OJQ-të: Në konkursin për kryeprokuror po ka qasje preferenciale, po favorizohet ky kandidat

Aktuale

OJQ-të: Në konkursin për kryeprokuror po ka qasje preferenciale, po favorizohet ky kandidat

Më: 25 mars 2022 Në ora: 19:07
Gëzim Shala

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë që organizatat joqeveritare kanë vërejtur disa parregullsi në procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, andaj kanë kërkuar që ky proces të kthehet në pikën zero.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol si Koalicion i Organizatave Joqeveritare kemi monitoru procesin për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit”, ka thënë Shala.

Shalla fillimisht pati lëvdata për transparencën në procesin e zgjedhjes, duke thënë se ka qenë më mirë se secila herë e kaluar.

“Fillimisht duhet të potencoj faktin që ky proces, për dallim prej proceseve paraprake, ka qenë një proces jashtëzakonisht transparent dhe që është një praktikë pozitive që duhet marrë për bazë dhe me raste të tjera”.

“Pra këshilli prokurorial i Kosovës ka vendosur që t’i publikojë dokumentet, që t’i përfshijë mediat dhe shoqërinë civile që ta monitorojnë këtë proces, dhe kanë transmetuar intervistat e të gjithë kandidatëve në televizonin publik”.

Sidoqoftë, ata kanë vënë re disa parregullsi përfshirë në dizajnin e procesit dhe strukturën e intervistës.

“Mirëpo ne gjatë monitorimit të të gjitha këtyre fazave kemi evidentuar disa mangësi të konsiderueshme që kemi parë se është e nevojshme që ky proces të kthehet nga pika zero”.

“Fillimisht kemi parë se ky proces nuk është dizajnuar në mënyrë adekuate për shkak se është udhëhequr  nga një koncept-dokument i cli është draftuar në një sistem pothuajse tjetër, është draftuar në kohën kur kryeprokurori i shtetit ka qenë edhe kryesues  i Këshill Prokurorial të Kosovës dhe që në njëfarë forme edhe në formularin janë ngatërruar kompetencat në mes të këtyre dy institucioneve dhe që ne kemi parë që edhe kandidatët e kanë pasur problem që ta bëjnë dallime në mes të kompetencave dhe të këtyre dy institucioneve”.

“Po ashtu kemi parë që nuk ka pasur një intervistë të strukturuar ku disa kandidatëve u kanë bërë pyetje shtesë e disave jo; edhe ka pasur pyetje të cilat u janë parashtruar disa kandidatëve e të cilat pyetje nuk janë parashtruar edhe kandidatëve të tjerë”.

OJQ-të kanë vlerësuar se asnjëri kandidat nuk i ka plotësuar kriteret për t’u zgjedhur kryeprokuror, dhe për më tepër, ata kanë thënë se ka pasur qasje preferenciale nga ana e panelit vlerësues.

“Sipas vlerësimit të organizatave të shoqërisë civile, në rastin konkret, fatkeqësisht asnjëri prej kandidatëve nuk i ka përmbushur kriteret mbi atë se cili duhet të jetë kryeprokurori i ri i shtetit në Kosovë”.

“Mirëpo ne kemi parë që gjatë intervistës ka pasur për disa kandidatë një qasje preferenciale të panelit vlerësues që në fakt e ka vënë në dyshim edhe vetë projektimin që e ka bërë paneli vlerësues në raport me kandidatët”.

Shala e veçoi kandidatin Blerim Isufaj që sipas OJQ-ve të lartpërmendura, ka marrë një trajtim më preferencial nga paneli.

“Sipas monitorimit tonë që ua kemi bërë koncept-dokumenteve, e po ashtu edhe intervistave, ka një favorizim, ka një qasje preferenciale nëse mund të themi të konsiderueshme të panelit vlerësues në raport me kandidaten e parë që është zotëri Blerim Isufaj”.

“Sipas panelit vlerësues, zotëri i Isufaj i është notuar me gjithsej 98 pikë nga 100 sa kanë qenë gjithsej, pra në këtë për qind të zotëri Isufaj i kanë munguar vetëm dy pikë nga 100 gjithsej sa ishin”.

“Dhe ne kemi parë që në koncept-projektin e zotëri Isufajt ka një numër të konsiderueshëm të problemeve të cilat nuk evidentohen dhe nuk i vihen pikë minus zotëri Blerim Isufaj nga ana e panelit vlerësues. Kemi të bëjmë me përzgjedhje të kompetencave, mungesë të vizionit, e të tjera”.

“Nuk e di realisht se pse ndodh kjo, por ta marr edhe një shembull tek vetë mënyra qysh iu kanë qasë paneli vlerësues zotëri Blerim Isufajt. Nëse e shohim qasjen apo kurtuazinë e treguar të panelit në raport me zotëri Blerim Isufajn dallon jashtëzakonisht shumë dhe në fund të secilës përgjigje të zotëri Blerim Isufaj. Ai miratimi që jepet nga ana e panelit vlerësues e tregon diqysh në njëfarë forme që një vëzhgues objektiv e kupton se vlerësimi për të njëjtin do të jetë maksimal”.

“Po ashtu ka qenë një problematikë nga paneli vlerësues me rastin e vlerësimit të integritet dhe kjo ka qenë fillimisht e shprehur për të gjithë kandidatët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat