Krastija e drunjve në kryeqytet: Qytetarët e vlerësojnë të mirë, por pak të vonuar

Aktuale

Krastija e drunjve në kryeqytet: Qytetarët e vlerësojnë të mirë, por pak të vonuar

Më: 29 mars 2022 Në ora: 20:53
Krastija e drunjve

Punëtorët e “Hortikulturës” të hënën janë duke kryer krasitjen e drunjve në sheshet e Prishtinës dhe në disa pjesë të tjera të kryeqytetit.

Krasitja e drunjve dekorativë në sheshet e qytetit ka nxitur edhe reagime të ndryshme nga qytetarët.

Faik Shaljani tha se kjo krasitje e këtyre drunjëve është punë e mirë e bërë nga Komuna e Prishtinës.

“Kjo krasitje është bërë shumë me vend dhe shumë mirë kanë bërë, sepse ka pasur nevojë dhe është zbukuruar edhe qyteti, sepse tani drunjt nxjerrin piptha dhe degë të reja. Po vërehet edhe një pastërti”, tha ai.

Në anën tjetër Avdi Gjonbalaj, shprehet se krasitja nuk është bërë në kohën e duhur.

“Krasitja e pemëve ose drunjve dekorativë bëhet në vjeshtën e vonë ose në pranverën e hershme… Kjo krasitje tash është e vonuar. Përveç kësaj janë jashtëzakonisht shumë të prerë. Kjo nuk guxon të shkurtohet në këtë formë. Këta fare nuk e kanë pasur idenë se si duhet të duken pemët kur fillojnë të mbushen. Fatkeqësisht e gjithë Kosova nuk e ka asnjë ekspert për hortikulutrë ose siç i thojnë ndryshe arkitektura peisazhore ”, deklaroi Gjonbalaj.

Januz Dragidelli e pohoi faktin qe është në rregull krasitja e drunjtëve nga ana e komunës duke shtuar se në këtë mënyrë drunjtë rigjenerohen.

“Kanë bërë mirë, sepse pemët duhet të rigjenerohen. Nuk e di a është bërë kjo gjë në kohën e duhur. Ata që  e kanë bërë këtë duhet ta dijnë më mirë. Sido që të jetë këto një herë duhet të krasiten për tu rigjeneruar për të dalë të rejat pastaj”, deklaroi Dragidelli.

Sipas Rrahman Zeqirajt krasitja është dashur të bëhet më herët, sepse drujnët bëhen më të fortë kur krasiten.

“Unë mendoj që është bërë punë e mirë. Mendoj që është në rregull, sepse këto përtërihen dhe krijojnë një kurorë normale, që duhet ta kenë, sepse bëhen edhe më të forta pemët. Nuk jam ekspert i bujqësisë, por mendoj që kanë bërë punë të mirë. Edhe ka qenë dashur edhe më herët të krasiten pak”,  tha ai.

Ndërkaq në lidhje më këtë çështje Komuna e Prishtinës, gjatë ditës së sotshme ka dalur me një sqarim.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se ndërmarrja “Hortikultura” me kërkesë të Komunës së Prishtinës, përkatësisht të Drejtorisë së Parqeve, deri më tani ka përfunduar pastrimet fito sanitare në të gjithë qytetin e Prishtinës.

“Në kuadër të pastrimit fito sanitar është edhe dhënia e formës së drunjtëve dekorativ gjegjësisht kurorës se tyre, prerja e degëve të thara, dhe të thyera si dhe degëve potencialisht të sëmura. E gjitha kjo bëhet në drejtimin e ruajtjes se gjendjes se përgjithshme shëndetësore të vet bimës”, thuhet në njoftimin e Komunës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat