I shpëtoi gjallë atentatit/ Fetah Rudi: Jam i shokuar me planin për vrasje ndaj kreut dhe deputetëve të LDK-së

Aktuale

I shpëtoi gjallë atentatit/ Fetah Rudi: Jam i shokuar me planin për vrasje ndaj kreut dhe deputetëve të LDK-së

Më: 19 janar 2023 Në ora: 19:24
Fetah Rudi

Fetah Rudi tash e 24 vjet nuk mund të ecë më.

Ai mbeti në karrocë si pasojë e një sulmi me breshëri armësh ndaj tij më 15 dhjetor 1999, që erdhi gjatë kohës sa ishte në takim me kryetarët e degëve të LDK-së, te shefi i LDK-së aso kohe, Ibrahim Rugova.

Si një zyrtar – që i shpëtoi vetë atentatit – ky ndjehet i shokuar me planin për vrasje të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve tjerë të partisë, Avdullah Hotit, Armend Zemajt dhe Arben Gashit.

“Lajm shqetësues këto informata. Kërcënimi drejtpërdrejt për njerëz të institucioneve është për keqardhje. Unë, për veti, nuk jam ndje mirë sepse e kam pësuar vetë nga atentati nga njerëz që nuk ia dojnë të mirën shtetin”, u shpreh Rudi.

Policia e Kosovës e konfirmoi kanosjen ndaj zyrtarëve të LDK-së, teksa e bëri të qartë se ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin.

Zyrtarët e këtij subjekti kanë qenë cak i sulmeve, madje edhe vrasjeve, kaherë që nga themelimi i partisë më 1989.

“Sulmet ndodhin për shkak se LDK është parti institucionale. E ka udhëheq rezistencën, luftën dhe tash punon me udhëheq edhe zhvillimin e shtetit të Kosovës”, theksoi Rudi.

Ky ftoi organet e rendit ta zbardhin planin dhe që autorët e tij të vihen para drejtësisë.

Diçka e tillë nuk ndodhi në atentatin e kryer ndaj tij.

“Për rastin tim nuk ka dalë askush para drejtësisë. Drejtësia ka dështuar plotësisht, ajo e Unmikut, Eulexit dhe e shtetit tonë. Andaj shpresoj që rastin e Abdixhikut ta zbardhin sa më shpejt Policia, Prokuroria e AKI-ja. Ata që kanë pasur këso synime të bihen para drejtësisë”, theksoi Rudi.

Abdixhiku e Zemaj, s`ndihen të rrezikuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa e ka konfirmuar tentimin për atentat, ka thënë se Policia e Kosovës e ka ofruar sigurinë e nevojshme.

Ai shtoi se nuk ndihet i rrezikuar.

“Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt” , ka thënë Abdixhiku duke mos dhënë detaje më të hollësishme.

Ngjashëm u deklarua edhe deputeti tjetër i kërcënuar, Armend Zemaj.

“Ne jemi përfaqësues të qytetarëve, vazhdojmë me punën në Kuvend dhe sigurisht çdo gjë qartësohet nga Policia dhe hetuesia”, theksoi Zemaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat