Ish-pjesëtari i UÇK-së e mirëpret librin për Reçakun

Aktuale

Ish-pjesëtari i UÇK-së e mirëpret librin për Reçakun

Më: 11 janar 2023 Në ora: 18:25
Abdullah Musliu

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Abdullah Musliu, ka rrëfyer momentin e takimit gjatë luftës me ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili ka njoftuar se do ta shkruajë një libër për masakrën e Reçakut.

“E kujtoj mirë ngjarjen, se kam qenë pjesë e UÇK-së, ku me bashkëluftëtarët jemi munduar t’i kundërvihemi forcave të ushtrisë serbe dhe njerëzve kriminelë që ishin vërsulur ndaj popullatës civile, ishte një tmerr shumë i madh, por megjithatë dita e nesërme e 16 janarit u bë e mundur që edhe vetë ambasadori William Walker të vijë në vendin e ngjarjes dhe përmes tij të informohet e gjithë bota. E mbaj mend kur Walker, më 16 janar rreth orës 11 kishte ardhur dhe unë kam qëlluar aty bashkë me komandantin e Brigadës, tashmë heroin e Kosovës, Ahmet Kaçiku dhe disa bashkëluftëtarë e banorë të Reçakut që e kemi pritur dhe përcjellë te vendi i ngjarjes”, ka thënë Musliu.

Ai tha se mbërritja e Walker në Reçak, solli te shqiptarët një ndjenjë sigurie, pasi, sipas tij, dihej se ai do t’ia përcillte botës informacionet drejt për atë se çka po ndodhte në vend.

“Ishte ndjenjë e mirë, sepse e kemi kuptuar rolin e tij. Nga ana jonë misioni i OSBE-së e ka pasur një besim të plotë dhe ardhja e ambasadorit na ka dhënë një ndjenjë të mirë, që ne jemi më afër informacionit të drejtë, e kemi ditur se Walker është njeri i drejtë. Edhe më të fuqishme ndjenjën e ka bërë deklarata e tij, kur ka thënë se ka krim kundër njerëzimit… Na ka ngjallur një ndjenjë që ne të ndihemi edhe më të sigurt edhe më afër faktorit ndërkombëtar”, shtoi ai.

Ai tha se me shkrimin e librit për Reçkun do të mund të vihet dritë mbi masakrën që ka ndodhur në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat