Serbët në ofensivë/ Spahiu e Çitaku flasin për vizitën e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë

Aktuale

Serbët në ofensivë/ Spahiu e Çitaku flasin për vizitën e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë

Më: 9 prill 2022 Në ora: 16:28
Vlora Çitaku dhe Avni Spahiu

Takimi i ambasadorit serb, Marko Gjuriq, me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ka nxitur reagime të shumta. Ish-ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu, ka thënë se s’është e zakonshme që një president ta pres në Zyrën Ovale një ambasador, derisa ish-ambasadorja Vlora Çitaku e sheh më shumë si një takim ceremonial, pasi që Gjuriq kishte dorëzuar kredencialet virutalisht para një viti si rezultat i pandemisë dhe s’kishte pasur mundësinë e një takimi fizik.

Megjithatë, të dy shprehin shqetësimin e tyre që deri tani në Shtëpinë e Bardhë s’ka pasur ndonjë vizitë nga liderët e shtetit të Kosovës e as ndonjë takim në nivel Sekretari apo të ngjashëm. Teksa flitet për mungesë vizitash, të dy e theksojnë faktin që diplomacia serbe në Amerikë është vendosur në ofensivë dhe thonë se liderët e shtetit të Kosovës sa më parë duhet të realizojnë udhëtime për në SHBA dhe takime të nivelit të lartë, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, për të mos lejuar hendeqe në raportet Kosovë-SHBA.

Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, shpërndau një fotografi me Presidentin Joe Biden e realizuar në Zyrën Ovale. Gjuriq shkroi se pati një takim dhe bisedë të shkurtër me Shefin e Shtëpisë së Bardhë. Një njoftim i tillë i Gjuriq nxiti reagime të shumta marrë parasysh raportet Serbi-SHBA dhe faktin se liderët e Kosovës ende s’kanë arritur të realizojnë vizita në Washington e “White House”.

Ish-ambasadori Spahiu thotë se pritja në Zyrën Ovale e një ambasadori nga ana e presidentit amerikan nuk është e zakonshme, përveç në rastet kur dorëzohen kredencialet.

“Nuk është e zakonshme që një President të takojë një ambasador në Zyrën Ovale, pos me rastin e dorëzimit të kredencialeve, siç e priti Presidenti Biden ambasadorin serb Gjuriq, një njeri që deri dje ishte eksponenti më i zëshëm serb kundër ShBA-ve”, tha Spahiu.

Spahiu tha se takimi lidhet edhe me votën e Serbisë pro pezullimit të Rusisë nga Këshillin për të Drejtat e Njeriut në OKB.

“Kjo flet për një intensifikim të raporteve me Serbinë, që lidhet edhe me votën e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-se në favor të përjashtimit të Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.

Por, ish-shefja e misionit diplomatik të Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, tha se takimi i Gjuriqit është pjesë e pritjeve vjetore që presidenti i ShBA-ve i realizon me korin diplomatik.

“Ndonëse nuk i di detajet, më duket se pritja e ambasadorit të Serbisë në Shtëpi të Bardhë më ngjason me pritjet vjetore që Presidenti i ShBA-ve ka organizuar për korin diplomatik të akredituar së voni në SHBA”, tha ajo.

Nënkryetarja e PDK-së u shpreh se një pritje të tillë do të organizohet edhe për ambasadorin kosovar në SHBA pasi që ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve e ka pasur online.

“Këto lloj pritjesh për korin diplomatik kanë qenë të rëndomta para pandemisë. Nga formati po më ngjason njëjtë dhe unë besoj që edhe ambasadori i Kosovës do të ftohet shpejtë në një pritje të tillë, sepse ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve e kanë pasur online”, tha Çitaku.

Por se diplomacia serbe është në ofanzivë në administratë e Kongresin amerikan pajtohen të dy ish-ambasadorët kosovarë.

Ish-ambasadori Spahiu thotë se Serbia ka zhvilluar një diplomaci tepër agresive në Administratën Biden dhe në Kongres.

“Është e qartë se Serbia ka zhvilluar një diplomaci tepër agresive për t’iu qasur Administratës amerikane të Bajdenit, por edhe më gjerë, si në rastin e krijimit të një lobi proserb në Kongres.Sa më shumë që Serbia  do të shkëputet nga Rusia aq më i gatshëm është Uashingtoni për të intensifikuar raportet me Serbinë dhe këtë duhet ta kemi parasysh”, tha Spahiu.

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku tha se “jemi dëshmitarë të rritjes së angazhimit të diplomacisë serbe në Kongres."

Duke folur për mungesën e vizitave zyrtarëve të krerëve të shtetit të Kosovës në ShBA, ish-ambasadori Spahiu tha se ëshë hera e parë që liderë kosovarë nuk e kanë vizituar Washingtonin për një kohë kaq të gjatë.

“Është po aq indikativ fakti se është hera  e parë që liderë kosovarë nuk kanë vizituar Uashingtonin për një kohë kaq të gjatë. Vizita e parë e liderëve të vendit është dashur të bëhej pikërisht në Uashington. Dhe, kjo gjë nuk duhet përçmuar”, tha ai.

Mosrealizimin e asnjë vizite zyrtare të krerëve institucionalë të Kosovës tash e një vit në Washington po e sheh si shqetësuese ish-ambasadorja kosovare në ShBA.

“Ceremonitë e tilla protokolare nuk janë për t’u marrë me shqetësim. Ajo çfarë duhet të na shqetësojë është se tani e një vit nuk kemi asnjë vizitë zyrtare në SHBA. Nuk ka pasur ende asnjë takim me Sekretarin e Shtetit, Sekretarin e Mbrojtjes, Shtëpinë e Bardhë. Fatkeqësisht kemi parë konfrontime publike, e të panevojshme nga ana e zyrtarëve tanë, e kjo më shqetëson shumë.”, tha Çitaku.

Duke folur për planifikimin e kryeministrit Kurti që të realizojë vizitë në SHBA në muajin maj, Çitaku tha se vizita e tillë e Kurtit ka qenë dashur të ndodhë më herët.

“Shpresoj që Kryeministri të ketë agjendë të qartë dhe substanciale. Mua më shqetëson fakti që një vizitë e tillë nuk ka ndodhur ende. Një gjë është e qartë, aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti”, tha ajo.

Ndërkaq, ish-ambasadori Spahiu shpreson se diplomacia kosovare të zgjohet nga apatia dhe të moslejohen divergjenca në raportet e Kosovës me partnerin kryesor ShBA-në.

Shpresojmë se së shpejti diplomacia jonë do të zgjohet nga apatia dhe do të zhvillojë një diplomaci aktive jo vetëm në Uashington por edhe në vende të tjera partnere, për të mos lejuar krijimin e ndonjë hendeku në marrëdhënie. Çdo neglizhencë tonën do ta shfrytëzojë pala tjetër. Dhe, nuk duhet të lejojmë më të ketë divergjenca në raportet tona me partnerin kryesor SHBA-në”, tha ai.

Ish-ministrja e integrimeve evropiane tha poashtu se po presin agjendë dhe rezultate pas zotimeve të kryeministrit Kurti për aplikimin të statusit të kandidatit në BE, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Kryeministri është zotuar se Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit për BE këtë vit, pastaj është zotuar për PFP(Programi i Partneritetit për Paqe) i NATO-s. Sikurse që është zotuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Tash po presim agjendë dhe rezultate. Nëse si liderë të opozitës jemi të gatshëm të ndihmojmë”, tha Çitaku.

Kryeministri Albin Kurti pas një viti në pushtet akoma s’ka realizuar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në fund të vitit të kaluar ka përmendur stinën e pranverës si periudhë kur do të udhëtojë përtej Atlantikut, ndërkaq para disa jave e ka përmendur muajin maj si muaj kur do të udhëtojë për në “tokën e premtuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat