Miftaraj: Nuk mund të bësh homazhe për viktimat e Reçakut, e njëkohësisht ta nderosh Ivanoviqin

Aktuale

Miftaraj: Nuk mund të bësh homazhe për viktimat e Reçakut, e njëkohësisht ta nderosh Ivanoviqin

Më: 17 janar 2023 Në ora: 15:52
Ehat Miftaraj

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë fyese për familjet e 10 kosovarëve të vrarë në prill të vitit 2000.

Miftaraj ka përmendur edhe të kaluarën kriminale të Ivanoviqit, me ç’rast ishte dënuar edhe në shkallë të parë nga Gjykata e EULEX-it, si udhëheqës i grupit kriminal, “rojet e urës”.

Sipas Miftarajt, Kurti ka ndryshuar qasje sa ishte në opozitë dhe se kjo sipas tij nuk i bën nderë kryeministrit por as Qeverisë. Thotë, se familjet e në atë pjesë janë terrorizuar nga këto grupe terroriste.

“Po më së paku mund të themi që ishte një deklarim skandaloz nga ana e kryeministrit Kurti, i cili në emër të Qeverisë së Kosovës i thuri lavde jetës dhe veprës së Ivanoviqit. Po flasim për një politikan serb, kontrovers i cili nga Gjykata e EULEX-it ishte dënuar me nëntë vite burg për dyshimet ku ishin vrarë dhjetë civil shqiptarë gjatë vitit 2000”, thotë Miftaraj.

“Me vetë faktin se i njëjti në vitin 2000 por edhe gjatë luftës ka mbajtur pozita të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ka qenë udhëheqës i ‘rojave të urës’ në Mitrovicë, dhe së bashku me Delibashiqin sipas dëshmitarëve, kanë terrorizuar banorët në atë pjesë, ka marrë pjesë në spastrimin etnik të shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovisë. Kështu që një adresim i tillë, duke e përmendur veprat dhe jetën e Oliver Ivanoviqit, unë besoj se nuk i bën nderë kryeministrit e as Qeverisë, dhe i ofendon familjet e 10 viktimave të cilët ishin vrarë në prillin e vitit 2000”, thotë tutje ai.

Sipas Miftaraj, kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për formimin e Asociacionit, ka bërë që kryeministri Albin Kurti ka bërë një deklaratë të tillë për t’i ikur vëmendjes së dialogut e Asociacionit.

“Politika në Kosovë nuk ka filluar me Kurtin, ku kryeministrat e presidentët në vazhdimësi kanë prodhuar skandale të tilla për t’i ikur vëmendjes e problemeve reale që i kanë qytetarët. Me vetë faktin se javën e kaluar e kishim këshilltarin e lartë amerikan e i cili erdh me kërkesa të qarta dhe me kërkesa të vazhdueshme të ShBA-së që Asociacioni të formohet. Pra kur kërkesat e tilla janë të qarta, kur javën e ardhshme Escobar dhe Lajçak do të vijë Kosovë e Serbi që do të flasin për këtë temë, politikanët tanë mund t’i shfrytëzojnë këto për të ndërtuar situata të tilla që i ikin vëmendjes së publikut për problemet reale që po ballafaqohemi”, u shpreh Miftaraj për EO.

Teksa ka folur për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, Miftaraj thotë se viktimat e Reçakut e Ivanoviqi nuk mund të nderohen njëkohësisht.

“Kryeministri ka një mori të këshilltarëve dhe këta këshilltar duhet që për çështjet e ndjeshme siç ishte Reçaku apo vdekjet e ish-komandantëve të UÇK-së, të cilët kanë sakrifikuar gjithçka që politikanët ta gëzojnë pozitën e tyre. Kështu që në data të ndjeshme edhe reagimet e prononcimet duhet të jenë më kuptimplota, por edhe të kujdesën që të mos e cenojnë dinjitetin e qytetarëve, e në këtë rast të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Nuk mund që sot të jesh në Reçak e t’u bësh lavdi e nder për viktimat e Reçakut, e ditën e nesërme t’i bësh ‘homazhe’ një figure kontroverse siç ishte Oliver Ivanoviqit”, thotë Miftaraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat