​Këngëtarët me nam deklaruan vetëm 400 euro për një dasmë

Aktuale

​Këngëtarët me nam deklaruan vetëm 400 euro për një dasmë

Më: 31 gusht 2022 Në ora: 15:32
Ilir Murtezaj

Administrata Tatimore e Kosovës u ka bërë thirrje veprimtarive të gastronomisë që të bëjnë deklarimin e të hyrave gjatë sezonit veror. Gjatë së mërkurës, u tha se shumë persona kanë deklaruar më pak të hyra në krahasim me ato që janë fituar gjatë kësaj periudhe. Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka bërë të ditur se shumë shpejt do të fillojnë procedurat e kontrollit dhe inspektorët janë të detyruar që të aplikojnë masa ndëshkuese. Nga inspektimet në terren, ai ka njoftuar se janë shqiptuar rreth 1200 gjoba.

Në konferencë për media, Murtezaj ka folur rreth aktiviteteve dhe gjetjeve në teren për veprimtarinë gastronomi/hoteleri, këngëtar, si dhe sallonet e bukurisë në sezonin e verës.

Drejtori Ilir Murtezaj tha se sektori i gastronomisë është një ndër sektorët që prodhon rreziqe dhe mos përmbushje tatimore.

Murtezaj: Nga inspektimet në terren ka rezultuar që të kemi informata të larmishme

“Nga inspektimet në terren ka rezultuar që të kemi informata të larmishme ku kemi identifikuar raste në shpërputhje të mëdha të asaj se çfarë kanë deklaruar të kaluarën dhe çfarë kanë gjetur inspektorët tanë në terren me prezencë fizike. Dhe kjo përputhje sigurisht që duhet të reflektojë në veprimet tona, të gjitha rastet që pas afateve të rregullta, që të shfrytëzojnë afatet e rregullta, për deklarimin e të hyrave që ata kanë realizuar gjatë kësaj periudhe, me qëllim që të paguajnë tatimet në përputhje me normat ligjore dhe sipas afateve të rregullta për ata të cilët janë deklarues të TVSh-së, dihet se është afati deri më datën 20 shtator për muajin gusht. Afati tjetër për bizneset dhe individët që nuk janë deklarues të TVSh-së është afati 15 tetor. Pas përfundimit të këtij afati, atëherë ne do të jemi të detyruar që të bëjmë krahasimin e deklarimit të tyre me të dhënave që i kemi në databazën tonë. Për të gjitha rastet që konstatohet që ka nën-deklarim ose nuk ka deklarim fare, atëherë të fillojnë procedurat e kontrollit, inspektorët janë të detyruar që të marrin aplikojnë masa ndëshkuese”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se këngëtarë të shumtë kanë deklaruar shuma të vogla të fitimit, në krahasim me ato që janë në realitet vetëm gjatë një ahengu.

Murtezaj: Ka diskrepancë shumë të madhe


“Ka raste më eklatante ose më evidente, ku një këngëtar që është konsideruar me emër dhe reputacion në estradën tonë kosovare ka deklarim 400-500 euro në një ndejë ose aheng, në diskotekë apo dasmë. Dihet që informatat tjera që i kemi evidente, çmime të tilla shkojnë 7000, 8000 apo 10000 mijë euro. Dhe kjo është një diskrepancë shumë e madhe. Ka edhe raste të tilla që kanë deklaruar saktë, për aq sa kanë të hyrat reale. Jemi të obliguar që të gjitha këto raste t’i trajtojmë kujdesshëm dhe gjithmonë aty ka shmangie të tilla qoftë me mosdeklarim apo nëndeklarim të veprojmë”, ka shtuar ai.

Në konferencë për media, Murtezaj ka shtuar se kanë shqiptuar rreth 1200 gjoba.

Murtezaj: Nga 2 mijë inspektime, janë shqiptuar rreth 1200 gjoba

“Nga rreth 2 mijë inspektime që kemi pasur gjatë kësaj periudhe janë evidentuar disa shkelje të konsiderueshme, ku janë shqiptuar rreth 1200 gjoba. Gjobat ndoshta janë minore në raport me gjetjet”, ka thënë ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat