Dugolli: Vendimi për targat duhet të zbatohet

Aktuale

Dugolli: Vendimi për targat duhet të zbatohet

Më: 25 tetor 2022 Në ora: 19:15
Enver Dugolli

Vendimi për targat është i pakontestueshëm dhe duhet të zbatohet. Kështu ka deklaruar në “Infoplus” në RTK, Enver Dugolli, deputet i Vetëvendosjes dhe njëherësh anëtar i Komisionit  për Siguri në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se këmbëngulja e Qeverisë së Republikës së Kosovës  për zbatimin e  vendimit për targat, ashtu siç ishte edhe vendimi për dokumentet e identifikimit, është i drejtë dhe vendim meritorë të cilin nuk e ka kontestuar askush pos Serbisë.

“Madje nuk e kanë kontestuar as qytetarët serbë të cilët shumë shpejt u mësuan me ketë formë të kalimit të kufirit, gjë që duhet përshëndetur”, ka theksuar Dugolli.

Sipas tij Qeveria e Kosovës kishte mirëkuptim dhe e shtyu zbatimin e vendimit për targat në mënyrë që t’u lihet hapësirë qytetarëve për një fushatë informuese.

“...sepse u tha se ishte një periudhë e shkurtër dhe ka dominuar propaganda për lajme të rreme serbe dhe  të cilat janë shpërndarë  masivisht në mënyrë të pakontrolluar tek qytetarët serbë. Për këtë Qeveria e Kosovës ishte racionale dhe në bashkëpunim me miqtë tanë vendosi të shtyhet për një muaj  implementimi i atyre vendimeve”, shtoi ai. 

Dugolli u shpreh i kënaqur që vendimi për dokumentet e identifikimit po zbatohet nga të dyja palët, teksa tha se tani duhet të zbatohet edhe vendimi për targat.

“31 tetori është afati i fundit zyrtar  për regjistrimin e automjeteve me targat ‘RKS’. Ata që kanë qenë të interesuar dhe ata që kanë pasur guxim që mos t’i nënshtrohen diktatit dhe presionit serb e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, por ky numër është i vogël”,  u shpreh ai. 

I pyetur nëse do të ketë ndryshim të qëndrimit të Qeverisë më 31 tetor, ai, tha se s’ka as një arsye të ketë ndryshim të vendimit.

“Nuk presë që do të ketë ndryshim më 31 tetor për shkak se nuk ka një arsye. Herën e kaluar ka qenë arsyeja e mosinformimit të qytetarëve serbë, por ky arsyetim tashmë ka pushuar së ekzistuari, ngase ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria kanë organizuar  shumë fushata sensiblizuese. Ata që kanë pasur dëshirë  ta shfrytëzojnë këtë mundësi deri më tani edhe e kanë bërë një gjë të tillë”, ka nënvizuar Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat