Von Cramon: Vizat i janë hequr edhe Venezuelës ndërkaq Kosova pret ende

Aktuale

Von Cramon: Vizat i janë hequr edhe Venezuelës ndërkaq Kosova pret ende

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 20:09
Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, ka thënë se vizat i janë hequr edhe Venezuelës e cila udhëhiqet nga Nicolas Maduro, ndërkaq Kosova ende pret në radhë.

Ajo me anë të një deklarate tha se Kosova (përveç) Bjellorusisë është vendi i vetëm qytetarët e së cilës s’mund të lëvizin pa viza, anise pa viza lirshëm udhëtojnë drejt Evropës përtej kontinentit.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja duhet të mbeten çështje të veçanta. Kosova është i vetmi vend evropian (përveç Bjellorusisë) qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në BE. Pavarësisht se ka listën më të gjatë të kritereve që kërkohet nga çdo vend evropian për të marrë liberalizimin e vizave, kushtet janë plotësuar më shumë se 6 vjet më parë dhe janë konfirmuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian. Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende qëndrojnë në radhë për viza edhe pse regjimi pa viza i është dhënë Nikaraguas apo Venezuelës së Maduros”, tha ajo.

Raportuesja në PE për Kosovën theksoi se liberalizmi i vizave është i vonuar.

Von Cramon shtoi se tërheqja nga agjenda e Këshillit të Ministriave, është e papranueshme.

“Kosova është me të vërtetë një vend ku shumica dërrmuese e qytetarëve të saj dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe ne duhet të realizojmë atë që kemi premtuar kohë më parë në mënyrë që të rikthejmë një pjesë të besueshmërisë së BE-së dhe të dëshmojmë se fjalët dhe deklaratat tona nuk janë thjesht boshe. Premtimet Ne besojmë fuqimisht se vendi i Kosovës është në BE dhe shpresojmë se hapi i parë në atë drejtim do të jetë konfirmimi i menjëhershëm i pakushtëzuar i liberalizimit të vizave. Zgjidhja paqësore e krizës aktuale në veri të Kosovës do ta mbështesë më tej këtë rrugë”, ka thënë Cramon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat