Kryeministri Albin Kurti mirëpritet në Estoni – shumica e zyrës së kryeministres janë gra

Aktuale

Kryeministri Albin Kurti mirëpritet në Estoni – shumica e zyrës së kryeministres janë gra

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 15:24
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, po qëndron për një vizitë zyrtare në Estoni, me ç’rast është pritur nga homologia e tij, Kaja Kallas.

Zyra e kryeministres Kallas ka ndarë disa fotografi nga vizita e Kurtit dhe ajo që bie në sy është se shumica e punonjësve që e përbëjnë këtë zyrë janë gra.

Pas takimit, të dy atë kanë mbajtur një konferencë të përbashkët, ku e kanë veçuar afërsinë ndërmjet dy vendeve.

Kurti ka thënë se Kosova dhe Estonia kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe si dhe një të kaluar të ngjashme historike.

“Dy vendet tona, Kosova dhe Estonia, kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe si dhe një të kaluar të ngjashme historike. Prandaj, Republika e Kosovës e merr seriozisht modelin estonez në shumë aspekte të shtetndërtimit, veçanërisht në lidhje me kapacitetet institucionale në reformën e administratës publike. Duhet të kemi një shtet të fortë dhe demokratik. Ne kemi shumë për të mësuar nga përvoja e suksesshme estoneze në qeverisjen digjitale”, është shprehur Kurti.

Ndërsa Kallas e ka ofruar mbështetjen e plotë të Estonisë për rrugën euroatlantike të Kosovës si dhe për heqjen e regjimit të vizave për shtetin më të ri në Evropë nga ana e Bashkimit Evropian.

“Një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit tonë praktik është se aktualisht ekspertët estonezë në bashkëpunim me ndihmën tuaj po punojnë për të krijuar strategjinë e qeverisjes elektronike të Kosovës. Ajo që është thelbësore për të bërë më pas është ta zbatoni atë së shpejti në praktikë”, është cituar të ketë thënë kryeministrja Kallas.

Ndër të tjera, ata kanë biseduar edhe për luftën në Evropë, gjegjësisht pushtimin dhe agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe implikimet e saj globale, me fokus të veçantë në Estoni si dhe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat