Shtëpia e Bardhë del me përgjigje ndaj kërkesës së Grenellit për dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Shtëpia e Bardhë del me përgjigje ndaj kërkesës së Grenellit për dialogun Kosovë-Serbi

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 10:15
Richard Grenell

Presidenti Joe Biden nuk pritet të emërojë të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, siç kërkoi ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, republikani Richard Grenell.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, tha të hënën për gazetën The Pavlovic Today se Presidenti Biden ka “dy ambasadorë të konfirmuar në rajon, të cilët po punojnë aktivisht për këtë çështje në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”.

Përveç ambasadorëve përkatës në Prishtinë dhe Beograd, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deleguar zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, zv/ndihmës sekretarin e Shtetit, diplomatin Gabriel Escobar, për të mbikëqyrur politikat në rajonin e Ballkanit.

Javën e kaluar, pas bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Richard Grenell, ish-i dërguari special për dialogun, i bëri thirrje Presidentit Biden të “përshpejtojë” dhe të emërojë një të dërguar të posaçëm për dialogun.

“Ajo që na duhet tani është diplomacia me muskuj”, tha Grenell.

Të premten e javës që shkoi, Grenell tha se është i shqetësuar nga zhvillimet në negociatat e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai, në një video-konferencë të organizuar nga Instituti i Parë Politik Amerikan, tha se dialogu ka kollapsuar, por lavdëroi aftësitë e kryeministrit Albin Kurti në negociata.

Sipas Grenellit, Kurti është negociator i mirë.

Por, ai fajësoi shefin e qeverisë kosovare për refuzimin e “gjithçkaje që është propozuar nga BE-ja, SHBA-ja, madje edhe Serbia”.

“Ai është një negociator i fortë, por kur i del një ide që nuk është rrugë njëkahëshe, duhet të arrijë kompromis. Kështu do ta merrte liberalizimin e vizave”, tha ai.

Duke folur për targat, Grenell tha se për tensionet në veri ishte faji i Kurtit, i cili insistoi se reciprociteti duhet të përmbushet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat