Avokatët kërkojnë që prokurorët e gjyqtarët të rivlerësohen, nëse s’e kalojnë Vettingun

Aktuale

Avokatët kërkojnë që prokurorët e gjyqtarët të rivlerësohen, nëse s’e kalojnë Vettingun

Më: 16 tetor 2022 Në ora: 10:46
Tomë Gashi

Gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë që nuk do ta kalojnë procesin e Vettingut, po kërkohet që së paku për dy vite mos të ushtrojnë profesion tjetër që ndërlidhet me sistemin juridik.

Këtë po e kërkojnë avokatë në vend, të cilët thonë se duhet të pengohen apo të rivlerësohen kandidatët të cilët nuk e kanë kaluar këtë proces, e që të njëjtit duan të ushtrojnë profesionin e avokatit.

Avokati Tomë Gashi, tha se nëse kjo masë nuk aplikohet, do të jetë dëm i madh për drejtësinë vendëse.

Duke folur për procesin e Vettingut, avokati Gashi e sheh si proces për t’i larguar personat që nuk e kanë vendin në sistemin juridik.

“Ne e dimë se së shpejti do të fillojë procedura e Vettingut, mënyrë kjo e ligjshme për t’i larguar ata të cilët nuk e kanë vendin në sistemin juridik të Kosovës dhe besoj që një prej masave preventive për të ardhmen do duhej të ishte që për një periudhë kohore së paku dy vite të mos kenë të drejtë (nëse ata shkarkohen apo nëse nuk e kalojnë Vettingun) që të regjistrohen si avokatë apo ndoshta edhe profesione të tjera specifike që ndërlidhen me punët që i kanë bërë ata si gjyqtarë apo prokurorë”.

“Nëse kjo masë nuk aplikohet në të ardhmen, ne do të kemi faktikisht ndryshime të pozicioneve, që një numër i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk do ta kalojnë Vettingun, do të bëhen avokat, që i bie se prej gjyqtarëve të këqij do të kemi avokat që do të jenë të nivelit siç kanë qenë edhe gjyqtarë”, u shpreh Gashi.

“Ne nuk po flasim me emër e me mbiemër por po flasim për ata që kur do të fillojë Vettingu nëse nuk e kalojnë dhe besoj se një pjesë nuk do ta kalojnë. Ky do të jetë një test i cili do të jetë i përgatitur nga një Komision profesional dhe këtë do ta themelojë Kuvendi i Kosovës, pra nuk do të bëhet diçka me inate apo me revanshe politike, por thjesht Vettingu do të vlejë për të gjithë dhe i gjithë filtri apo sita e Vettingut, do të jetë për gjithë e njëjtë”.

“Aty do të fillojë me integritetin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me profesionalizimin e tyre, do të analizohen aktgjykimet dhe do të ndërlidhet edhe me çështjet e pasurisë dhe me çështje private”, u shpreh tutje Gashi.

Njëjtë mendon edhe avokati tjetër, Yll Zekaj. Ai thotë se proces të rivlerësimit ka pasur edhe më herët por që nuk ka ndodhur.

Zekaj thotë se nuk ka ligj që i pengon ata të ndryshojnë profesion, por që të njëjtit duhet t’i hyjnë një procesi të rivlerësimit.

Ai thotë se nëse një gjë e tillë ndodh, do të dëmtohet profesioni i avokatisë.

“Pikërisht në atë periudhë e kemi pas një proces të riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku një numër i caktuar i tyre pasiqë që nuk janë riemëruar si Gjyqtarë dhe Prokurorë, patën kaluar në profesionin e avokatisë, përkatësisht përmes licencimit në Odën e Avokatëve të Kosovës”.

“Në infrastrukturën ligjore të Odës së Avokatëve nuk ka pasur mekanizëm i cili do ta pengonte këtë proces. Tanimë e kemi një proces të ri i cili parasheh që së shpejti të ndodh, dhe ky është procesi i Vettingut në sistemin e Drejtësisë, e që fatkeqësisht mund të përsëritet një ngjarje e njëjtë, ku të gjithë ata që nuk do ta kalojnë procesin e Vettingut, mund edhe të aplikojnë përmes profesionit të avokatisë”.

“Gjithsesi çdo person në mënyrë hipotetike do të kemi Gjyqtar apo Prokuror që nuk do ta kalojë procesin e Vettingut për mungesë të integritetit dhe për shkaqe tjera, atëherë të njëjtit veçse do ta dëmtojnë profesionin e avokatisë. Kështu që tani është koha që të ndermirën masa edhe në drejtim të avokatisë që të krijojnë një infrastrukturë që t’i pengojnë apo t’i rivlerësojnë kandidatin i cili nuk e ka kaluar procesin e Vettingut, e cili pretendon që përmes profesionit të avokatisë të rikthehet në sistemin e drejtësisë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat