Përfundon seanca, krejt çka ndodhi sot në Kuvend

Aktuale

Përfundon seanca, krejt çka ndodhi sot në Kuvend

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 07:35
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 19:00) - Përfundon seanca e Kuvendit

Kanë përfunduar punimet në seancën e sotme. Pika e fundit e rendit të ditës ka qenë edhe zëvendësimi i anëtarit të grupit parlamentar të Listës Serbe në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim. Megjithatë, deputetët e kësaj liste pas debatit për raportin për vendin nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.

Kryeparlamentar Glauk Konjufca ka njoftuar se kjo pikë e rendit të ditës do të shqyrtohet në ndonjë nga mbledhjet e ardhshme.

Në seancën e sotme është shqyrtuar raporti për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, po ashtu edhe është zgjedhur anëtari i bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb.

Haxhiu për vettingun: Është vaksinë goxha e mirë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se partitë opozitare kanë refuzuar të takohen për të diskutuar për çështjen e vettingut. Ajo është zotuar se janë në komunikim me Komisionin e Venecias për të ndjekur rekomandimet për këtë proces.

Organi më i lartë legjislativ po debaton në lidhje me Raportin e Progresit për vitin 2021. Ministrja e Drejtësisë ka folur për vettingun në sistemin e drejtësisë dhe e ka quajtur vettingun “vaksinë” për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë.

Haxhiu: Është një vaksinë goxha e mirë

“Jo për vaksina po për vetting, ndonëse është një vaksinë goxha e mirë. Vaksinë për sistemin e drejtësisë sigurisht dhe për shoqërinë”, ka deklaruar ajo.

Ministrja Albulena Haxhiu deklaroi se kanë nisur punën për vettingun në drejtësi. Sipas saj, kjo është reformë e thellë dhe e domosdoshme për vendin.

Haxhiu: Tri herë kam ftuar partitë politike për t’i njoftuar për çështjen e vettingut

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias dhe do t’i ndjekim rekomandimet në raport me këtë proces shumë të rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, që qëllimi final është që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Tri herë radhazi kam ftuar partitë politike në takim për t’i njoftuar në detaje për çështjen e vettingut dhe përgjigja ka qenë refuzuese, deri tani përveç grupit parlamentar “Lëvizja Vetëvendosje” dhe grupit parlamentar që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kosovë, partitë tjera nuk kanë shprehur interes për të na takuar”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka kundërshtuar deputetin e AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se ka përplasje mes Qeverisë dhe Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Më tej ka nënvizuar edhe disa nga konstatimet e raportit për vendin.

Haxhiu: Kosova është në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional

“Në raportin për vendin sa i përket të sundimit të ligjit thuhet se Kosova është në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional. Thuhet që administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, jo efikas dhe lehtësisht i ndikuar nga politika. Po ashtu adresohet që shumica e procedurave disiplinore kanë rezultuar me vendim se nuk ka pasur shkelje të rregullave apo nën masën disiplinore shkelje të vërejtjes jo publike dhe ulje të përkohshme të pagës”, tha Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës në pikë të rendit të ditës ka edhe zëvendësimin e anëtarit të grupit parlamentar të Listës Serbe në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim.

​Deputeti Haxhiu ngre dyshimet për vaksinat pa afat, reagon kryeparlamentari Konjufca

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), Bekim Haxhiu ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për dështimin e planit të vaksinimit të qytetarëve të Kosovës.

Madje, ai shprehu dyshimet për fshehjen e vaksinave pa afat nga kjo ministri, derisa shtoi se po rrezikohen qytetarët e vendit nga ky proces, e që e nxiti reagimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Gjatë debatit në kuvend, deputeti Haxhiu tha edhe sot Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati.

Haxhiu: Po rrezikohen pacientët, duhet të merret Prokuroria e Kosovës

“Të ndaj me ju një shqetësim të cilin e mora minuta më parë, inspektorati farmaceutik ka urdhëruar barnatoren qendrore të SSHKUK-së të tërheq nga përdorimi produktin e importuar nga India ngase në të janë gjetur grimca të metalit që rrezikojnë shëndetin e pacientëve. Për këtë rrezikim të pacientëve duhet të merret Prokuroria e Kosovës… Vaksinat e pranuara donacion nuk u shfrytëzuan të gjitha dhe për këtë arsye 133 mijë doza të vaksinave u hodhën në bërllok më 1 shtator. Edhe sot MSH vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati. Nga data 24 dhjetor 2021, unë kërkoj qasje në dokumentet publike në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoj certifikata të analizës për çdo seri të vaksinave të importuar, por Ministria e Shëndetësisë nuk lejon qasej në dokumentet publike. Pra, MSH ka dështuar të implementoj planin e vaksinimit”, theksoi ai.

Ndaj tij ka reaguar kryeparlamentari Konjufca, i cili tha se deputeti Haxhiu me tendencë bën temë debati për ngritjen e dyshimeve.

Ai tha se Haxhiu po i bën një dëm të madh kauzës së përkujdesjes ndaj shëndetit publik.

Konjufca: Haxhiu po i bën dëm të madh procesit të vaksinimit

“Jam i sigurt që çdo shtet i përgjegjshëm nuk jep vaksina pa afat, kështu që meqenëse kjo është çështja t’i shumë më lehtë e ke nëse është për kureshtjen tënde kështu, me u ulë me ministrin jashtë kamerave dhe me i shqyrtuar të gjitha këto të cilat e ngrite. A nëse kjo bëhet qysh po e bën ti temë të debatit publik me do tendenca të cilat e kanë ngjyrimin e akuzës, e akuzës ose të ngritjes së dyshimeve. Besoni se ja bëni një dëm të madh vet kësaj të cilën ti po e quan kauzë të përkujdesjes ndaj shëndetit publik. Pra, ti po e dëmton kauzën e shëndetit publik duke e bërë këtë në këtë mënyrë temë të akuzimit të ministrit, të qeverisë, të organeve të shtetit në raport me procedurat e vaksinimit dhe procesin e tij në përgjithësi. Pra, kjo ishte vetëm si këshill e imja, sepse në kohën kur ka shumë njerëz të cilët mund të dyshojnë ata marrin vaksinën apo jo dhe kur del një i zgjedhur I popullit dhe ngritë dyshime mbi afatin e vaksinave, unë mendoj se me dashje apo pa të mundesh me ia bërë një dëm shumë të madh vet kauzës për të cilën po pretendon se po angazhohesh”, tha ai.

Kundër replikë pati deputeti Haxhiu, i cili tha se nuk mundet t’i mbyll sytë kur hedhën në mbeturina 133 mijë doza të vaksinave.

Haxhiu: Nuk mundem t’i mbyllë sytë kur hedhen në mbeturina 133 mijë doza të vaksinave

“Me lejoni që në aspektin e një humanisti t’ju tregoj që prej fillimit ka qenë një prej avokuesve të procesit të vaksinimit dhe një prej profesionistëve shëndetësor që I kam dhënë mbështetje ish-ministrit për të siguruar vaksinat, sepse vaksinat shpëtojnë jetë dhe kur vaksinat shpëtojnë jetë edhe si deputet, por edhe si humanist nuk mundem me i mbyll sitë kur hedhën në bërllok 133 mijë doza të vaksinave e kanë mundur të shpëtojnë 133 mijë persona nga infektimi dhe nga mbrojtja. Dhe kur si deputet kërkoj qasje në dokumentet publike dhe për dy muaj ministria e Shëndetësisë nuk të ofron qasje në dokumentet publike, normalisht që detyrë e imja është me ngritë si shqetësim. Qytetarët e Kosovës duhet të vaksinohen, nuk ka mjek që guxon me ia jep vaksinën pacientit pa afat”, tha ai.

E pretendimet e deputetit Haxhiu deri diku i ka mbështetur deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti.

Hoti: Në një farë mase deputeti Haxhiu ka të drejt

“Në një farë mase deputeti Haxhiu ka të drejt, nuk është menaxhuar mirë vaksinimi në Kosovë. Jemi shembull si shoqëri që nuk e ke gjetur asnjë person publik, as një person pozitë e opozitë që i ka kontribuar polarizimit të shoqërisë sa i përket nevojës dhe vaksinim dhe vetëdijesimit të qytetarëve për vaksinim”, u shpreh ai.  

***

Në debatin parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021, deputeti nga AAK-ja, Besnik Tahiri ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti se agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në ‘qorrsokak’.

Në vazhdimin e seancës plenare, deputeti Tahiri tha po ashtu se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nuk ka në prioritet integrimin evropian, e që nxiti reagimin e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimit.

Tahiri: Agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në qorrsokak

“Mirë që është prezent zëvendëskryeministri dhe dy ministra për të cilët i kam disa çështje ku do t’iu kërkoj edhe disa sqarime në raport me punën e qeverisë. Ajo që dua të them dhe konstatoj që agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në qorrsokak. Kemi një qeveri e cila nuk e ka në prioritet integrimin evropian dhe nuk e ka në prioritet ecjen përpara këtë fushë në raport edhe me atë çka është theksuar në raportin për vendin, por edhe me veprimet që kanë ndodhur”, u shpreh Tahiri.

Ndaj tij ka reaguar zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili tha se në çdo takim në Bruksel ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave, derisa përmendi edhe procesin e dialogut me Serbinë, ku veçoi si të arritur marrëveshjen për targat.

Bislimi: Integrimi nuk është liberalizim i nderuar deputet Tahiri, është gjithçka tjetër

“Sa i përket dialogut, u tha këtu nga disa parafolës që ka pasur zero progres, mirëpo sigurisht që nuk i referohet as raportit për vendin, i cili e veçon marrëveshjen për targat si një marrëveshje të rëndësishme në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel. Sa i përket integrimit deputeti Tahiri po ashtu tha se ka pasur zero progres dhe si argumentim tha që nuk ka ndodhur asnjë takim për liberalizim. Mendoj që këtu ka qenë problemi, që në vazhdimësi integrimi është barazuar me liberalizim. Integrimi nuk është liberalizim i nderuar deputet, është gjithçka tjetër... Sa i përket liberalizmit ama bash në secilin takim që kemi në vendet e BE-së, tema e liberalizimit është temë qendrore dhe gjatë çdo vizite që edhe unë bëj në Bruksel, bëj takime anësore me ambasadorin e Francës ku diskutohet për procesin e liberalizmit, por vetëm është problemi që ju nuk jeni në ato takime dhe nuk i dini, por takimet ndodhin”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Bisilimi nuk e la me kaq, ai akuzoi deputetin Tahiri se në qeverisjen Haradinaj ka pasur politizim të administratës publike, derisa u zotua se tash pritet të ndodhë depolitizimi.

Bislimi: Tash pritet të ndodhë de politizimi i administratës publike i politizuar nga Tahiri

“Pajtohem me këtë, por problemi është që në fillim ka qenë një Besnik Tahiri dhe tash ka ardhur një Besnik Bislimi. Do të thotë një herë ka ndodhur politizimi, tash pritet të ndodhë de politizimi”, tha ai.

Kundër replikë pati deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili potencoi se nuk ka punësuar asnjë të afërm të tij sa ka qenë zëvendëskryeministër. Tahiri tha se tash po shihet se kush ku po punësohet.

Tahiri: Jap përgjegjësi nëse e gjeni vetëm një familjar që unë e kam punësuar

“Shiko zëvendëskryeministër, në qoftë se mundesh me gjetë vetëm një njeri, një familjar që unë e kam punësuar si zëvendëskryeministër, unë jap çfarë do përgjegjësie politike morale. Nuk di a mundeni me thënë ju këtë, se a ka hyrë ndonjë familjarë i juaj[...]Sytë janë me pa, veshtë janë për me dëgju, e dimë kush po punësohet. Pra, vetëm për koeficient e pata”, tha ai.

Deputetja Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane tha se ka numër të gjitha të gjeturat e këtij raporti për vendin.

Krasniqi: S’ka progres është potencuar 27 herë

“Sa i përket të gjeturave të raportit për vendin për vitin 2021 gjatë kësaj periudhe nga ana e Komisionit janë përdorur shkallët e më poshtme të progresit që në këtë raport për Kosovën janë: Nuk kemi kthim prapa në asnjë fushë, s’ka progres ku është potencuar 27 herë, progres i limituar 35 herë, pak progres 55 herë, progres i mirë dy herë dhe progres shumë i mirë zero herë. Bazuar nga këto të gjetura del se nga ana e institucioneve tona duhet shumë punë e angazhim me qëllim të përmbushjes së të gjeturave të cilat nuk janë të pakta”, tha ajo.

Ndërsa, deputetja nga PDK-ja Eliza Hoxha ka përmendur të gjeturat e raportit që flet për akuzat e presidentes Vjosa Osmani ndaj ish-kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka.

Hoxha: Në raport flitet për akuzat e presidentes Osmani ndaj ish-kryetares së KQZ-së, (Valdete) Daka

“Në faqen tetë raporti flet për akuzat e presidentes Osmani ndaj ish-kryetares së KQZ-së, (Valdete) Daka. Pra, edhe akuzat politike e personale sot raportohen në raport si qëndrime institucionale. Kjo s’ka ndodhur më parë me sa kujtoj dhe për shkak të këtyre akuzave ndonëse kurrë nuk është dëshmuar se çfarë shkelje bëri Daka. Ajo u shkarkua nga presidentja jashtëligjshëm madje edhe jashtë normave kushtetuese. Ndërsa, në faqen 10 të këtij raporti flitet për mësymjen e qeverisë për me i liru menaxhmentet e ndërmarrjeve publike dhe për t’i zëvendësuar ato me menaxhmentet e reja, ku i bëhet thirrje qeverisë që t’i respektojë procedurat ligjore”, u shpreh ajo.

Deputetët e kuvendit pas pauzës pritet të diskutojnë prapë për raportin për vendin. 

Murati: Synimi i strategjisë 2022-2030 është adresimi gjithëpërfshirës për vendin

Gjatë raportimi të Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi se strategjia kombëtare e zhvillimit 2016-2021, ka mangësi në disa sektor, meqë sipas tij, strategjia kombëtare e zhvillimit e aso kohe nuk ka qenë gjithëpërfshirëse, duke shpërfaqur mungesën e një vizioni adekuat për shëndetin dhe një fokus shumë të ngushtë në sektorin e drejtësisë.

Prandaj për këtë, ministri Murati theksoi synimi i strategjisë 2022-2030 nga qeveria aktuale është që të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përafrohet me 17 objektivat për zhvillim të qëndrueshëm.

Murati theksoi se qeveria ka miratuar programin legjislativ, i cili përmban gjithsej 130 projektligje për këtë vit.

Murat: Synimi i strategjisë 2022-2030, është që të jetë gjithëpërfshirëse

Strategjia kombëtare e zhvillimit 2016-2021 ishte hartuar përpara se të finalizoheshin objektivat për zhvillim të qëndrueshëm, prandaj, në vlerësimin e bërë, strategjia është në përputhje me 12 objektivat nga 17 dhe 22 indikator nga gjithsej 169 indikator të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ka mangësi në disa sektor, meqë strategjia kombëtare e zhvillimit e aso kohe nuk ka qenë gjithëpërfshirëse, duke shpërfaqur mungesën e një vizioni adekuat për shëndetin dhe një fokus shumë të ngushtë në sektorin e drejtësisë. Andaj, synimi i strategjisë 2022-2030, është që të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përafrohet me 17 objektivat për zhvillim të qëndrueshëm duke pasqyruar më mirë të gjithë agjendën 2030. Ne po punojmë me partnerët ndërkombëtar, me agjencitë e OKB-së për të siguruar përafrim me agjendën kombëtare të zhvillimit”, theksoi ai.

Deputetja nga PDK-ja, Ganimete Musliu pati kritika se si deputetë nuk kanë pranuar raport nga qeveria.

Musliu: Doracak që i përmbledh objektivat, por jo material tjetër

Ne nuk kemi marrë një raport nga qeveria që sot do të mundim përmes debatit që sa do pak të japim kontributin tonë si deputet, mendimin dhe idenë se nga dëshirojmë me shkua. Sot e kemi marrë në fillim të seancës një farë lloje doracaku që i përmbledh objektivat dhe nuk kemi material tjetër, i vetmi material që ne për këtë rend të ditës e kemi, është kjo. Prandaj, si GP i PDK-së këtë informatë e përkrahim”, theksoi ajo.

Në vazhdimin e seancës së sotme, deputetët kanë vazhduar punën për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb.

Nga VV-ja është propozuar për kryetar, deputeti Fitim Haziri me anëtarë të tjerë. PDK-ja ka propozuar dy anëtarë, Isak Shabani dhe Mërgim Lushtakun. LDK-ja ka propozuar si zëvendëskryetar të parë të komisionit, Agim Veliun. AAK-ja propozoi anëtar Albana Bytyqin. Duda Balje është propozuar nga komuniteti multietnik. Komisioni për zgjedhjen e një anëtari të bordit të RTK-së u zgjodh me këtë përbërje.

Tani deputetët janë duke debatuar lidhur me raportin për vendin për vitin 2021. 

***

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka prioritet integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Tahiri në foltoren e Kuvendit, ka thënë se Qeveria nuk ka përkushtim për liberalizimin e vizave.

Tani po debatojmë me vonesë për raportin për vitin 2021. Agjenda e integrimit evropian e kësaj qeveri është në qorrsokak. Qeveria nuk e ka prioritet integrimin evropian. Ne kemi zëvendës kryeministrin që ka detyrë dialogun zero progres, dhe detyrën e integrimit e ka zero progres. Nuk kemi përkushtim për liberalizim të vizave. Kërkohet që ligji për zyrtar të vihet në zbatim dhe nuk ka ndodhur asgjë. E vetmua gjë që po ndodh është që shefat e njësive me iu kufizuar mandatin. Ministri Sveçla ka thënë se do te vijë ligji i pagave në mars. Ka vazhduar avazi i emërimeve politike se krejt çka ka përqesh është ka e vesh”, tha Tahiri.

***

Kuvendi me 66 vota pro ka votuar raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Procedurën Përmbarimore.

Këtë raport e ka arsyetuar zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Legjislacion, Driton Selmanaj, i cili theksoi se gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji, janë identifikuar shumë të gjetura që nxjerrin në nivelin e zbatimit të tij.

Ai tha se me nenin 13 të këtij ligji, lejohet që përmbaruesi të bëjë pazar me njërën prej palëve në procedurë dhe në këtë mënyrë sipas tij zbehet drejtësia.

Selmanaj: Me këtë ligj lejohet që përmbaruesi të bëjë pazar me njërën prej palëve në procedurë

“Gjatë vizitave në terren dhe shqyrtimit të të dhënave, komisioni ka arritur të identifikoj shumë të gjetura që nxjerrin në pah nivelin e zbatimit të ligjit për procedurën përmbarimore, dhe po i përmend vetëm disa prej tyre. Me nenin 13 të këtij ligji, lejohet që përmbaruesi të bëjë pazar me njërën prej palëve në procedurë dhe në këtë mënyrë zbehet drejtësia. Nuk mund të ruhet pavarësia gjyqësore nga përmbaruesi përderisa I paguhet nga pala kreditore dhe negociohet përqindja e efikasitetit, ashtu që sistemi i tarifave duhet të kontrollohet dhe të vihet standardi I njëjtë në të gjitha nivelet. Nuk ka mekanizëm të caktimit të anëtarëve të Komisioneve disiplinor dhe nuk ka vlerësim të përformancës të anëtarëve të KGJK-së në këto komisione. KGJK-ja vlerëson se puna e përmbaruesve duhet kontrollohet dhe monitorohet në vazhdimësi. KGJK dhe Ministria e Drejtësisë nuk e bën vlerësimin e performacës së gjyqtarëve të cilët shërbejnë si anëtarë të komisionit disiplinor ndaj përmbaruesve privat e as oda nuk e bën vlerësimin e performacë së anëtarit dhe zëvendësanëtarit të saj në këtë komision”, tha ai.

Selmanaj më tej tha se Këshilli Gjyqësor nuk ka paraqitur kërkesë për rritjen e numrit të përmbaruesve, mirëpo KGK-ja konsideron se duke parë gjendjen aktuale, rritja e numrit të përmbaruesve privat është e nevojshme.

Në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Adnan Rrustemi theksoi se e mbështesin këtë raport i cili nxjerr rekomandime të dobishme.

Ai tha se ky raport nxjerr në pah defektet e caktuara nga praktika.

Rrustemi: Ky raport nxjerr në pah defektet e caktuara nga praktika

“Ne mbështesim këtë raport për ligjin sa i përket procedurës përmbarimore gjithmonë duke nxjerr në pah defektet e caktuara nga praktika dhe nevoja e përmirësimit të infrastrukturës ligjore për ta rregullua një herë e mirë këtë çështje dhe pa i cenuar të drejtat e qytetarëve siç u përmend nga gjetjet konkrete. Ne e mbështesim si grup parlamentar dhe besojmë që nga të gjeturat që u paraqiten, por edhe nga rekomandimet që janë të përfshira në këtë raport, është një bazë e mirë për ta rregulluar një herë e mirë çështjen e përmbarimit, sepse jemi dëshmitar edhe të mos funksionimit shpeshherë edhe të hendeqeve në këtë drejtim, por edhe të dëmtimit ët interesave të qytetarëve për sa i përket ekzekutimit të lëndëve të tyre”, theksoi ai.

Po ashtu, në emër të gp të PDK-së, deputeti Hajdar Beqaj, ka ofruar mbështetjen e këtij grupi për raportin në fjalë, i cili tha se është profesional e të duhur.

Hajdari: Është i domosdoshëm për t’u përkrahur

“Konsiderojmë që komisioni ka bërë një raport profesional të duhur, andaj, është i domosdoshëm për t’u përkrahur. GP i PDK-së e mbështet dhe konsideron që të gjeturat nga raporti janë të domosdoshme të implementohen”, theksoi Hajdari.

Edhe grupi parlamentar i AAK-së ka mbështetur raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Procedurën Përmbarimore. 

***

Me 66 vota për është miratuar Raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118.

Përkrahje i dhanë të gjitha Grupet Parlamentare në Kuvend, teksa opozita kërkuan të ndryshohet ligji për ndryshime disiplinore.

Këtë kërkesë e pati deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Gjatë procedurës hetimore këshilli eksoficio mund të suspendojë gjyqtarin dhe prokurorin nëse është nën hetime. Ka pasur ankesa në vonimin e ankesave dhe nuk është respektuar afati prej 30 ditëve. Është e rëndësishme të ndryshohet ligji për ndryshime disiplinore. Kërkoj mbështetjen e këtij raporti”, tha Selmanaj.

Ndërsa deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se Këshilli gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi për sistemet përkatëse.

“Në raport me gjetjet kanë rezultuar se rekomandimet i shërbejnë institucioneve përgjegjëse. Sistemi i drejtësisë nuk është efikas dhe nuk është zbatuar në masë të nevojshme. Ne e kemi evituar një pengesë duke ndryshuar ligjin disiplinor. Këshilli gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi për sistemet përkatëse”, tha ai.

Edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se si Grup Parlamentar kërkojnë nga Këshilli Gjyqësor t’i zbatojnë rekomandimet e komiisonit.  

“Edhe grupi i PDK-së në komisionin për legjislacion ka dhënë mbështetje për raportin. Grupi i PDK kërkon nga Këshilli Gjyqësor t’i zbatojë rekomandimet e komisionit”, tha ai.

Përkrahje i dha edhe Grupi Parlamentar i AAK-së.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, falënderoi Grupet Parlamentare për votimin e këtij Projektligji. Tha se krahas reformës do të jetë edhe Ligji për disiplinë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Më vjen mirë që njëra nga përgjegjësitë për zbatim të ligjeve ka nisur siç duhet nga komisioni për legjislacion. Përmes mbikëqyrjes vlerësohet edhe puna jonë. Krahas reformës edhe ligji për disiplinë të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Haxhiu.

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

​Kuvendi sot mban seancë plenare

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë vazhdimin e seancës plenare e cila kishte filluar të mërkurën. Seanca e re kishte filluar pasi që paraprakisht ishte mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për ndryshimin e çmimit të rrymës në Kosovë.

Seanca e filluar është ndërprerë për të vazhduar ditën e sotme pasi që nuk kishte kourum për të vazhduar rrjedha normale e seancës.

Vazhdimi i seancës do të fillojë në orën 11:00 dhe këto janë pikat e mbetura për t’u diskutuar:

4. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118
5. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,
6. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb,
7. Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”,
8. Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021,
9. Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat