E zbulon Shasha: Vizat po lidhen me këtë çështje, por ja çka do të ndodhë ditëve në vijim

Aktuale

E zbulon Shasha: Vizat po lidhen me këtë çështje, por ja çka do të ndodhë ditëve në vijim

Nga: A.Zh Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 13:10
Demush Shasha

Nga Presidenca Çeke kanë konfirmuar se propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Lidhur me këtë zhvillim, ka reaguar Demush Shasha, drejtor në Institutin EPIK, i cili ka treguar se qysh në gusht kishte nxjerr përfundimin se procesi i liberalizimit të vizave, është i lidhur me dialogun e Kosovës me Serbinë, përcjell Bota sot.

Ai ka paralajmëruar se ditëve të ardhshme, të dyja palët do të tregojnë urtësinë e nevojshme për të avancuar dialogun dhe liberalizimin e vizave.

Reagimi i tij i plotë në Facebook:

Në gusht të këtij viti sëbashku me KFOS-in dhe Clingendaelin kemi publikuar studimin ku kemi paralajmëruar si në vijim: “Dhe e fundit, edhe pse dialogu me Serbinë nuk është një kërkesë formale për liberalizimin e vizave, në praktikë shumë shtete anëtare i shohin të ndërlidhura këto dy procese. Edhe pse këto janë procese të ndara, ato janë pjesë e rrugës integruese të Kosovës dhe rrjedhimisht çfarëdo ngecje në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve do të ketë pasoja edhe në procesin e liberalizimit të vizave.”

Çfarë kemi thënë atëherë nuk është ndonjë zbulim i paparë, por ishte njohje e realitetit i cili ishte duke na shikuar në sy. Sot më qeshet kur kujtoj se zyrtarët e lartë të shtetit na thonin se jemi gabim. Sidoqoftë, asnjëherë nuk i kam marr këto komentet me të keq. Çdo herë i kam mirëkuptuar. As unë nuk kam qejf me qenë dialogu i lidhur me vizat. Por është. Është fakt. Prandaj, çdo herë është më mirë të shikojmë të vërtetën në sy, se sa të fusim nën tepih.

Tani, duke shikuar përpara nuk duhet bërë edhe ndonjë gjë të madhe nga ky zhvillim i sotëm. Jam i bindur se gjatë ditëve në vijim, të gjitha palët do të tregojnë urtësinë e nevojshme për të avancuar edhe dialogun, edhe liberalizimin e vizave. Prandaj, siç kam thënë edhe më herët sabër e selamet, tonat kryhen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat