Byroja për Pasurinë e Paligjshme nga Qeveria Kurti, Liri Loshi jep një lajm të keq

Aktuale

Byroja për Pasurinë e Paligjshme nga Qeveria Kurti, Liri Loshi jep një lajm të keq

Nga: A.ZH Më: 15 korrik 2022 Në ora: 23:07
Liri Loshi dhe Albin Kurti

Liri Loshi, ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka quajtur lajm të mirë që partitë opozitare në Kosovë, pajtohen që duhet të hetohet prejardhja e pasurisë së personave publikë.

Por, Loshi e ka quajtur lajm të keq, faktin që Qeveria e Kosovës nuk e ka përgatitur mirë ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, përcjell Bota sot.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, që të tregojë kompetencë dhe profesionalizëm, ose duhet të riformatohet e riorganizohet.

Reagimi i Loshit në Facebook:

Byroja

Lajm i mirë është se jo vetëm dy partitë në pushtet, por edhe të tri partitë opozitare pajtohen se njëfarë shqyrtimi i prejardhjes së pasurisë së personave publikë dhe familjeve të tyre, duhet të ndodh. Tani duhet të gjenden modalitetet më të mira që janë të pranueshme për të gjithë. Në asnjë rast ky moment nuk guxon të politizohet në atë mënyrë që të tingëllojë si hakmarrje e një grupi politik ndaj një grupi tjetër. Ne nuk e dimë kujt do t’i ndodh konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar dhe nuk e dimë a do të jenë “viktimat” nga pozita, apo nga opozita.

Lajm i keq është se qeveria nuk e ka përgatitur mirë ligjin. Dhe, lajm edhe më i keq është që ky ligj me aq shumë mangësi ka kaluar në lexim të parë, ndërkohë që është dashur të kthehet prapa dhe të rishkruhet e përpunohet deri në detaje që tek pastaj të sillej përsëri në Kuvend.

Kur ka ministra të dobët e deputetë kompetentë, është një fije shprese që hapësirat boshe të qeverisë t’i mbushë parlamenti. Por, kur edhe deputetët janë njësoj të pa emancipuar dhe të papërgjegjshëm politikisht, atëherë të dy palët mbesin duke u bazuar në njëri tjetrin dhe puna mbetet e pakryer. Pikërisht kjo ka ndodh kësaj radhe. Ministria e drejtësisë në mungesë të ekspertëve të mirë juridikë, ka llogaritur në ekspertizën e legjislativit për ta amanadamentuar një ligj për të cilin janë evidencuar aq shumë vërejtje dhe aq shumë rekomandime nga komisioni i Venedikut! Deputetët, në anën tjetër, e kanë kaluar një ligj që nuk i plotëson kriteret elementare për të kaluar. Kjo ka ndodh për faktin e thjeshtë se ose janë të paditur, ose të papërgjegjshëm, pra ose nuk kanë kuptuar çfarë kanë lexuar, ose nuk i kanë lexuar fare rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Ministria e drejtësisë duhet të tregojë kompetencë dhe profesionalizëm, ose duhet të riformatohet e riorganizohet. Shteti ec përpara me punë vetëmohuese e përgjegjësi të lartë politike. Jo me diletantizëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat