​Mustafi: Për herë të parë Qeveria e Kosovës shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë

Aktuale

​Mustafi: Për herë të parë Qeveria e Kosovës shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë

Më: 11 prill 2022 Në ora: 13:54
Mustafi

Iniciativa për shkarkimin e kryetares së Preshevës, Ardita Sinani po konsiderohet të jetë e nxitur nga jashtë dhe nuk ka qëllim interesat e shqiptarëve të Luginës. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi deklaron se tentativa të tilla të Kuvendit Komunal dëmtojnë interesin e shqiptarëve në Preshevë.

Me këtë nuk është pajtuar as kryeministri Albin Kurti, i cili në takimin e përfaqësuesve të Luginës ka deklaruar se përfaqësues të luginës ka thënë se nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin.

Sipas Mustafit, për herë të parë Qeveria e Kosovës shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë.

Pas takimit të ftuar nga shefi i ekzekutivit, Ragmi Mustafi deklaron për KosovaPress, se mëngjesin e sotëm në Prishtinë, është diskutuar çështja e pasivizimit të adresave, abuzimit me të drejtat e shqiptarëve por edhe organizimeve politike në Preshevë.

Në këtë takim ka qenë i ftuar edhe kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu dhe kreu i APN-së, Shqiprim Arifi, por të njëjtit nuk kanë qenë të pranishëm.

Mustafi: Kjo iniciativë po dëmton interesat e Luginës së Preshevës

“Konsideroj se kjo iniciativë nuk është burimore e Preshevës, nuk është qasje politike apo përplasje politike, por është më tepër përplasje e acarimit të pozitës politike që kanë parti politike. Në anën tjetër duke mos kuptuar situatën, momentin në të cilin gjeopolitikësh Lugina e Preshevës, Kosova dhe Ballkani Perëndimor, unë po besoj që me këtë vetëm sa po dëmtojnë, përkatësisht po përçajnë e po përçojnë përçarje dhe po dëmtojnë interesat e Luginës së Preshevës”, deklaron ai.

Iniciativa e shkarkimit të Ardita Sinanit, sipas tij, është e nxitur nga jashtë. Në anën tjetër, ai thotë se ka “fije shpresë” për zgjedhjen e Shaip Kamberit, deputet në Parlamentin e Serbisë.

Mustafi: Konsiderojmë që është e nxitur nga jashtë

“Nuk është vetëm çështje e shkarkimit, është konteksti dhe koha kur po ndodhë kjo. Kjo po ndodhë pas zgjedhjeve parlamentare ku shqiptarët kanë dalë pa asnjë deputet, përkatësisht në dy lista. Listën që udhëhoqi Shqiprim Arifi dhe që mori shumë pak vota, përderisa në listën që udhëhoqi Shaip Kamberi për 300 vota nuk arriti të bëhet deputet. Edhe pse ka një fije shprese se mund të ndodhë kjo. Pas përplasjeve shumë të mëdha mes spektrit politik të Luginës së Preshevës që nuk kishte ndodhur në Luginë dhe prodhim i acarimit të marrëdhënieve ndërpartiake të subjekteve politike duke mos qenë kjo iniciativë burimore e Preshevës, konsiderojmë që është e nxitur nga jashtë e që ka për qëllim të akomodojë interesa të të tjerëve e jo të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shton Mustafi në intervistën për KosovaPress.

Derisa komenton thirrjen e Kurtit për mos-shkarkimin e kryetares së Preshevës, Mustafi deklaron se është hera e parë që qeveria shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë.

Mustafi: Qeveria e Kosovës është e interesuar me atë që po ndodhë në Luginë

“Pasur këtë parasysh ai në këtë moment kërkon që të jemi më unik e të kemi një qasje më të përbashkët sa i përket politikës në Luginën e Preshevës. Dhe në anën tjetër fton që të mos jemi pjesë e acarimit ndër shqiptar dhe shkarkimit të zonjës Ardita Sinani. Pra, unë besoj që kjo është hera e parë që drejtpërdrejt kryeministri i Republikës së Kosovës ka shprehur interes për çështjet e brendshme të Luginës së Preshevës, besoj që ka bërë mirë. Ka bërë mirë në njërën anë duke vënë në pah se Qeveria e Kosovës është e interesuar me atë se çfarë është duke ndodhur Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e posaçërisht në kuvendet komunale”, përfundon Mustafi.

Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, është diskutuar edhe për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat