Flet Abazoviq pas rrëzimit të Qeverisë malazeze, tregon lëvizjen e tij të re

Aktuale

Flet Abazoviq pas rrëzimit të Qeverisë malazeze, tregon lëvizjen e tij të re

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 19:53
Dritan Abazoviq

Rrëzimi i qeverisë së Zdravko Krivokapiqit është pritur me reagime të ndryshme nga forcat politike në Mal të Zi. Partitë e opozitës vlerësojnë se me rrëzimin e qeverisë janë krijuar kushte të reja për integrimin evropian të vendit, ndërsa partitë proserbe, që deri tani ishin në pushtet, e cilësojnë si një veprim kundër vullnetit zgjedhor në Mal të Zi.

Parlamenti i Malit të Zi e miratoi rrëzimin e qeverisë me 43 vota pro mocionit të mosbesimit. 11 deputetë ishin kundër, ndërsa 27 të tjerë nuk votuan në parlamentin me 81 anëtarë.

Votimi i mocionit, i iniciuar nga Lëvizja Qytetare “URA” e Dritan Abazoviq, i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re.

Image
Kuvendi i Malit të Zi

“Ky veprim u tregoi qytetarëve të Malit të Zi se ndryshimet janë të mundshme dhe në të mirë të vendit”, tha Abazoviq.

Zoti Abazoviq, vuri në dukje se “qeveria e re duhet të zgjidhet sa ma shpejt dhe se tashmë kanë nisur bisedimet me shumicën parlamentare”.

Të gjitha partitë opozitare përfshirë këtu edhe partitë e pakicave, Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviq dhe anëtarët e shumicës së mëparshme qeverisëse, Lëvizja Qytetare URA dhe CIVIS, votuan për rrëzimin e qeverisë së zotit Krivokapiq.

Deputeti Fatmir Gjeka, kryetar i Partisë Demokratike e cila votoi për rrëzimin e qeverisë tha për “Zërin e Amerikës” se janë krijuar kushte të reja për integrimet evropiane të Malit të Zi.

“Mendojmë të ecim me hapa përpara drejt integrimit evropian duke marrë parasysh se këtë vit kemi humbur me një qeverisje të gabuar. Kemi marrë raportin më të keq prej që kemi filluar bisedimet me BE-në, kështu që duhet të bëjmë shumë përpjekje në këtë drejtim”, tha zoti Gjeka.

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, partia e të cilit votoi kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë, e cilësoi si absurde situatën e re të krijuar në Mal të Zi.

“Absurd historik është që një parti që ka më së paku deputetë dhe e cila ishte në pushtet ta rrëzojë qeverinë”, tha zoti Beçiq.

Ai shfaqi dyshimin se “në këtë skenar është e përfshirë Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit Gjukanoviq, e cila më se tri dekada ishte në pushtetin e Malit të Zi.”

Analistët politikë në Mal të Zi, ndërkaq vlerësojnë se u rrëzua një qeveri konservative dhe proserbe, e cila shkaktoi një ndasi të thellë në shoqërinë malazeze.” Analistët shprehin besimin se “qeveria e ardhshme mund ti sanojë problemet identitare në Mal të Zi.

Mocionet e mosbesimit dhe kërkesat për shkarkimin e përfaqësueseve të ekzekutivit janë rezultat i krizës disamujore qeveritare, si mes parlamentit dhe qeverisë, ashtu edhe brenda vetë qeverisë.

Parlamenti të enjten e kaluar, më 3 shkurt, refuzoi të vendosë në rend dite votimin për shkarkimin e Zv/kryeministrit Dritan Abazoviq, të cilin e kishte kërkuar kryeministri Krivokapiq. ndërkaq votëbesimi ndaj kreut të parlamentit Aleksa Beçiq është caktuar për të hënën me kërkesën e opozitës malazeze./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat