LIVE/ “Mashtrues, po shpifni”, përplasje të ashpra në Kuvend mes deputetëve dhe ministrave

Aktuale

LIVE/ “Mashtrues, po shpifni”, përplasje të ashpra në Kuvend mes deputetëve dhe ministrave

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 15:50 më 27.10.2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës

​Sfidues për qeverinë mbetet kthimi i 10 për qind të mjeteve të tërhequra në Trust më 2020

Sfidues po konsiderohet të jetë për Qeverinë fillimi i rimburësimit për 10 për qind të mjeteve të tërhequra nga qytetarët në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës -Trust në vitin 2020.

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021, deputeti nga Vetëvendosje Armend Muja theksoi se mbetet sfiduese në vitet në vazhdim, detyrimi për qeverinë e Kosovës në vlerë prej 105 deri 115 milionë euro që duhet t’u kthehen qytetarëve kontrbutdhënës në Trust.

Muja: Tërheqjet e 10 për qind në Trust më 2020 sfidues për qeverinë e Kosovës

“Ajo çka mbetet sfiduese në vitet në vazhdim në bazë të këtij raporti, janë tërheqjet e vitit 2020 që kanë krijuar një detyrim për qeverinë e Kosovës, i cili mund të jetë në vlerë prej 105 deri 115 dhe ai duhet të kthehet. Pra tërheqjet prej 10 për qind të Trustit në vitin 2020 duhet të paguhen nga qeveria në vitet në vazhdim. Mbi bazën e të gjitha këtyre të dhënave të performacës së mirë buxhetore dhe performancës së mirë nga investimet dhe shpenzimeve të ulëta operacionale ne e mbështesim këtë raport dhe të njëjtin raport i kërkojmë deputetëve që ta votojnë”, theksoi Muja.

Kuvendi ka miratuar Raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021, dhe ka formuar komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.

Pas kësaj kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbyllur punimet e kësaj seance. Kuvendi gjatë ditës ka miratuar edhe Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, po ashtu edhe për Projektligjin për mbështetjen e punëve publike.

Lista Serbe mungon në Kuvend, Konjufca: Janë në Beograd

Lista Serbe ka munguar edhe këtë të enjte në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. E mungesën e deputetëve të kësaj partie e ka vënë në dukje kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Derisa grupet parlamentare po jepnin propozimet e tyre për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, radha i erdhi edhe Listës Serbe.

Konjufca tha se deputetët e kësaj partie po mungojnë pasi kanë shkuar në Beograd.

“Tani grupet parlamentare propozojnë zëvendësimet e tyre në komisionet parlamentare. Lista Serbe është në Beograd”, u shpreh kryeparlamentari.

Tash e disa muaj Lista Serbe nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe i bojkoton në tërësi angazhimet e saj.

Ndërsa, sot kur Kuvendi po mban seancën e radhës, deputetët e kësaj partie ndodhen në Beograd për të marrë pjesë në punimet e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë, të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq. 

​Shtyhet shqyrtimi i projektligjit për faljen e masave gjatë pandemisë

Me 63 vota për, deputetët kanë miratuar rekomandimet nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”.

Në mungesë të propozuesit të rezolutës kundër sulmeve seksuale ndaj integritetit seksual, kjo pikë është shtyrë për më vonë.

Në një nga seancat e ardhshme është shtyrë edhe shqyrtimi i projektligjit për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19.

Konjufca: Kjo çështje mbetet në njërën prej seancave të ardhshme

“Në mbledhje të kryesisë kemi marrë vendim, po ky vendim nuk ka dalluar pozitë-opozitë, kemi marrë vendim me unanimitet të gjitha partitë politike që propozuesi i këtij projektligji që ka ardhur në formën e një peticioni në Kuvendin e Kosovës, prej propozuesit edhe organizuesit të peticionit t’i bartet një deputeti që ata e caktojnë ta propozojë këtë projektligj para Kuvendit.

Me këtë janë pajtuar të gjithë anëtarët e kryesisë dhe deri më tash nuk kemi pasur prej organizatorit ndonjë përfaqësues që ta caktojë. Kështu që kjo çështje mbetet në njërën prej seancave të ardhshme”, ka thënë Konjufca. 

​Kuvendi miraton në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike

Me 36 vota pro, Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike.

Sikurse për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, ashtu edhe për Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, kuvendi ka votuar mocionin e propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes për shmangien e rregullores së Kuvendit për shqyrtimin e këtyre dy projektligjeve me procedurë të përshpejtuar në një seancë të re më 8 nëntor.

Shefja e këtij grupi, Mimoza Kusari Lila ka thënë se këto dy projektligje kanë rëndësi të veçantë për shkak të ngritjes së inflacionit në vend. Ajo ka treguar edhe procedurat për shqyrtimin në lexim të dytë për këto projektligje.

Kusari-Lila: Shqyrtimi i dytë i projektligjit të bëhet në seancë të re më 8 nëntor

Pas miratimit në shqyrtim të parë, amendamentet e këtij projektligji mund t’i adresohen Komisionit funksional deri në orën 13:00 të datës 31 tetor 2022. Komisioni funksional deri në orën 10:00 të datës 2 nëntor 2022 duhet të shqyrtojë projektligjin për mbështetjen e punëve publike dhe raportin me rekomandime t’ia paraqes komisioneve të përhershme. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit të bëhet në seancë të re plenare të datës 8 nëntor prej orës 11:00”, tha ajo.

Projektligji për mbështetjen e punëve publike ka për qëllim të krijojë një mekanizëm për kompozimin deri në një masë të caktuar të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore dhe punëve përcjellëse të kontratave për punë të lidhura në mes të autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve ekonomik.

Në seancën e sotme Kuvendi ka miratuar edhe në lexim të dytë projektligji për Qeverinë e Kosovës.

Derisa me 63 vota deputetët kanë votuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë. Edhe për këtë projektligj u vendos të shqyrtohet në lexim të dytë më 8 nëntor në seancën plenare.

​AAK do ta dërgojë Ligjin për Qeverinë në Kushtetuese

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta dërgojë Ligjin për Qeverinë në Kushtetuese.

Kështu ka njoftuar shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri i cili tha se përmes këtij ligji i jepet të drejtë zëvendësministrit për votim.

Ai në seancë plenare ka theksuar se po shkelen edhe dy funksione të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri: AAK këtë ligj do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese

“Kjo seancë që po mbajmë tash sapo është duke i shkelur dy funksione të rëndësishme që ne i kemi si institucional. Unë e kuptoj që Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje paska arritur të mbledhur pas një kohe të gjatë në Kuvend 63 vota. Mirëpo, të anashkalohen të gjitha procedurat të shqyrtimit të ligjeve me rëndësi vitale, nuk është asgjë tjetër përveç shkelje e funksionimit dhe ndërhyrje në punën tonë që kemi në kryesi.

Unë e kuptoj që këtë rregullorja e lejon, mirëpo kjo qasje është e gabuar dhe që nuk i bën nder këtij kuvendi. Po ashtu, dua të them këtu që ne sapo kaluam një ligj (Ligjin për Qeverinë), i cili në mënyrë antikushtetuese i jep të drejtë zëvendësministrit të votojë. AAK këtë ligj do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, për shkak se jemi të bindur që kjo e drejtë që iu ka dhënë me ligj zëvendësministrave është kundër kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në seancën e sotme është miratuar Ligji për Qeverinë.

Miratohet projektligji për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore

Kuvendi ka miratuar projektligjin për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore, në raste të veçanta të destabilizmit në treg.

Nga 63 deputetë të pranishëm në seancë, të gjithë votuan pro këtij projektligji.

Ndërsa nuk pati kundër dhe abstenime.

Deputetja e PDK-së: Kurti shkeli një rregullore të Kuvendit

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi theksoi se kryeministri Albin Kurti, ka shkelur rregulloren e Kuvendit.

Arsyeja sipas saj është se ajo e ka marrë përgjigjen vetëm me shkrim dhe se do ta përsërisë pyetjen kur Kurti do të paraqitet në seancë.

“Kam pranuar përgjigje me shkrim. Kjo përbën shkelje të rregullores së Kuvendit. Pasi unë kam kërkuar përgjigje me gojë. Ai të vijë e të përgjigjet në Kuvend”.

“Asnjë herë s’po vjen në kuvend, por prapë do t’ia bëj pyetjen me shpresën që do të vije në Kuvend”, tha Shoshi-Musliu.

Haxhiu sfidon opozitën: Nëse e gjeni këtë, unë jap dorëheqje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka sfiduar opozitën se nëse e gjejnë vetëm një fjali në raportin e WPJ-së për sundimin e ligjit ku thuhet se ka pasur ndërhyrje politike, atëherë ajo është e gatshme të japë dorëheqje nga pozita që e ushtron.

Mes tjerash, ajo i sugjeroi deputetët opozitarë ta bëjë një analizë se cili raport ka qenë më i drejtë e cili jo.

Gjithashtu, ajo theksoi se nuk ka ministra e as kryeministër që e thërret në telefon ndonjë prokuror apo gjyqtar për ta zgjidhur lëndën nëpër procese gjyqësore.

“Sa i përket raportit për vendin, nuk përmendën ndërhyrjet politike në sektorin e drejtësisë. Nëse e gjeni, unë jam e gatshme të jap dorëheqje. Aty përmenden interferimet, por jo politike, sikurse në të kaluarën. Është hera e parë që nuk përmendën ndërhyrjet politike. Nuk ka kryeministër, nuk ka ministra e deputetë që e thërret në telefon prokurorin e gjyqtarin se qysh me zgjedh një lëndë ose qysh me mbyll syrin në një lëndë”.

“Ka mundur të rregullohet në vitin 2005”, “Po i mashtroni qytetarët”, përplasje mes Ganimete Musliut e Liburn Aliut

Një përplasje ka ndodhur sot në Kuvend mes deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu dhe ministrit të Infrastrukturë, Liburn Aliu, për fillimin e projektit të rrugës në fshatrat veriore të Mitrovicës: Magjerë, Dedi, Batahir, Bistricë e Cerajë.

Liburn Aliu tha se ka këto fshatra i ka vizituar në vikend, madje tha se posedon edhe fotografi.

“Unë kam qenë për vikend atje, pra ditën e shtunë kam qenë i kam vizitu këto fshatra dhe i kam parë punimet… Atje janë duke u shtruar shtresat e zhavorrit, fotografitë i kam në telefon. Pra është jashtëzakonisht me prioritet, aktualisht mobilizimin më të madh e kemi në këto fshatra në veri… Zotimin që ua kam dhënë, jam duke punu maksimalisht për me iu përmbajt”, tha Aliu.

Pas kësaj, Musliu i reagoi.

“Ministër më vjen keq, rruga atje nuk është duke u asfaltuar. Projekti ka qenë për asfaltim, ju jeni duke vendosur zhavorr, që me reshjet e para asnjë makinë nuk mund të shkojë në këto fshatra… Fotografi të japë edhe unë, i kam postu në facebook që kam qenë para 2 javësh. Ndoshta masi që e keni marrë pyetjen, jeni shku e keni shtu trashësinë e zhavorrit. Atje duhet të asfaltohet rruga. Po mundohem me qenë korrekte me juve, sepse korrekte jam mundu me qenë edhe kur ua kam bo pyetjen për herë të parë. Atje po i mashtroni qytetarët me dy-tre kamionë zhavorr”, tha Musliu, por pastaj iu ndalë fjala.

Më pas, Aliu tha se kjo rrugë është dashur të shtrohet gjatë viteve të kaluara.

“Deputete e nderuar, ju mund të etiketoni dhe të thoni çka të doni. Projekti është për asfalt, dhe asfalt ka me u shtru, por asfalti shtrohet pas zhavorrit… Jemi duke e rregullu një rrugë që ka mundur të rregullohet në vitin 2005, ose 2006, ose 2007, ose 2008, ose 2009, ose 2010, ose 2011, ose 2012 se vazhdimisht keni pasë pyetje parlamentare këtu. Jemi duke e shtru me një urgjencë super të madhe”, tha Aliu.

Ndaj kësaj deklarate nuk mungoi reagimi i Musliut.

“Vetë nervoza juaj në këtë mënyrë dhe joprofesionalizmi juaj i adresimit të çështjes në këtë mënyrë, tregon se ti je duke i mashtru qytetarët atje. Pajtohem që fillimisht shtrohet zhavorri, po gjema në botë dikun që asfalti shtrohet në dhjetor, dhe ju jeni zotu që ai projekt do të mbarojë këtë vit, prandaj je ka i mashtron qytetarët. Pra tregom kur do të përfundojë, kur do ta shkelim unë edhe ti asfaltin në veri tëMitrovicës. E sa i përket 2005-s, 2000-s, 1999-s, ti je me fat që aty ulesh pas atyre qeveritarëve që kanë qeveris para teje. Je me fat ministër, prandaj po them mos i mashtroni qytetarët”

Bytyqi: T’i mbështesim gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit, t’a kenë mjekimin falas

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria ta fuqizojë mbështetjen për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.

Bytyqi u shpreh se numri i pacienteve që vuajnë nga kjo sëmundje është në rritje, andaj duke pasur parasysh mungesën e barnave esenciale për trajtimin e kësaj sëmundjeje, nevojitet një mbështetje më e madhe nga të gjithë.

Tutje, Bytyqi i propozoi Qeverisë që t’i mundësojë këtyre grave mjekim falas e lehtësim në marrjen e terapisë.

“Për shumicën e pacientëve kosto e blerjes së barnave brenda dhe jashtë vendit është e papërballueshme. Shtoja faturës financiare edhe koston e rrugës, e cila për xhepin e një familjeje mesatare në Kosovë është koxha e rëndë. Prandaj është e udhës dhe bëj kërkesë që ato barna esenciale të shpërndahen nëpër komuna për aq sa ka pacientë në mënyrë që të ju lehtësohet marrja e terapisë. Një mjekim falas për ato që luftojnë me kancerin e gjirit dhe lehtësimi i marrjes së terapisë është i nevojshëm për të gjitha gratë”, shtoi Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat