“Ku e ke lanë?… Gjeje loçka jem”- zbardhen përgjimet e vëllezërve Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit

Aktuale

“Ku e ke lanë?… Gjeje loçka jem”- zbardhen përgjimet e vëllezërve Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit

Më: 23 tetor 2022 Në ora: 23:50
Bedri Rexhepi

Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi ka tronditur mbarë vendin. Jetës së tij i dha fund me 8 prill Jeton Vllasaliu e për ta fshehur krimin e kryer, ky i fundit  u ndihmua nga vëllai i tij, Nexhat Vllasaliu.

Familjarët e të ndjerit për 18 muaj nuk dinin asgjë për fatin e Bedriut. Mbetjet mortore të viktimës u gjetën vetëm me 30 shtator të këtij viti.

Jeton Vllasaliu vetëm në Prokurori kishte dhënë pesë deklarata të ndryshme. Do të pranonte e mohonte vrasjen. Do të tregonte detaje e do të bëhej, herë herë që nuk di asgjë. Të gjitha i janë dorëzuar Gjykatës.

Por, çka kishte ndodhur gjatë gjithë kësaj kohe?

Media ju sjell ekskluzivisht transkripten e bisedës mes dy vëllezërve derisa ndodheshin në duart e hetueseve policorë.

Në ditën kur Jeton Vllasaliu përfundimisht vendosi ta rrëfejë të vërtetën, tentonte me ngulm ta mbronte vëllain e tij, Nexhatin. Ky i fundit në disa deklarata që ka dhënë vetëm para Prokurorit, ka mohuar çfarëdo lidhje me krimin, madje edhe me pjesën e varrosjes për herë të dytë që ia ngarkon vëllai i tij në një deklaratë të gjatë po para të njëjtit Prokuror.

Sipas Dosjes, mashtrimit të tyre i kishte ardhur fundi kah shtatori i këtij viti kur Prokuroria ishte afër që ta gjente trupin.

Për këtë, të dy ishin vendosur në një dhomë ku Prokuroria me leje të Gjykatës vendosi përgjues. Ata do të këmbenin një seri llafesh me zë të ulët, por që Prokuroria beson që po flisnin se ku është varrosur trupi i Bedri Rexhepit.

Në këtë bisedë ata flasin se si ta gjejnë trupin. Nuk e dinë a e kanë lënë të rruga e madhe apo tek rruga e vogël. Në një moment njëri dyshon që ka përgjues në dhomë, e tjetri e bind që nuk ka. Biseda vazhdon me zë të ulët.

 Të dy duket që janë të bindur se duhet të iu tregojnë hetuesve se ku është trupi.

Jetoni Vllasaliu në një moment tregon që është i gatshëm të dorëzohet, por hall e ka nëse mund ta shpëtoi vëllain e tij, Nexhatin e gruan e tij nga aktakuza.

Siç kishte thënë në deklaratën e tij të gjatë para Prokurorisë, Jeton Vllasaliu e ndiente vetën përgjegjës që pas vrasjes së Bedri Rexhepit e kishte marrë vëllain e tij me vete në iniciativën për ta zhdukur trupin e viktimës.

Ai ditën kur vendosi që të rrëfente para Prokurorit Armend Hamiti tha që i kishte mësuar edhe familjarët që të gënjenin për të dhe të thonin se ai ishte kthyer me kohë në shtëpi. Dhe njëjtë vepruan edhe familjarët e Nexhatit.

Për këtë Prokurori i rastit po i ndjek penalisht edhe dy familjarë të Jeton e Nexhat Vllasaliut.

Për deklarim të rrejshëm janë akuzuar edhe Gjyljeta Vllasaliu, bashkëshortja e Nexhatit, dhe Arjeta Rukovci, mbesa e tyre.  Këto të akuzuar me deklaratat e tyre kishin mbështetur versionin e rrem të Jeton e Nexhat Vllasaliuit se kinse ata nuk kishin lidhje me krimin kundër Bedri Rexhepti-duke ua krijuar atyre alibinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat