Rizvanolli: Për janar-mars parashikojmë të importojmë 300 gigavat energji

Aktuale

Rizvanolli: Për janar-mars parashikojmë të importojmë 300 gigavat energji

Më: 11 janar 2023 Në ora: 12:44
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë  se me përkeqësimin e motit në ditët në vijim do të fillojë edhe rëndimi i situatës me energjinë elektrike në Evropë dhe si rrjedhojë edhe në vendin tonë, prandaj si ekzekutiv kanë marrë vendim për vazhdimin e masave emergjente.

Megjithatë, ajo ka thënë se kjo nuk do të thotë se në vend do të ketë reduktime të rrymës, porse ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të kursejnë rrymën.

“Ne kemi disa parashikime për periudhën nga janari deri 15 mars, që është periudha kritike e dimrit. Kemi paraparë se mund të na nevojiten të importojmë 300 gigavat në orë import. Por, nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe jemi duke shfrytëzuar edhe energjinë e deponuar në Shqipëri. Shfrytëzimi i energjisë nga Shqipëria ka shkuar mirë gjatë javëve të kaluar dhe aty i kemi edhe rreth 70 gigavat orë”, ka theksuar Rizvanolli në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ajo ka thënë se në fund të vitit të kaluar kanë marrë një vendim që e autorizon KEK-un që në rast nevoje të mospërmbushjes së nevojave dhe kërkesës për energji elektrike në vend të importojë deri në 185 gigavat shtesë.

Tutje ajo ka folur edhe për pagesën e energjisë së shpenzuar në veri të vendit, teksa ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë.

“KOSTT-i përgjatë kësaj periudhe kishte akumuluar borxhe dhe kanë ardhur fatura, me të cilat vijnë edhe interesa nëse nuk paguhen me kohë. Po flasim për periudhën gusht deri nëntor. Po flasim për fatura që kanë të bëjnë për periudhën gusht e shtator, të cilat kanë qenë të parapara të paguhen, por KOSTT-i nuk i ka pasur mjetet e mjaftueshme nga ndarja e kaluar. Ndërsa tetori dhe nëntori janë shtuar, duke qenë se faturat kanë ardhur dhe ndërkohë ka qenë periudhë në të cilën diskutimet kanë qenë duke vazhduar ndërmjet dy kompanive KEDS e Elektrosever, por edhe procedurat e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet KOSTT-it dhe Elektroseverit. Mirëpo, kjo nuk është zgjidhje dhe as nuk është e drejtë. KOSTT-i ka përgjegjësi për tërë territorin e Kosovës. Një situatë e tillë nuk është zgjidhje dhe nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje që mundësojnë faturimin dhe fillimin e pagesës së qytetarëve të asaj pjese”, ka shtuar Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat