Deklarohet Pal Lekaj për 870 euro shpenzime për karburante

Aktuale

Deklarohet Pal Lekaj për 870 euro shpenzime për karburante

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 14:02
Pal Lekaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se “padrejtësisht” i është lakuar emri së fundmi, lidhur me shpenzimet e derivateve.

Në një listë të publikuar në media, ku janë deputetët të cilët kanë harxhuar më së shumti për derivate, figuron edhe Lekaj.

E për këtë Lekaj u arsyetua duke thënë se “jam banor rezident i Gjakovës, saktësisht në fshatin Novosellë”.

Mes tjerash, ka bërë të ditur se gjatë dy muajve të lartpërmendur ka marrë pjesë në dhjetëra mbledhje e seanca të Kuvendit.

“Komisioni për Ekonomi – 13 mbledhje te Komisionit, 3 mbledhje te grupeve punuese, 2 dëgjime publike; Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere – 10 mbledhje të Komisionit, 1 dëgjim publik; Kuvendi i Kosovës – 10 seanca të mbajtura (ku secila ka zgjatur nga 2-3 ditë për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës”, ka deklaruar deputeti Lekaj.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marrë pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit.

Mirëpo, praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase “deputetët kanë paga të larta”.

Vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro, pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat