Arsyetimi i Ramiz Kelmendit për mishin pa afat në depotë e kompanisë së tij

Aktuale

Arsyetimi i Ramiz Kelmendit për mishin pa afat në depotë e kompanisë së tij

Më: 16 mars 2022 Në ora: 18:33
Ramiz Kelmendi

Autoritetet shtetërore kanë konfiskuar mbi 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar në depotë e kompanisë “ELKOS Group”, pronë e politikanit biznesmen, ish-zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi.

Depoja e bastisur nga Policia e Kosovës gjendet në Zahaq të Pejës.

Në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës, njoftuan të martën autoritetet shtetërore. Produkti kishte origjinë nga Brazili, Italia dhe Polonia.

Por, kompania e biznesmenit Kelmendi ka mohuar të ketë planifikuar hedhjen në treg të mishit të konfiskuar për shkak të skadimit të afatit.

Sipas “Elkos Group”, menaxhmenti i kompanisë “veçse kishte përgatitur kërkesën për asgjësim malli” pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Agjencisë së Ushqimit (AUV).

Në një komunikatë për media, kompania, megjithatë pranoi se menaxhmenti ka “lejuar lëshime” në drejtim të parashtrimit të kërkesës për asgjësimin e mishit të konfiskuar të martën.

“Përgjegjesi i Depos ka vendosur mbishkrimin: ‘Produktet janë me afat të skaduar dhe nuk janë për shpërndarje”, tha “Elkos Group”, në një njoftim për media.

Media ka kontaktuar të mërkurën me Ramiz Kelmendin, drejtuesin e kompanisë, i cili mohoi të shtonte më shumë detaje sesa ato që kompania e tij i zbuloi në komunikatën për media.

Ish-zëvendëskryeministri, një biznesmen multi-milioner i Kosovës, tha se përgjegjësi për mishin me afat të skaduar ndodhet në mbajtje policore.

“Kemi dalë me deklaratë. Përgjegjësi juridik është ende në mbajtje 48 orë nuk e di se cilat kanë qenë veprimet mes përgjegjësit dhe kontrollës”, tha Kelmendi.

Sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për asgjësim, njoftuan autoritetet shtetërore të martën.

“Në deponinë e mbeturinave është bërë matja e mishit, pesha e përgjithshme e të cilit ishte: 36.180 (tridhjetë e gjashte mijë e njëqind e tetëdhjetë) kilogram. Për rastin janë arrestuar dy persona: A.H.. (menaxheri kryesor i pesë njësive të biznesit afarist) dhe A.A. (zëvendësmenaxher i depos)”, njoftoi Agjencia e Ushqimit të martën.

Të dyshuarit po hetohen penalisht për veprat “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat