Sindikalistët e QKUK-së letër kryeministrit, i kërkojnë ndërhyrje

Aktuale

Sindikalistët e QKUK-së letër kryeministrit, i kërkojnë ndërhyrje

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së, mbajti sot mbledhjen e radhës së Kryesisë dhe Këshillit Drejtues. Kjo sindikatë,  unanimisht vendosi që t’i jap edhe një mundësi dialogut social, në vend të masave dhe veprimeve sindikale.

Në këtë rast,  përmes Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, do t’i drejtohet Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi dhe Bordit të SHSKUK-së për mbështetje në kërkesën për anulimin e urdhëresave që kjo sindikatë, i cilëson të  jashtëligjshme, diskriminuese dhe që kanë elemente të përdorimit të standardeve të dyfishta në raport me komunitetet nga SHSKUK / QKUK.

“Sigurojmë opinionin e gjerë dhe anëtarësinë që e mbështesim plotësisht reformën dhe secilën përpjekje të menaxhmentit të SHSKUK / QKUK-së për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve”, shkruan në deklaratë.

“Mirëpo konsiderojmë që këto urdhëresa nuk kanë ndonjë efekt pozitiv në arritjen e këtij objektivi”.Urdhëresat e reja me të cilat ata nuk pajtohen janë që infermieri të nënshkruhet në hyrje e dalje nga dhoma e pacientit. Kjo konsiderohet standard i dyfishtë pasi vetëm infermierëve u kërkohet kjo procedurë.

Pika tjetër është që infermierët të bëjnë evidentimin e frekuentimit të palëve civile nëpër klinika, duke konsideruar se kjo nuk ka të bëjë me përshkrimin e punës si dhe disa urdhëresa të tjera, përfshirë edhe atë kur mjeku duhet të njoftohet nga infermieri në turnin e natës, kur ka pacientë.

Kryesia e kësaj sindikate rikujton se këto urdhëresa të  njëjta, vetëm se e rrisin edhe më tej mbingarkesën me punë për infermierët si dhe e zhvendosin fokusin e infermierëve nga kujdesi dhe zhvillimi i veprimtarisë infermierore, në fushën administrative.

“Konsiderojmë që partnerët social brenda secilës ndërmarrje duhet që të gjejnë mënyra dhe konsensus në të mirën e përgjithshme, në këtë rast të SHSKUK / QKUK-së me Shoqatën Sindikale të Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së dhe infermierët, e që gatishmëria jonë nuk mungon për të gjetur zgjidhje lidhur me kontestet”.

Sindikata deklaron se secila palë është për shërbim, e jo për sundim dhe ndarje të privilegjeve, pasi privilegj duhet të ketë vetëm qytetari / pacienti i cili kërkon shërbime.

Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së mbetet e përkushtuar në krijimin, ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, mbështetjen e reformave dhe iniciativave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve duke e ofruar mbështetjen e plotë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat