Adem Salihaj tregon arsyet pse u vra Enver Maloku: Ishte paralajmërim...

Aktuale

Adem Salihaj tregon arsyet pse u vra Enver Maloku: Ishte paralajmërim...

Nga: P.R Më: 11 janar 2023 Në ora: 20:40
Fotografi të ekipit të LDK-së, që kishin vizituar Prekazin pas masakrës së familjes Jashari, ato imazhe të viktimave ishin prezantuar në një konferencë të jashtëzakonshme nga Enver Maloku

Në 24 vjetorin e vrasjes së ish drejtori të QIK-ut dhe bashkëpunëtorit të Ibrahim Rugovës, Enver Malokut, ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, përmes një postimi në facebook ka shkruar se vrasja e Malokut ishte paralajmërim i serisë së vrasjeve që ndodhën në Kosovë.

“Vrasja e Enver Malokut ishte një paralajmërim i vrasjeve që ndodhën më vonë. Pse u vra Enver Maloku, cilat ishin arsyet e vrasjes së tij. "Faji" i vetëm i Enver Malokut, ishte se ishte një njeri shumë i aftë dhe atdhetar i vërtetë”, ka shkruar Maloku, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Enver Maloku është ndër viktimat e para, të serisë së vrasjeve , e cila më vonë do të merrte përmasa të mëdha , sa që viktima të saj u bënë me dhjetëra e qindra veprimtarë të denjë të çështjes kombëtare. Pra, në njëfarë mënyre, vrasja e Enver Malokut ishte një paralajmërim i vrasjeve që ndodhën më vonë. Pse u vra Enver Maloku, cilat ishin arsyet e vrasjes së tij. "Faji" i vetëm i Enver Malokut, ishte se ishte një njeri shumë i aftë dhe atdhetar i vërtetë. Me Enver Malokun kam punuar në Televizionin e Prishtinës që nga themelimi i tij, deri në prill të vitit 1981, kur unë u burgosa për demonstratat e atëhershme. Më vonë, pas themelimit të LDK-së, kemi bashkëpunuar ngushtë, unë si kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj, kurse ai si shef i Qendrës për Informim të Kosovës, atëherë e njohur si QIK. Qendra për Informim e Kosovës ishte agjenci e fuqishme e grumbullimit dhe shpërndarjes së informatave. Informatat grumbulloheshin nga degët dhe nëndegët LDK-së dhe KMDLNJ, të cilat, përveç në Kosovë, pasi përktheheshin anglisht, shpërndaheshin në të katër anët e botës dhe u shkonin të gjitha agjencive të njohura botërore. Informatat e QIK-ut citoheshin e botoheshin në gazetat dhe mediat elektronike më prestigjioze. Qindra e mijëra informata u shpërndanë përmes QIK-ut, duke dhënë kështu kontribut të madh për sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Më vonë u vra edhe Xhemajl Mustafa dhe shumë e shumë veprimtarë tjerë të rëndësishëm të LDK-së dhe çështjes kombëtare. Madje u bënë edhe lista të gjata për vrasje, duke filluar prej presidentit Rugova e deri te veprimtarë nëpër degë e nëndegë. Arsyeja ishte se donin ta eliminonin çdo figurë me autoritet të çështjes kombëtare, në mënyrë që, kur të vinte dita e luftës për pushtet, të mos kishin figura të mëdha, që do t'u dilnin përpara. Kur i shohim gjërat nga këndvështrimi i sotëm, mund të themi se me vrasjen e qindra figurave të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare, i është bërë dëm i madhë , jo vetëm arritjes së lirisë, por edhe shtetndërtimit të Kosovës. Sot, mund të themi se figura e Enver Malokut qe dhe mbeti një figurë e madhe e lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi. Kosova më asnjëherë nuk arriti ta kishte një figurë të madhe për çështje të informimit si ajo e Enver Malokut, e as një agjenci kaqë të fuqishme, siç ishte QIK-u.

Në foto Enver Maloku, unë, në mes, dhe Xhemajl Mustafa, para vitit 1981, kur punonim në mediat e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat