​Komisioni miraton Projektligjin me amendamente për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore

Aktuale

​Komisioni miraton Projektligjin me amendamente për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 12:28
Foto nga komisioni

Komisioni parlamentar për Ekonomi, ka miratuar me votat e mazhorancës të martën Projektligjin me amendamente për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky projektligj për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore, është miratuar në parim javën që shkoi në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në një seancë të re më 8 nëntor të shqyrtohet në lexim të dytë.

Pas kësaj pike pritet të raportojë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me furnizimin me energji elektrike në vend si dhe funksionin e ndërmarrjeve në fushën energjisë. Po ashtu Komisioni sot do të shqyrtojë edhe propozim-vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë.

Si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm. Kështu theksoi sot ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në komisionin për Ekonomi lidhur më furnizimin më energji elektrike në vend si dhe funksionin e ndërmarrjeve në fushën e energjisë.

Megjithatë, ministrja Rizvanolli tha se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimeve sërish me ftohjen e motit gjatë dimrit. Për këtë, ministrja Rizvanolli ka arsyetuar propozim-vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, për çka kërkoi nga Komisioni miratimin e këtij propozimi.

Me këtë propozim ndalohet eksporti i peletit jashtë vendit. Pa votat e opozitës, komisioni miratoi vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furizimit me energji elektrike. Me propozimin e VV, komisioni vendosi që ky vendim të shqyrtohet në seancën e 8 nëntorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat