Diplomatja, që krenohej me Kosovën, e ndryshoi fatin e historisë së shqiptarëve / Ollbrajt: “Unë gjithnjë ndihem kosovare”

Aktuale

Diplomatja, që krenohej me Kosovën, e ndryshoi fatin e historisë së shqiptarëve / Ollbrajt: “Unë gjithnjë ndihem kosovare”

Nga: Idriz Morina Më: 24 mars 2022 Në ora: 16:57
Dyshja e madhe, Medlin Ollbrajt dhe presidenti Klinton, pa të cilët nuk do të ndodhnin bombardimet e NATO-s

Medllin Ollbrajt, një mikeshë, dhe më shumë se aq një engjëll mbrojtës i shqiptarëve, siç është quajtur nga shumë veta, ka ndërruar jetë mbrëmë, për t’mos u harruar kurrë nga Kosova.

Po aq sa ishte vendimtare në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ishte vendimtare në bërjen e Kosovës shtet. Pa ndërhyrjen e NATO-s, realizimi i shtetësisë së Kosovës do të ishte i pamundur.

I pamundur, sepse duke pasur parasysh, se sa i brishtë, dhe sa ka mungesë sovraniteti Kosova, edhe pas Pavarësisë, bisedimet dhe lëshimet në to nga krerë të shtetit, në Vjenë, dhe më pas në Bruksel, e sollën në prag të dyshimit të ekzistencës.

Figura e saj, po kujtohet pa pushim nga institucione, media dhe nga vetë qytetarët shqiptarë, pasi lajmi mori hov, ditën e sotme, që përkon me 23 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s, kundër ushtrisë serbe.

Ajo nuk donte që shqiptarët të pësonin sikurse hebrenjtë apo sikurse kishte pësuar dikur Çekosllovakia e saj, nga regjimi diktatorial i Stalinit. Ajo ishte një studente dhe bashkëpunëtore e intelektualit të shquar Zbigniev Brzezinskit.

Medlin Ollbrajt, ish-presidenti Bill Klinton, komandanti amerikan i NATO-s Vesli Klark, dhe aso kohe kryeministri britanik Toni Bler, përbëjnë katërshen e madhe, pa të cilët sulmet dhe fitorja e NATO-s ndaj Serbisë nuk mund të ndodhte.

Image
Medlin Ollbrajt, ish-presidenti Bill Klinton dhe Toni Bler

Nga “Kërcënimi i Kërshëndellave”...

Ishte-presidenti Rugova, që arriti ta afirmojë çështjen e Kosovës, dhe së bashku me përkrahjen e madhe shqiptare që krijoi në Europë dhe në SHBA, arritën të krijojnë në një miqësi të jashtëzakonshme, dhe bashkëpunimi, që sot edhe vetë amerikanët i referohen shqiptarëve, si populli i vërtetë mik i amerikanëve, dhe mbështetësit më të mëdhenj të Amerikës.

Në fillimin e lëvizjes së udhëhequr nga presidenti Rugova, e nisur me LDK-në në vitin 1989, ia doli që të krijojë raportet e para me SHBA-të, përveç se u prit nga presidenti amerikan Gjorgj Bush i vjetri, ai i shpalli vijat e kuqe për Jugosllavinë, që nënkuptonte, se Jugosllavia nuk do të lejohej të bënte luftë kundër Kosovës. Në rast se e bënte këtë, atëherë ajo do të ballafaqohej me SHBA-të. Ky ka mbetur në histori edhe si kërcënimi i kërshëndellave i vitit 1992.

Ky kërcënim ishte bërë në kohën që po vazhdonin luftërat në Kroaci dhe në Bosnje, me Serbinë apo Jugosllavinë e mbetur.

Në vitin 1993, pas zgjedhjeve të vitit 1992, do të vinte në krye të SHBA-së, Bill Klinton, me të cilin shqiptarët dhe presidenti Rugova do të krijonin lidhje të veçanta dhe do të vazhdonin të merrnin mbështetje për realizimin e projektit shqiptar, bërjes së Kosovës shtet.

Gjërat duket se do të marrin një zhvillim edhe më pozitiv për shqiptarët, kur presidenti Klinton në mandatin e tij të dytë presidencial do ta emëronte sekretare të Shtetit, Medlin Ollbrajtin (23 janar 1997 – 20 janar 2001).

Në ndërkohë, shqiptarët kishin arritur të krijonin një rrjet të madh bashkëpunimi dhe përkrahësish në Kongresin amerikan dhe në Senat, por edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Njëri prej tyre ishte edhe presidenti aktual Jo Biden, i cili do të kishte bashkëpunim të mirë me shqiptarët dhe me administratën e udhëhequr nga demokratët amerikan. Ai tashmë njihej shumë mirë me zonjën Medlin Ollbrajt, njohje kjo dhe respekt, që edhe pavarësisht moshës së shtyrë me ardhjen e tij në krye të SHBA-ve do ta emëronte në një detyrë me rëndësi.

Ollbrajt: E ndiej veten kosovare

Presidenti Rugova gjatë detyrës së tij, të cilin SHBA-ja e njihte si udhëheqës legjitim të shqiptarëve, i zgjedhur me vota në vitin 1992, dhe me 1998, pat rast ta takonte shumë shpesh.

Madje edhe e pat dekoruar me “Medaljen e Lirisë” në vitin 2004 me rastin e pesë vjetorit të çlirimit të Kosovës, medalje të cilën ia dorëzoi vetëm me 5 korrik 2005, kur ajo erdhi për herë të dytë në Kosovë.

"Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të", kishte thënë Presidenti Rugova, pas dorëzimit të medaljes së lirisë zonjës Ollbrajt, në rezidencën në Velani në Prishtinë.

Ndërsa, Ollbrajt deklaronte: “Kosovës i kam kushtuar shumë kohë, duke menduar se si ta ndihmoja. Shumë shpesh jam ndierë edhe e shqetësuar për të. Prandaj, sot jam shumë e kënaqur që jam këtu, pikërisht këtë vit që është vendimtar për Kosovën”. “Të gjithë duan t'ju ndihmojnë. Unë nuk e përfaqësoj SHBA-në zyrtarisht, por po flas si një qytetare amerikane dhe, shpresoj, si një mike e këtij vendi, do të bëj çdo gjë që t'ju ndihmojmë dhe, sepse ky vit është vendimtar për Kosovën”. “E ndiej veten kosovare”.

Dhe këtë e kishte përforcuar edhe më në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës: “Unë gjithnjë ndihem kosovare dhe ndihma jonë nuk do të mungojë”, kishte thënë Ollbrajt.

Image
Presidenti Rugova ia dorëzon ish-sekretares Ollbrajt “Medaljen e Lirisë” në vitin 2005

Pra, kur Ollbrajt thoshte se 2005-ta ishte vit vendimtar për Kosovën, e kishte në mendje, shpalljen e shpejtë të Pavarësisë së Kosovës.

Por, si duket forcat e errëta do të kujdeseshin sërish, që kjo të mos ndodhte, aq shpejt. Në vjeshtën e atij, viti presidenti Rugova do ta deklaronte se ishte prekur nga kanceri, dhe në janarin e mëpastajmë do të ndërronte jetë, dhe projekti i Shpalljes së Pavarësisë, u zvarrit edhe për dy vite të tjera.

Se çfarë respekti ka pasur ish-sekretarja Ollbrajt për presidentin RUGOVA, e tregon vlerësimi kur thotë se ajo mban zi, dhe se do të kujtohet për trashëgiminë që ka lënë: "Mbajmë zi për ndërrimin e jetës së Presidentit Rugova dhe e kujtojmë trashëgiminë e tij. E ka prekur jetën e të gjithë neve... Dhe, unë isha e nderuar që e njoha".

Biden: Ollbrajt e ndryshoi krejtësisht valën e historisë

Energjinë dhe vlerat njerëzore që ka pasur ajo, ndoshta më së miri i ka përmbledhur vetë presidenti Biden, i cili shkroi në tviter mbrëmë me rastin e ndërrimit të jetës së saj, duke e quajtur një figurë që e ndryshoi krejtësisht valën e historisë, sigurisht se me këtë kishte në mendje, atë që bëri ajo për ta bërë NATO-m dhe perëndimin bashkë, për ta bombarduar Serbinë, që t’i jepte fund gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.

“Madeleine Albright ishte një forcë për mirësinë, hirin dhe mirësjelljen - dhe për lirinë. Të sajat ishin duart që e kthyen valën e historisë. Mua dhe Jill-it do të na mungojë shumë dhe do t'i dërgojmë dashurinë dhe lutjet tona familjes së saj”, shkroi në tviter Biden, duke reaguar jo vetëm si burrështetas, por edhe si një mik, dhe familjar.

Një tjetër ekspert europian ka reaguar në mënyrë prekëse, duke e parë veprën e saj si diplomate, në kontekst të luftës në Ukrainë.

Sergej Sumlenny, ekspert për Evropën Lindore shkroi në tviter: “Ka vdekur politikani më i zgjuar dhe më me moral nga të gjallët. U prefsh në paqe zonja Sekretare e Shtetit. Ju e keni bërë këtë botë një vend më të mirë. Ne do të përpiqemi të ndjekim rrugën që ju keni hapur për ne”.

Sumlenny është një nga ata ekspert, që po avokon me aq sa mundet, për ta bërë edhe njëherë Perëndimin bashkë e të fuqishëm, si në rastin e Kosovës, por kësaj here për ta ndalur Rusinë, dhunën e saj të egër dhe të rrezikshme, që po e përjeton sot Ukraina, por nesër mund të jenë shtete të tjera të BE-së.

Ndërsa, një gazetareje amerikane veterane, që ka raportuar edhe nga Kosova, i ka mbetur në mendje, se si shqiptarët e Kosovës, e nderonin ish-sekretaren Klinton, edhe me grafite.

“Kur po raportoja në Kosovë, pasi bombardimet e NATO-s i kishin dhënë fund luftërave të Millosheviçit, shqiptarët etnikë gërvishtnin në muret e qytetit: "Faleminderit Klinton. Faleminderit Olbrite". (E thoshin mirë.) RIP, zonja Sekretare Madeleine Albright”, shkruan në tviter Susan Milligan.

Biseda me Demaçin, për ta bindur Thaçin për nënshkrimin e Rambujesë

Një nga momentet kyçe të zonjës Ollbrajt, ishin, se ajo nuk po ia delte ta bindte dot Hashim Thaçin, që ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, kështu, që ajo i ishte drejtuar për ndihmë Adem Demaçit, emri i të cilit lakohej, se po refuzonte edhe ai një marrëveshje të atillë, siç ishte përgatitur në Rambuje.

Këto detaje, ajo i ka rrëfyer në njërin prej shumë librave të saj: “Zonja Sekretare – Memoare (Madam Secretary: a memoir)”, ku e tregon bisedën telefonike me Demaçin, i cili ndodhej atë kohë në Slloveni (si thuhej për një trajtim mjekësor), dhe ishte udhëheqës i zyrës së UÇK-së në Prishtinë.

“Më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja me të. I thashë: “Ka dy javë që palët po bisedojnë. Edhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit.”

Demaçi tha: “Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë.

Iu përgjigja: “Propozimi im nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. I thoni Thaçit se e mbështetni atë”.

Demaçi ma priti: “Është e pamundshme”.

“E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedat më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time. Pavarësisht nga Demaçi, presioni ynë më në fund pati sukses””.

Image
Medllin Ollbrajt pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, prapa saj Rugiva, Thaçi dhe Qosja

Marrëveshja e Rambujesë, ishte çelësi kryesor që NATO-ja, të mund t’i fillonte bombardimet ndaj Kosovës, nëse shqiptarët nuk do të nënshkruanin do të ishte një katastrofë e vërtetë. Për disa javë sa nuk u nënshkrua ajo, me ato shtyrje që i përmend edhe Ollbrajt, forcat e Serbisë, të drejtuara nga Millosheviçi, i forcuan pozitat e tyre strategjike, dhe u maskuan shumë mirë, për t’mos u vërejtur nga ajri. Po ashtu prania e tyre në Kosovë u rrit shumë.

Albright e ka vizituar Kosovën edhe në vitin 2019, dhe e mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Emrat e rrallë Medëlin në kujtim të zonjës Olbrajt

Për nder të saj, shumë vajza në Kosovë janë pagëzuar me emrin Medlin. Një nga rastet e para, ndoshta edhe i pari, ishte ai i mjekut nga Gjakova, Dr.Besnik Bardhit, i cili e kishte emëruar vajzën e tij, sipas zulmës që kishte krijuar ajo tek shqiptarët, së bashku me presidentin Klinton.

Me rastin e vizitës së Medlin Ollbrajt në Kosovë, kur qe nderuar nga presidenti Rugova me ‘Medaljen e lirisë”, në pesë vjetorin e çlirimit të Kosovës, e cila medalje i qe dhuruar asaj personalisht në Kosovë, gazetari i “Bota sot”, Beqir Sina e kishte intervistuar dr.Besnikun, babain e vajzës Medlin Bardhi.

“Dr. Besnik Bardhi: Ishte periudhë e luftës së përgjakshme, ishte viti 1999 koha e bombardimeve në Kosovë... Vdekja rrinte pran nesh. Varej kush nga ne, të gjithë shqiptarët, nga cili pozicion e shihnim vdekjen, dhe natyrisht, në çfarë distance. Na doli pengesa, se a duhet të largoheshim për në Shqipëri, bashkë me të tjerët. Ime shoqe mbante shtatzënësi të rëndë. Të rëndë, meqë shtat vjet pësonte dështime pas dështimeve në lindje. Dikush duhej të vdiste: ose fëmija ynë, nëse merrnim rrugë, ose ne të gjithë së bashku, nëse qëndronim midis flakës se tmerrshme të pirromanëve paramilitarë serbë. Në këtë situatë ne mbetëm në Gjakovë gjatë tërë kohës. Dëshira e Zotit ishte që ne të mbijetojmë. Qëndrimi historik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfundimin e luftës në Kosovë, ishte shkaku kryesor që, atëherë, në vlugun e luftës, të vendosim për emrin e fëmijës. Kuptohet, nëse do ta mbijetonim luftën.

Atëherë jemi betuar se nëse lind djalë do ta pagëzojmë Klinton, e nëse lind vajzë, do të ketë emrin e të madhërishmes znj. Albright.”

I theu konvencat dhe pengesat politike

Presidenti amerikan, në reagimin e tij zyrtar, të përcjellë edhe nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë, vlerëson se Madeleine Albright ishte një forcë. Ajo, sipas tij i sfidoi konvencat politike dhe ‘theu pengesat përsëri dhe përsëri’.

Medllin Ollbrajt sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë, kishte punuar, duke shfrytëzuar ‘talentet e saja’ së pari në Senat si pjesë e stafit për senatorin Edmund Muskie.

Ajo arriti të shquhej, veçanërisht në Kombet e Bashkuara si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara, “dhe në fund, bëri histori si Sekretarja jonë e parë grua e Shtetit, e emëruar nga presidenti”.

Kjo i referohet, kryeveprës së saj, si Sekretare Shteti, ndërhyrjes ushtarake në Kosovë. Edhe ajo vet e thoshte këtë, se krenohej më së shumti me ndihmën për shpëtimin e shqiptarëve.

“Sa herë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës.

Na ndan oqeani, por qytetarët e Kosovës i kam në mendje“, thoshte Madeline Albright.

Shtëpia e Bardhë e çmon se në biografinë e saj, Ollbrajt ishte një studiuese, mësuese, autore bestseller, dhe më vonë grua biznesi e suksesshme.

Presidenti Biden ka urdhëruar një zi të plotë kombëtare që duhet të respektohet nga të gjitha institucionet politike dhe ushtarake, “që flamuri i Shteteve të Bashkuara do të valëvitet në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjitha ndërtesat dhe terrenet publike, në të gjitha postet ushtarake dhe stacionet detare, dhe në të gjitha anijet detare të Qeverisë Federale në Distriktin e Kolumbisë, dhe në Shtetet e Bashkuara dhe Territoret e saj dhe deri në perëndim të diellit më 27 mars 2022.

Po ashtu flamujt amerikan do të ulen dhe valëviten në gjysmë shtizë deri më 27 mars, në të gjitha ambasadat e Shteteve të Bashkuara, legacionet, zyrat konsullore dhe objektet e tjera jashtë vendit, duke përfshirë të gjitha objektet ushtarake dhe anijet detare dhe stacionet”.

Kush ishte Medllin Ollbrajt

Sipas enciklopedisë “Britanica”, Medlin Olbrajt, quhej Marie Jana Korbel dhe ishte vajza e një diplomati çek.

“Pasi nazistët pushtuan Çekosllovakinë në 1939, familja e saj iku në Angli. Megjithëse e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj duke besuar se ata ishin arratisur për arsye politike, ajo mësoi vetëm në vitin 1997 se familja e saj ishte hebreje dhe se tre nga gjyshërit e saj kishin vdekur në kampet gjermane të përqendrimit.

Familja e saj ishte kthye në Çekosllovaki pas Luftës së Dytë Botërore, por grushti komunist i sponsorizuar nga sovjetikët i bëri ata përsëri refugjatë dhe në vitin 1948 ata ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara.

Korbel u diplomua në Kolegjin Wellesley (Massachusetts) (B.A., 1959) dhe u martua me Joseph Albright, një anëtar i familjes botuese të gazetave Medill. Pasi fitoi një diplomë master (1968) nga Universiteti Columbia, Nju Jork Siti, ajo punoi si mbledhëse fondesh për fushatën e dështuar presidenciale të senatorit Edmund Muskie në 1972 dhe më vonë shërbeu si asistentja kryesore legjislative e Muskie. Në vitin 1976 ajo kishte marrë një doktoraturë nga Kolumbia dhe punonte për Zbigniev Brzezinskin, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i presidentit Jimmy Carter.

Gjatë administratave republikane të presidentëve amerikanë Ronald Reagan dhe George H.Ë. Bush në vitet 1980 dhe në fillim të viteve 1990, Albright punoi për disa organizata jofitimprurëse dhe shtëpia e saj në Uashington, DC, u bë një sallon për politikanë dhe politikëbërës demokratë me ndikim. Ajo gjithashtu ishte profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetoun, Uashington, DC, nga viti 1982 deri në 1993.

Pas zgjedhjes së presidentit amerikan. Bill Clinton, një demokrat, në vitin 1992, ylli politik i Albright filloi të ngrihej dhe Clinton emëroi ambasadoren e saj në Kombet e Bashkuara në 1993. Në OKB ajo fitoi një reputacion për zotësinë si një avokate e ashpër për interesat amerikane dhe ajo promovoi një rol në rritje për Shtetet e Bashkuara në operacionet e OKB-së, veçanërisht ato me një komponent ushtarak. Emërimi i saj për postin e Sekretares së Shtetit u konfirmua unanimisht nga Senati në 1997.

Gjatë qëndrimit të saj në detyrë, Albright mbeti një përkrahëse e ndërhyrjes ushtarake dhe një kampione e fuqishme e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut. Veçanërisht, në vitin 1999 ajo bëri presion për bombardimet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në Jugosllavi për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve etnikë në Kosovë nga forcat jugosllave dhe serbe. Konflikti i Kosovës, të cilin disa e quanin Lufta e Madeleine, përfundoi pas 11 javësh sulmesh ajrore, kur Jugosllavia ra dakord me kushtet e NATO-s.

Albright ishte gjithashtu e përfshirë në përpjekjet për t'i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe në vitin 2000 ajo u bë zyrtarja më e lartë e SHBA-së që vizitoi vendin. Megjithatë, bisedimet e saj me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il, dështuan në një marrëveshje.

Me përfundimin e mandatit të dytë të Bill Clinton në 2001, Albright u largua nga shërbimi qeveritar dhe themeloi Albright Group, një firmë konsulence me bazë në Uashington, DC. Ajo më vonë mbështeti ofertat presidenciale të Hillary Clinton në 2008 dhe 2016.

Albright shkroi një numër librash, duke përfshirë The Mighty and the Pighty: Reflections on America, God, and World Affairs (2006), Memo për Presidentin e Zgjedhur (2008) dhe Fashism: A Warning (2018). Zonja Sekretare (2003), Dimri i Pragës: Një histori personale e kujtesës dhe luftës, 1937–1948 (2012) dhe Ferri dhe destinacione të tjera (2020) janë kujtime.

Në vitin 2012, Albright u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë”, shkruan britannica.com.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat