshëm.

Kasabanka është shpallur e vonuar, sikurse edhe ofertuesi tjetër. 2. Njëkohësisht është shpallur si oferta më e mirë, konzorciumi italian.

Për të vërtetuar këto dy shkelje, vjen në ndihmë procesverbali, sipas të cilit, në rast se kompania fituese nuk i plotëson kushtet e blerjes, atëherë lihet mundësia, që “Dardania Banka” të blihet nga konkurrentët tjerë.

Sipas Gani Hoxhës, në një bisedë për “Bota sot”, i cili e përfaqësonte Fondin e Zvicrës, paratë prej 5 milionë eurosh duhet të derdheshin në Fondin e UFORK-ut, por kjo nuk ka ndodhur kurrë.

Edhe sipas Abazit, sa i përket 5 milionë eurove të shitjes së “Dardania Bankës”, si duket i kanë keqpërdorur të gjitha. “Por, krahasuar me keqpërdorimin e fondit të 3% që mund të ketë arritur shumën prej mbi 1 miliard në total, ajo nuk çon shumë peshë”, thotë ai.

Sa ishte fondi total i 3%, i Qeverisë së Republikës

Një debat tjetër është se sa ishte shuma që mund ta ketë arritur Fondi i 3%, që nga themelimi i tij.

Dyshimet më të mëdha janë se ky fond mund të ketë shkuar drejt një miliard markave, siç thonë disa në shkrime dhe biseda.

Por, Gani Hoxha është i bindur se Fondi i 3%, gjatë gjithë ekzistencës së vet nuk ka pasur më shumë se 300 milionë marka. “Është e sigurt sepse diaspora ishte shumë e varfër dhe shumica nuk kanë kontribuar. Prej a deri në zh i kemi shënimet”, thotë Hoxha.

Ndërsa, ish drejtori Abazi, beson se fondi mund të ketë arritur në rreth një miliard marka.

Nuk e dij, por pas shkuarjes sime dhe ardhjes së Beqirit si njeri i tyre, thuhet se i kanë shumëfishuar depozitat qeveritare përkatësisht të 3%. Flitet se edhe me thasë kanë sjell para nga jashtë, e jo vetëm nëpërmes linjave bankare”, thotë Abazi.

Në vijim procesverbali i plotë:

Image
Procesverbali, faqe 1
Image
Procesverbali, faqe 2
Image
Procesverbali, faqe 3
Image
Procesverbali, faqe 4
Image
Procesverbali, faqe 5

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat