Kurti kërkon dënim meritor për dhunuesit e 11 vjeçares: Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria

Aktuale

Kurti kërkon dënim meritor për dhunuesit e 11 vjeçares: Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria

Nga: M.L. Më: 29 gusht 2022 Në ora: 20:40
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me rastin e dhunimit të të miturës 11 vjeçare nga pesë persona në Prishtinë.

Ai në një postim në Facebook ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e 11 vjeçares, përcjell "Bota sot".

Kryeministri ka thënë se akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor.

Dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare

Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.

Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor”, ka shkruar kryeministri.

Ai ka thënë se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale.

Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër.

Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku”, ka përfunduar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat