Sejdiu: Për Asociacionin është e domosdoshme referenca tek Ahtisaari

Aktuale

Sejdiu: Për Asociacionin është e domosdoshme referenca tek Ahtisaari

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 23:20
Fatmir Sejdiu

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është e domosdoshme referenca tek Pakoja e Ahtisaarit.

Sipas tij, zgjidhja është në pjesën e përpjekjes së hulumtimit të një formule.

“Zgjidhja është në pjesën e përpjekjes së hulumtimit të formulës. Nëse Gjykata Kushtetuese ka dhënë një reagim, pavarësisht se ka qenë më shumë politikë, por megjithatë i ka dhënë ato vërejtjet, unë mendoj që ato duhet të përmbahen, këtu konsiston edhe qëndrimi i faktorëve që na ndihmojnë. E dyta është karakteristike që referenca tek Ahtisaari është e domosdoshme, ai e ka paraparë atë formulë dhe kjo nënkupton një formulë që paralelisht sheh me sy përtej ekzistencën e dy shteteve sovrane me territor dhe integritet e tyre të cilat kanë nevojë dhe thjeshtë komunikojnë si fqinjë i parë”, deklaroi Sejdiu.

Sipas ish-presidentit duhet një konsultë, pasi që sipas tij, çështja shikohet si komplekse.

“Unë mendoj se duhet konsultë, tash i shoh analizat-prognozat a do të jetë e kësaj pranvera a do të jetë e më vonshme gjatë vitit. Kjo nënkupton se çështja shikohet si komplekse nuk është lehtë krejt, në kuptim të asaj që duhet të arrihet me mbajt në këmbë si duhet një vend të pavarur që ka bekimet dhe njohjet ndërkombëtare të tyre. Çdo gjë që në këtë formë apo tjetrën mund të dalë jashtë kësaj tendence sigurisht që do të jetë jo e mirë dhe jo e përshtatshme”, shtoi ai.

Shpallja e koordinuar e pavarësisë së Kosovës me vendet aleate perëndimore më 17 shkurt 2008, ishte bazuar në Planin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i njohur si Pakoja e Ahtisaarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat